Forumi Horizont Gjithsej 11 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Letrarë të rinj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=105)
-- Liqeni i kripur (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18308)


Postuar nga Morfine datë 14 Mars 2011 - 17:16:

Liqeni i kripur

Kapitulli i pare

KLAJDI DHE ENSI

Njerëzit që unë dua me të vërtetë marrin shpesh herë mesazhe dashurie nga unë.



Gjithmonë atëherë kur nuk e presin.



Ngaqë më njohin mirë, miqtë dhe mikeshat e mia të zemrës nuk çoroditen e as nuk e pyesin më veten se pse në orët apo ditët më të pakuptimta u shkruaj herë pas here fjali të shkurtra të tipit “të kam shumë xhan…”, ose: “kur të pashë në mëngjes duke fjetur qetë me kokën e përkulur pakëz jashtë krevatit, dhe me fëmijën tënd pranë teje, - atë ëngjëllin e vockël që e dua aq shumë, i cili flinte horizontalisht mbi jastëk e me duart e hapur, - u ndjeva i lumtur që ju kam të dyve në zemrën time”, apo: “e di ti, qe jam i bekuar që të kam njohur?”



Unë jam aq egoist sa kam nevojë që t’i befasoj njerëzit me dashuri.



Në mënyrë që ata pastaj të më duan!



U kujtoj se unë jam ende këtu, sidomos atëherë kur për shkak të rrethanave të jetës dhe të përditshmërisë së tyre të ngarkuar me njëmijë halle, porosira, apo nevoja për të plotësuar harrojnë për momentin ekzistencën time.



Ua them shkurt dhe qartë se sa shumë i dua, dhe pas pak minutash fluturoj kur në celularin tim ndjej dridhjen e mesazhit që më thotë: “o shpirti im…, të dua edhe unë, të dua aq shumë sa nuk e ke idenë!”



Në të tilla raste gëzohem që kam mundur të ndryshoj për mirë ditën e dikujt dhe ashtu si njeriu i përzhitur në diell i cili mezi pret të zhytet në ujrat e kthjellët të detit, po ashtu ripërtërij unë shpirtin tim të etur për dashuri.



Ndonjëherë, me vetëm një mesazh në telefon…



Kur shkruaj atë mesazh, përveç dashurisë së sinqertë që ndjej karshi personit të cilit apo së cilës po i drejtoj mesazhin, ndjej, në fakt, edhe vetëkënaqësinë se personi tjetër do të marrë edhe goditjen e fortë në zemër kur do risjellë ndërmend kujtimet e veta me mua, dhe do i vijë aq e papritur ajo shpulla “si dreqin nuk e kam marrë në telefon këtë njeri që më dashka vërtet kaq shumë?!” Pikërisht në atë moment nevoja ime për të ndjerë dashurinë e atij personi do të arratiset nga unë e përmes telefonit do të shndërrohet në një bretje të dhimbshme ndërgjegjeje. Më shkëlqejnë sytë nga ligësia dhe me shkojnë buzët vesh më vesh duke u ngërdheshur për këtë turbullirë psikologjike që sapo kam shkaktuar!



Tani që po mendoj këto tipare të karakterit tim, ndihem i vetmuar dhe jashtëzakonisht i frikësuar për moshën time. 27 vjeç, janë edhe pak, edhe shumë. Frikshëm shumë… Shumë për mua, që ndihem akoma 15! Por që nga sot jam 27 dhe i mbushur me dështime, me vendime të marra aty për aty e në nxitim e sipër. Madje shpesh nën efektin e alkoolit, pak përpara dehjes së plotë.



Edhe këto shpërthime të befasishme mesazhesh dashurie-egoizmi-ligësie, i ndërmarr në më të shumtën e rasteve në këto momente të jashtëzakonshme eksitimi shkaktuar nga alkooli, atëherë kur akoma s’më ka mbërthyer plotësisht aq sa të më errësojë gjykimin.



Meqë është pasdite, pasditja e së dielës, jam i sigurt se shumica e miqve të mi kanë tentuar të dëfrejnë nëpër ambiente qejfi qysh dje në mbrëmje deri sot në mëngjes, kështuqë do të jenë tani duke u kujdesur të shërojnë dhimbjen e kokës dhe bezdinë e një guri që ndjejnë në stomak.



Po kalon dita dhe qartazi askush prej këtyre “qejflinjve” apo “qejfleshave” të natës nuk do kujtohet për ditëlindjen time, ndaj vendos që atë gurin në stomak dhe atë goditjen e fortë që ndjejnë çdo 5 minuta prapa kokës (aq sa nuk guxojnë as që të ngrihen nga shtrati), t’ua bëj edhe më të rëndë.



I shkruaj fillimisht Helenës, shoqës sime të fakultetit, e cila deri para pak ditësh kishte 5 vjet që ishte zhdukur - në kuptimin e mirëfilltë - nga jeta ime. 5 vjet më parë ajo vendosi të provonte një eksperiment në jetën e saj duke u larguar nga Shqipëria por e paaftë për të pranuar dështimet e mundshme që mund të kishte, vendosi të na tregojë gjithçka vetëm tani, 5 vjet më vonë, e bindur se ia ka arritur qëllimit të saj për ta rifilluar jetën atje në Bolonja, pra ka mundur të mos dështojë!



VIJON

K..... P


  Gjithsej 11 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.