Forumi Horizont | Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Gjuha Gjermane (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=193)
-- 13 vjet bashkim (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2469)
13 vjet bashkim
Nga Hans-Peter Annen
Këtë vit Gjermania feston në datën 3 Tetor përvjetorin e 13-të të ribashkimit të saj. Dita e Unitetit Gjerman, si festë kombëtare e Republikës Federale të Gjermanisë na kujton, që në daten 3 tetor 1990 Republika Demokratike u bashkua me Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo shënoi ribashkimin e të gjithë Gjermanisë, e cila që prej vitit 1949 kishte qenë e ndarë në dy shtete. Fundi i shtetit komunist të punëtorëve dhe fshatarëve ishte edhe revolucioni i parë i suksesshëm në Gjermani, e përveç të tjerash edhe paqësor e demokratik. Për ata, që kanë përjetuar në atë kohë brohoritjet festive në portën e madhe të rihapur të Branderburger Tor, ky mbetet një kujtim i lidhur me emocione të fuqishme dhe me ndjenjën e përjetimit të një ore të rëndësishme të historisë botërore.
Sigurisht, ekzistojnë shumë mundësi, që festave kombëtare t'u jepet një kuadër ceremonial. Në Gjermani Dita e Unitetit do të festohet këtë herë në Magdeburg, kryeqyteti i Land-it Sachsen-Anhalt. Do të ketë një festë qytetare, me lojëra dhe zbavitje, ku do të ofrohet për të ngrënë dhe për të pirë, një festë për të rinj e të moshuar, një spektakël multimedial në mjedis të hapur. Gjithçka duhet të rrjedhë në një atmosferë të lirë, të lehtë dhe të shtendosur.
Edhe në Ambasadën Gjermane në Tiranë 3 tetori është një rast për të festuar dhe për të biseduar lirshëm me miqtë nga vendi mikpritës, Shqipëria.Nëse duam të bëjmë një bilanc pas 13 vitesh Uniteti Gjerman, lind pyetja, nëse është përmbushur (e nëse po, deri në ç'masë) profecia e Willy Brandt menjëherë pas rënies së murit "Tani do të rriten bashkë pjesët e një të tëre" dhe sa ekziston ende shprehja e trishtueshme "Muri është në kokat e njerëzve". Edhe pse pas orëve festive një farë zhgënjimi ishte i pashmangshëm, faktikisht në më shumë se një dekadë shumë gjëra kanë ndryshuar per mirë. Përmes përpjekjesh të përbashkëta të të gjithë gjermanëve si dhe me një përçim të fuqishëm solidariteti nga Perëndimi në Lindje është bërë e mundur një punë e konsiderueshme dhe në shumë vende janë bërë tashmë realitet "peisazhet e lulëzuara" te premtuara nga Kancelari i atëhershëm Federal, Helmut Kohl, në të cilat duhej të shndërroheshin Land-et Federale Brandenburg, Mecklenburg-Vorpommern, Sachsen (Saksonia), Sachsen-Anhalt dhe Thüringen.
Edhe pse kuota e papunësisë në Lindje vazhdon të jetë dukshëm me e larte se ajo në Gjermaninë Perëndimore dhe produktiviteti në fushën e ekonomisë nuk i është përafruar ende atij gjermano-perëndimor, gjithsesi në pjesën më të madhe ekzistojnë premisat për një rimëkëmbje ekonomike të mëtejshme, para së gjithash përmes krijimit të një infrastrukture moderne. Këtë e dëshmojnë qendrat e shumta industriale me teknologji nga më modernet. Progresi i arritur deri tani inkurajon, për t'u përballur me sfida të reja. Ashtu si atëherë edhe sot problemet vazhdojnë të jenë të mëdha, por jo në atë masë sa të mos mund të zgjidhen. I rëndësishëm mbetet fakti, që të gjithë gjermanët të jenë të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e një procesi të mëtejshëm shumëvjeçar ndërtimi dhe transformimi.
13 vjet pas ribashkimit, Uniteti Gjerman nuk është ende i plotë. Por në rrugën drejt këtij qëllimi Lindja dhe Perëndimi kanë bërë shumë përpara. Edhe pse përfundimi i ketij procesi do të zgjasë, pa dyshim, më shumë se sa mendohej mes ekzaltimit të "ndjenjave euforike të kthesës", gjithsesi: do të vazhdojnë të rriten së bashku pjesët e një të tëre.
Gjermania e bashkuar është sot një partnere aktive në Bashkimin Evropian. Me politikën e saj për sigurimin e paqes, për nxitjen e strukturave të demokracise dhe shtetit ligjor si dhe për mbështetjen e reformave ajo jep në mbarë botën një kontribut pozitiv. Gjermania është rrethuar sot prej fqinjësh, të cilët janë njëkohësisht miq. Kjo na bën ne gjermanët, në këtë 3 tetor, të ndihemi krenarë dhe të lumtur. Në Evropën Juglindore vendi im do të vazhdojë të kontribuojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit si dhe në mbështetjen e reformave të domosdoshme në fushën e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut, gjë që vlen edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë.
*Ambasadori gjerman, në Shqipëri
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.