Forumi Horizont | Gjithsej 10 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia Demokratike (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=213)
-- Nene Tereza (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2468)
Cmendim keni per kete thenie te maqedonise..
Nënë Tereza, 10 intelektualë peticion Veltronit
TIRANË – Dhjetë intelektualë shqiptarë i kanë dërguar dje një peticion kryetarit të Bashkisë së Romës, Valter Veltroni, ku i kërkojnë sqarimin e faktit që Nënë Tereza është shqiptare, pavarësisht se ka lindur në Shkup. Që nga shkrimtarët e njohur Ismail Kadare e Dritëro Agolli e deri tek publicistë të njohur shqiptarë i kërkojnë Veltronit që Nënë Tereza të mos identifikohet si bijë e Maqedonisë. Në tetor të këtij viti pritet që Papa Gjon Pali i Dytë të shpallë shenjtërimin e Nënë Terezës , ndërkohë që autoritetet maqedonase i kanë dhuruar shtetit italian një bust të Nënë Terezës me mbishkrimin “Bijës së kombit maqedon”. Pikërisht kjo nuk është pritur mirë nga pala shqiptare, por sidomos nga intelektualët, prandaj edhe ata në një peticion kërkojnë pikërisht mosvendosjen e këtij mbishkrimi.
Teksti i plotë i peticionit i firmosur nga dhjetë personalitetet shqiptare pritet që të bëhet sot publik.
Lista e 10 intelektualëve
Ismail Kadare
Dritëro Agolli
Sabri Godo
Bashkim Shehu
Remzi Lani
Piro Misha
Genc Ruli
Kujtim Çashku
Ardian Klosi
Fatos Kongoli
Ambasadori shqiptar në Romë siguron se kërkesa e palës maqedonase nuk do të merret parasysh
Xhufi: Italianët s’do ta lidhin “Nënë Terezën” me Maqedoninë
“Kemi patur kontakte me autoritetet italiane dhe ata na kanë siguruar se një gjë e tillë nuk është e mundur”
TIRANË – Ambasadori shqiptar në Romë, Pëllumb Xhufi ka sqaruar dje, i pyetur nga “Shekulli” në linjë telefonike, se bustit të Nënë Terezës nuk do t’i vihet mbishkrimi “bijë e Maqedonisë”. Ai siguroi se edhe autoritetet italiane janë të bindura se Nënë Tereza është një katolike shqiptare që edhe varret e të afërmve të saj i ka në Tiranë. “Nuk bëhet fjalë që t’i jepet emri Maqedoni ndonjë sheshi të Romës dhe nuk bëhet fjalë që të ngrihet një bust i Nënë Terezës me një dedikim që e lidh Nënë Terezën me Maqedoninë dhe sllavët e Maqedonisë”, -sqaroi ambasadori shqiptar në Romë, Pëllumbi Xhufi. Ai tha se “është e vërtetë që kanë dalë fjalë, dhe këto i kemi dëgjuar edhe nga Tirana, por kemi patur kontakte me autoritetet italiane dhe ata na kanë siguruar se një gjë e tillë nuk është e mundur”. Sipas Xhufit, autoritetet italiane “janë të ndërgjegjshme për implikacionet që mund të kishte një hap i tillë, implikacione të natyrës ndërshtetërore e ndëretnike, kështu që një gjë e tillë edhe pse mund të jetë kërkuar nga Maqedonia nuk do të dëgjohet dhe nuk do të realizohet nga ana e Bashkisë së Romës”. Ai theksoi se “është bindje e përgjithshme, jo vetëm në Vatikan, por edhe e autoriteteve italiane qendrore, e Romës, që Nënë Tereza është shqiptare, e lindur në një qytet që ka patur një komunitet të lulëzuar katolikësh shqiptarë dhe që varret e të afërmve të saj janë në Tiranë. Ajo rrjedh nga një familje shqiptare, që për shqiptarinë e saj është persekutuar nga autoritetet sllave”.
Zef Bushati
I të njëjtit mendim është shprehur edhe ambasadori ynë në Vatikan, Zef Bushati, sipas të cilit autoritetet italiane do të jenë të vëmendshëm ndaj kësaj çështjeje. Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës duket se kanë shpërthyer edhe mosmarrëveshjet, sepse Nënë Tereza e lindur në Shkup ka bërë që edhe autoritetet maqedone t’i kushtojnë asaj një momunet, duke i vënë edhe sqarimin se ajo është bijë e Maqedonisë. Kjo lëvizje e autoriteteve të larta shtetërore me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, sipas Bushatit ka ardhur “në një mënyrë tepër të befasishme dhe disi e çuditshme në mjediset e Vatikanit”. “Si informacion dhe si veprim konkret zë fill në dhjetor të vitit të shkuar, kur kongregacioni i çështjeve të shenjtërimeve pranë Selisë së Shenjtë në sekretarinë e shtetit paraqiti një raport përpara Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali dhe në raport midis rreshtave si jo normale ishte shkruar “La suora macedone Teresa di Kalkuta, Gonxhe Bojaxhiu”, -sqaroi Bushati, i cili ka folur për median në linjë telefonike nga Vatikani. Ai tha se ka një sensibilizim që Nënë Tereza është shqiptare, pavarësisht se ajo ka lindur në Shkup të Maqedonisë. “Unë kam kontaktuar me kardinalët e tjerë të rëndësishëm të Selisë së Shenjtë njëkohësisht edhe me sekretarinë e shtetit të Vatikanit dhe kërkova që të kishte një prononcim rreth kësaj, duke cituar normalisht fjalë nga ana e Nënë Terezës gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit Nobel që; “Atdheu im është Shqipëria, kam shtetësi indiane, jam një murgeshë katolike, nga ndjenjat i takoj gjithë botës, misioni im është që të ndihmoj të varfrit njëkohësisht kam cituar edhe fjalët e Papa Gjon Palit në vizitën këtu në Shqipëri, ku ai e specifikon këtë bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Nënë Terezën e Kalkutës”. Pati një prononcim zyrtar nga ana e sekretarisë së shtetit dhe ata zyrtarisht thanë që për Selinë e Shenjtë, Nënë Tereza ka qenë dhe është gjithmonë shqiptare, -tha Bushati.
Gjithsej 10 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.