Forumi Horizont
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Arkiva (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=309)
-- Avokati i Popullit: Të sëmurët mendorë, në kushte çnjerëzore (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11082)


Postuar nga Orion datë 04 Mars 2006 - 17:19:

Post Avokati i Popullit: Të sëmurët mendorë, në kushte çnjerëzore

Inspektorët e Avokatit të Popullit kanë vënë re mungesë kushtesh, personeli dhe kujdesi për të sëmurët në Elbasan

Avokati i Popullit: Të sëmurët mendorë, në kushte çnjerëzore

Flamur Vezaj

TIRANË- Të sëmurët psiqikë jetojnë në kushte çnjerëzore në spitalin e Elbasanit. “Shërbimi shëndetësor rezulton si i prapambetur ashtu edhe i lënë larg vëmendjes për përmirësimin e kushteve, ndërkohë që të drejtat e pacientëve shkelen vazhdimisht”. Në këtë përfundim kanë arritur inspektorët e Avokatit të Popullit, pas një kontrolli të kryer në të vetmin spital psikiatrik në vendin tonë, që ndodhet në qytetin e Elbasanit. Sipas një raporti të publikuar nga zyra e Avokatit të Popullit, bëhet e ditur se ky raport i është dërguar ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, ku është vënë në dijeni për nevojat emergjente që ka ky institucion, duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të gjendjes dhe përmirësimin të kushteve, konform standardeve të kërkuara. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit janë konstatuar shkelje të rënda të ligjit për “Shëndetin Mendor”. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se: “përveç shkeljeve ligjore që ka në këtë institucion, aty vihen re edhe mungesa të personelit mjekësor, personelit të kujdestarisë, mungesë të shtretërve, ilaçeve, higjienës, ngrohjes apo ushqimit.
Problemet
“Kuota ushqimore dietike për pacientet e Spitalit Psikiatrik të Elbasanit është miratuar me një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 1998, ku për çdo pacient shuma ditore është 257 lekë, edhe pse është kërkuar nga ky institucion që kjo kuotë të rritet në 304 lekë në ditë për pacient, por nuk është miratuar kjo kërkesë”,-thonë inspektorët e Avokatit të Popullit. Por ky nuk është i vetmi problem i evidentuar në këtë institucion ku trajtohen të sëmurët psiqikë. “Nuk kishte të punësuar psikologë, punonjës socialë dhe neurologë, kërkesa të cilat parashikohen të jenë në këtë institucion nga vetë nevojat e kurimit të pacientëve. Për 320 pacientë që kuroheshin dhe jetonin në ambientet spitalore, kujdesej një ekip mjekësh i përbërë nga 6 vetë, ku vetëm njëri prej tyre kishte specialitetin “Mjek Psikiatër”. Pesë mjekët e tjerë ishin të formimit të përgjithshëm, por eksperienca e mjaftueshme e tyre ka bërë që të ushtrojnë këtë specialitet”,- thuhej në raport. Gjatë inspektimit rezultoi se për 60 të sëmurë kronikë, janë në gatishmëri vetëm 1 kujdestar, 1 infermier dhe 1 pastrues. Nga ana tjetër, rreth 100 pacientë të shtruar në këtë institucion gëzojnë kushte të plota për t’u trajtuar si azilantë në institucione të tjera pranë komunitetit, por aktualisht mbahen ende në kushte spitalore psikiatrike. “Në spitalin psikiatrik rezulton se ka mungesa periodike të medikamenteve bazë (të shportës) të trajtimit të rasteve akute, të cilat në mjaft raste kanë detyruar spitalin të kryejë blerje të paautorizuara”,-thuhet në raportin e mësipërm.
Rekomandime
Gjatë inspektimit, sipas raportit të Avokatit të Popullit, janë evidentuar mungesa të shtretërve, ku kapaciteti i spitalit strehonte 320 persona nga 310 vende që ka kapaciteti i tij i mundshëm. Nga 7 pavionët ku u ushtrua kontrolli, rezultoi se në dhoma me sipërfaqe 15 m2 jetonin 6 vetë. Në dhomë kishte vetëm krevat portativë mjaft të dëmtuar, me shtrojë të pamjaftueshme për temperaturën e ambientit. Ndërkohë, muret në shumicën e sipërfaqes se tyre mbanin lagështi të madhe, e cila kishte dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme veshjen gëlqerore. Gjatë kontrollit të pavionëve rezultoi se për çdo 30-40 pacientë ka vetëm dy vende për kryerjen e nevojave personale, tre lavamanë dhe vetëm një vend për dush, ku uji ishte i ftohtë. Sipas raportit të dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë thuhet se në vitin 2000, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit ishin kryer riparime dhe rikonstruksione të ambienteve të brendshme, por gjendja që paraqitej ishte mjaft e rrezikshme, pasi dritaret ishin të pajisura me xhama të thyeshëm, të cilët shpesh herë kanë venë në kërcënim jetën e pacientëve”. Sipas njoftimi zyrtar të Avokatit të Popullit bëhet e ditur se ky inspektim është kryer pas një nisme për evidentimin dhe vënien në dukje të të metave që ofrojnë këto shërbime, si kusht parësor për të mënjanuar dukuritë negative dhe për të rritur me performanca serioze cilësinë e shërbimeve që ofrohen veçanërisht në qendrat spitalore”. Në fund të këtij raporti, zyra e Avokati së Popullit i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë, përmirësimin e trajtimit ligjor, shëndetësor dhe social të pacientëve të Spitalit Psikiatrik në Elbasan.


MASA E SIGURISË

Vrau babanë, gjykata urdhëron shtrim në spitalin e Burgut

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi masën e sigurisë “shtrim të detyrueshëm në spitalin e Burgut” për autorin e vrasjes së babait të tij, 40-vjeçarit Rexhep Gjetani. Edhe dje në sallën e gjyqit, 40-vjeçari dha shenja të qarta se është në gjendje të rëndë mendore, pasi gjatë gjithë kohës që qëndroi përballë gjyqtarit fliste përçart. Me kërkesë të organit të akuzës, gjyqtari i masave Artan Broci, urdhëroi shtrimin e tij të detyrueshëm në spitalin e Burgut në Tiranë. Tre ditë më parë, afër shkollës së mesme “Avdulla Keta”, 40-vjeçari Rexhep Gjetani goditi me mjete të forta babanë e tij 74-vjeçar, Shaban Gjetanin, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Sipas akuzës, për disa vite viktima Shaban Gjetani banonte vetëm me të birin e sëmurë mendor, në katin e parë të një prej pallateve që ndodhen pas shkollës së mesme “Avdulla Keta”. Ndërkaq, të afërmit e tjerë të familjes ndodhen në Greqi prej disa vitesh. Gjatë ekspertimit psikiatrik ka rezultuar se 40-vjeçari Rexhep Gjetani ka probleme mendore prej vitesh, ç’ka kanë sjellë edhe irritimin e tij, duke i marrë jetën të atit. Tashmë, 40-vjeçari i akuzuar për vrasjen e babait të tij pritet të kurohet në spitalin e Burgut në Tiranë.



04/03/2006 ( Shekulli )


 
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.