Forumi Horizont | Gjithsej 150 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 150 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia Demokratike (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=213)
-- Petro Marko, iu rrëfej Himarën time (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2833)
Petro Marko, 60 vjet fshehur në arkivat e gazetave
Alma Mile
Ndërsa shfletonte ato faqe të zverdhura nga koha, një gulç lotësh i mblidhej në grykë. Bashkë me ato tregime që s’i kishte lexuar më parë, po zbulonte dhe një pjesë të jetës së babait të saj. Kishte dëgjuar shumë për jetën e tij, por kur shihte ato shkrime nëpër gazeta, gjithçka dukej më e gjallë. Ndihej e mahnitur. Kishte qenë 18 vjeç atëherë, jetim, pa një udhërrëfyes, megjithatë, ai kishte ditur të gjente rrugën e vet. Arianita Marko, e bija e shkrimtarit Petro Marko, është një nga përzgjedhëset e tregimeve që janë përfshirë në librin e sapobotuar nga “OMSCA 1”, “Tregime të zgjedhura”. Në këtë përmbledhje, e para e këtij lloji, janë përfshirë 48 tregime të Markos, prej fillimit të krijimtarisë së tij në vitin 1931, deri në 1991, kur jeta e shkrimtarit u shua. Sipas Arianita Markos, këto tregime janë mbledhur nëpër fletët e shtypit të shkruar, arkivuar pranë Bibliotekës Kombëtare, drejtuesit dhe punonjësit e së cilës, janë treguar shumë të gatshëm për të ofruar të gjithë ndihmën e mundshme. Mbi këto arkiva është punuar gjatë një periudhe kohore 2 -mujore. “Ishin aq shumë tregime saqë e kemi pasur me të vërtetë të vështirë për të zgjedhur mes tyre. Megjithatë arritëm të shkëpusnim një numër prej tyre, ato që janë koherente edhe për ditët e sotme. Bëhet fjalë për ato tregime të cilat trajtojnë probleme që i ndeshim edhe sot”, - thotë Arianita Marko. Dhe në të vërtetë në pjesën më të madhe të tregimeve që përfshihen në “Tregime të zgjedhura”, trajtohet tema e emigracionit, të cilën vazhdojmë ta përjetojmë edhe sot. Vajza e valëve, me flokë të zeza, shprishur nga era dhe sy të mbushur me lotë, vazhdon të presë më kot e ulur në breg të detit, burrin që t’i kthehet prej brigjeve përtej. Ashtu sikundër viteve ’30, kur Petroja ishte një djalë me kaçurrela, edhe sot, shumë vajza dhe gra presin me ankth burrat, vëllezërit, fëmijët, që të kthehen. Ndërkohë që një tjetër temë e trajtuar gjerësisht prej tij, është varfëria, përpjekjet për të mbijetuar, etj. Motivet e tregimeve ai i gjente në fshatin e lindjes, në njerëzit që e rrethonin, kripa dhe aroma e bregdetit të ashpër të Jonit, tek përditshmëria që ishte e njëjtë dhe për ata që jetonin në Shqipërinë e Mesme, apo në veri. Duke qenë se bëhej fjalë për një material mjaft të bollshëm, i cili nuk mund të përfshihej vetëm në një libër, e bija e shkrimtarit është e mendimit që të vijojë botimi i tregimeve, apo i publicistikës, në të tjera përmbledhje. “Kjo përmbledhje, është vetëm fillimi i komunikimit me lexuesin, pasi mendojmë që pjesën e mbetur ta përfshijmë në një tjetër botim”, - thotë Marko. Ndërkohë që drejtuesi i Shtëpisë Botuese “OMSCA 1”, Luan Pengili, shprehet mjaft optimist për veprën që sapo ka botuar. “Mund të them me bindje të plotë që prej të gjithë librave të botuar nga shtëpia jonë botuese, veprat e Petro Markos janë tërhequr prej lexuesve, më tepër se veprat e shkrimtarëve të mëdhenj të huaj. Ndërkohë që libri i sapobotuar mund të konsiderohet si një ndër më të mirët e shkrimtarit”, - thotë Pengili, i cili shton se shumë shpejt “OMSCA-1”, do të nxjerrë prej botimit një tjetër libër të Markos, romanin “Stina e armëve”. Përveç stafit që punoi për mbledhjen dhe përzgjedhjen e tregimeve, ndihmesë për botimin e këtij libri ka dhënë dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
Në faqet e shtypit
Për të nxjerrë në dritë “Tregime të zgjedhura”, për muaj me radhë, janë shfletuar qindra gazeta që ruheshin në arkivat e Bibliotekës Kombëtare. Ato datojnë prej vitit 1931, kur Petroja ishte vetëm 18 vjeç, për të kaluar më pas në shtypin e viteve ’60 dhe ’80. Ndër gazetat dhe revistat e shfletura, ku dhe janë marrë 48 tregimet e përmbledhjes, janë “Ora”, ku shkrimtari ka botuar tregimet e para, gjatë viteve ‘31-’32. Për të kaluar tek “Demokratia” në vitin 1933, “Besa”, revista “Java”, “Drita”, “Pionieri”, “Hosteni”, revista “Nëntori”, “Ylli”, “Në shërbim të popullit”, “Republika” në vitin 1991. Pjesa më e madhe e tregimeve janë qëmtuar nga gazeta kulturore “Drita”, gjatë viteve ’60 dhe ’80. Ndërkohë që brenda përmbledhjes “Tregime të zgjedhura”, përfshihen 18 tregime të shkurtra të cilat Petro Marko i ka botuar gjatë vitit 1945, në gazetën “Bashkimi”, në rubrikën “Një orë në Tiranë”. Gjatë periudhës së shfletimit të arkivës, u grumbullua një material mjaft i pasur nga krijimtaria letrare dhe publicistike e shkrimtarit, të cilin “grumbulluesit” e tyre, kanë vendosur ta botojnë në disa përmbledhje tregimesh.
Gjithsej 150 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 150 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.