Forumi Horizont | Gjithsej 26 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 26 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia Demokratike (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=213)
-- Teodor Keko (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=10611)
Teodor Keko
Per adhuruesit e Dorit (sic i pelqente te thirej), jeni te lutur te kontribuoni me shkrime te tij ose per te ne kete kend.
Librin e tij Hollesi Fatale, e mbaj ne komodina ne koke te krevatit dhe e kam lexim te vazhdueshem.
intro.
Teodor Keko u lind në 2 shtator 1958 në një familje kineastësh. Qysh në fëmijëri ai shquhej për humorin e hollë dhe shpirtin rebel, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare, boton poezitë e para në gazetën letrare të kohës "Drita". Pas mbarimit të studimeve për Gjuhë e Letërsi, punon në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, fillimisht në gazetën "Drita" e më pas në revistën "Nëntori". Gjatë këtyre viteve ai mbetet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të shtypit të kohës, veçanërisht revistës "Hosteni" dhe gazetës "Zëri i Rinisë", ku përmes penës së tij të hollë trajtoi probleme të mprehta të politikës kulturore dhe tema "tabu" për kohën.
Në korrik të vitit 1990 thirret në takimin e ish-Presidentit Ramiz Alia me intelektualët e vendit. Po atij viti, në tetor, thirret në Konferencën e talenteve të reja në Korçë, ku shquhet edhe antikonformizmi i tij në diskutimin që më pas tërhoqi vëmendjen e qarqeve zyrtare. Në dhjetor bashkohet me Lëvizjen Demokratike.
Në vitin 1991 zgjidhet anëtar i këshillit botues të së parës gazetë opozitare në Shqipëri, gazetës "Rilindja Demokratike" dhe në të njëjtën kohë deputet i Partisë Demokratike. Shkrimet e tij të shumta gjatë këtyre viteve në gazetat "Rilindja Demokratike", "Koha Jonë", "Aleanca Demokratike", "Poli i Qendrës", "AKS", "Albania" e "Korrieri" apo revistat "Spektër" e "XXL" si dhe fjalimet e mbajtura në parlamentin shqiptar gjatë dy legjislaturave që ai ishte deputet, shkrime e fjalime që kishin postulat kredon e tij "Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratë, apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët"..., mbeten edhe sot modele të publicistikës dhe oratorisë si për guximin qytetar, thellësinë e mendimit ashtu dhe për forcën e fjalës.
Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë si intelektual, përmes fjalës në shtypin e shkruar. Në 1999 thirret nga kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, për të punuar si këshilltar pranë tij, detyrë që vazhdon ta ushtrojë dhe më pas në kohën e kryeministrave Pandeli Majko e Fatos Nano.
Angazhimet si qytetar, intelektual e publicist, nuk do ta shkëpusin nga letërsia, pasioni i vjetër. Pas botimit të vëllimit të parë me poezi në vitin 1983, "Pas provimeve", në harkun kohor të 19 viteve, Teodor Keko do të botojë 13 libra. Në vitin 1987 boton vëllimin poetik "Fjala fishkëllen", në 1990 poezitë "Zemra nuk është këmishë" dhe romanin "Loja". Një vit më pas vëllimin me tregime e novela "Lajmëtarja e vdekjeve", në 1994 romanin "Pretenca", në 1995 romanin "Shënimet e një gruaje", në 1996 vëlimin poetik "Unë të kam dashur, por...", në 1997 poemën satirike "E të tjera, e të tjera..." dhe vëllimet me tregime e novela "Prostituta" e "12 shenjtore, një profet dhe disa njerëz", në 1998 tregimet dhe novelat "Made in Albania" dhe në 2002, po një vëllim të tillë të quajtur "Hollësira fatale".
Në 20 gusht 2002, ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 44-vjeçare. Deri në fund të jetës ai mbeti një antikonformist, një intelektual me kontribut të veçantë në proceset demokratike të vendit dhe një bohem i papërsëritshëm.
Aleksandër Çipa (marrë nga gazeta Shekulli)
Gjithsej 26 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 26 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.