Forumi Horizont | Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 3 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Interneti dhe Shqipëria (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=130)
-- Hyn Interneti Wireless ne Shqiperi. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12482)
Hyn Interneti Wireless ne Shqiperi.
Marre nga gazeta Shekulli
Interneti pa tela hyn në baret dhe hotelet e Tiranës
Fjoraldi Zguro
Lidhje interneti pa tela bashkë me kafen, moda më e re nga bizneset e shërbimeve në kryeqytet. Një avantazh konkurrues që vjen nga teknologjia. Specialistët e ISP-së Abissnet shpjegojnë si funksionon shërbimi hot-spot.
Komunikimi pa tela nuk është më një monopol vetëm për aparatet celularë. Së fundmi në lokalet prestigjioze në Tiranë po përhapet me sukses një tendencë e re komunikimi. Është teknologjia Wi-Fi, e cila mundëson navigimin e shpejtë në internet pa qenë nevoja e lidhjeve kabllore, por vetëm nëpërmjet valëve. Mjafton të lëvizësh me laptop në dorë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet dhe mund të gjesh jo pak bare, restorante apo hotele, të cilat, krahas shërbimeve të tyre parësore, i ofrojnë klientëve akses në internet nëpërmjet hot-spoteve të vendosura pranë ambientet e tyre. “Kostot e këtij shërbimi që ofrojmë janë minimale, nëse do të shohim avantazhet që sjell”, - thotë Akiva Offstain, administratori amerikan i Insomnia në Tiranë që ofron këtë shërbim në kontratë me Abissnet. Sipas tij, klientët që përdorin këtë shërbim kanë një status dhe gjendje ekonomike relativisht të lartë. Kështu që ofrimi i këtij shërbimi ndihmon në mbajtjen e kësaj kategorie klientësh, të cilët mund të përhapin fjalën te rrethi i tyre shoqëror dhe të ndikojnë pozitivisht në të ardhurat e biznesit.
Si të lidhemi me wireless?
Abissnet, kompania më e madhe e furnizimit me internet (ISP) në vend, krahas zgjerimit të rrjetit të vet është duke përhapur edhe teknologjinë Wi-Fi. Specialistë pranë qendrës së Abissnetit në Tiranë shpjeguan për “Shekullin”, me fjalë të thjeshta, mënyrën se si realizohet shpërndarja e internetit Wi-Fi nëpër ambientet e lokaleve dhe bizneseve të tjera. Kështu, fillimisht, do të duhet që bari, restoranti apo hoteli në fjalë të bëjë një abonim të thjeshtë për marrjen e sinjalit të internetit. Kjo tarifë fillon nga 50 euro në muaj.
Për këtë Abissnet ofron dy mundësi zgjedhjeje. E para realizohet nëpërmjet rrjetit kabllor (xDSL, CableTV ose Fiber Optike) dhe e dyta nëpërmjet kapjes së sinjalit të internetit me antenë. Gjithsesi, në të dyja rastet, pasi sinjali i internetit mbërrin në lokal, është fare e thjeshtë që ky sinjal të degëzohet për nënpërdoruesit e tjerë, që në rastin në fjalë janë klientët e lokalit. Por më parë nevojitet pajisja me një “wireless router”, një aparaturë e vogël sa një bllok shënimesh, e cila përhap valë interneti në shpejtësi gjeri në 54 Mbps dhe në një reze mbulimi deri në 300 m. Kjo hapësirë, e cila mbulohet me internet pa qenë nevoja e një rrjeti kabllor nga router-i specifik, quhet “hot-spot”.
Sipas specialistëve të Abissnetit, në rrjetin e tyre profesional të bazuar në teknologjinë WiFi-MESH, kjo rreze mund të shkojë deri në 2 kilometra, por për klubet në kryeqytet për shërbimin e tyre të brendshëm nuk aplikohet një reze më e madhe se 300 metra. Në momentin që router përhap sinjalin internet, çdo kompjuter laptop, PocketPC apo çdo pajisje që suporton standardet Wi-Fi 802.11a/b/g dhe që gjendet brenda zonës së mbulimit të hotspot-it dedekton sinjalin dhe mund të lidhet me internetin.
Avantazhi konkurrues
Le të kthehemi te vetë lokalet. Të pasurit e avantazheve konkurruese bën që dita ditës lokalet të fusin produkte dhe shërbime të reja në ambientet e tyre, duke tentuar thithjen e një klientele të re dhe, sigurisht, duke shndërruar në klientë besnikë pjesën e tregut të arritur. Në këtë mënyrë, pjesa më e madhe e lokaleve e ofron internetin “wireless” falas, duke e lënë të hapur për përdorim sinjalin që transmeton router-i. Inxhinierët e Abissnet shpjegojnë se klientët nuk do të hasin asnjë vështirësi lidhjeje me internetin, mjafton të hapin kompjuterin laptop dhe menjëherë “wireless” (teknologjia e komunikimit pa tela me të cilën janë të pajisur të gjithë laptop-ët të prodhuar vitet e fundit) dedekton sinjalin e routerit, i cili konvertohet në lidhje interneti pa kabëll. Përgjithësisht nuk është e nevojshme që klienti të vendosë në mënyrë manuale fjalëkalime apo seri numerike të internet protokollit, kjo për linjat e hapura dhe falas.
Abissnet ofron edhe një mënyrë tjetër lidhjeje që mundëson lokalet të aplikojnë edhe një tarifë për shfrytëzimin e internetit në ambientet e tyre. Kështu, përveç ofrimit të internetit, lokalet kanë edhe një burim tjetër të ardhurash. Vetë lokalet duken mjaft të interesuara për futjen e kësaj teknologjie, sepse edhe kërkesa nga klientë shqiptarë dhe të huaj është e lartë.
Drejtoresha e Abissnet, Bruna Foto, na thotë se pranë kësaj kompanie ka mbërritur një numër i konsiderueshëm kërkesash nga ana e bizneseve për pajisje me routera shpërndarës të internetit Wi-Fi. Gjithashtu, Abissnet planifikon kompilimin e një direktorie dhe website ku do të shënohen të gjitha bizneset që kanë këtë lloj shërbimi, për ta lehtësuar gjetjen e tyre nga klientët e interesuar.
Wi-Fi, pjesë e jetës së përditshme
Në botë interneti “wireless” është gjerësisht i përhapur jo vetëm në ambientet e bareve restoranteve, hoteleve, por edhe në aeroporte, në zyrat e kompanive dhe deri në parqe apo të tjera ambiente publike. Kështu, nuk është çudi që nëse një i afërm apo miku juaj në SHBA apo të tjera vende ku kjo teknologji është e përhapur, të komunikojë me ju nëpërmjet internetit pa kabëll. Shpejtësia e internetit Wi-Fi është mjaft e lartë, për shkak të teknologjisë së avancuar që sigurohet nga routerët. Madje në këtë mënyrë mund të komunikoni duke shkëmbyer sinjal të pastër video dhe audio në kohë reale dhe pa pagesë, edhe sikur të dy kompjuterët laptop të jenë në lëvizje, sigurisht brenda hapësirës që mbulon hotspot-i. Për mjaft biznesmenë, të pasurit e internetit në çdo moment dhe në çdo vend do të ishte një ndihmë e madhe. Kontrolli i postës elektronike, një ndër ritualet e përditshme të miliona njerëzve në botë, mund të kryhet fare mirë edhe në Shqipëri, duke pirë kafen e mëngjesit në barin e preferuar mes miqve apo kolegëve.
Çfarë duhet për të marrë shërbimin hotspot për lokale dhe hotele nga Abissnet:
Kosto e instalimit dhe pajisjeve: 350 euro
Kosto mujore interneti 256 kbps duplex: 50 euro/muaj
18/10/2006
Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 3 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.