Forumi Horizont Gjithsej 33 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 33 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- quo vadis qytetari e shqiperise? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=381)


Postuar nga Klodel datë 12 Shkurt 2003 - 11:59:

quo vadis qytetari e shqiperise?

me poshte po ju sjell nje shkrim qe e lexova sot ke shekulli. me ka prekur shume, me ka revoltuar dhe nuk kam shpjegim per fenomenet barbare qe shfaqen ne shoqerine tone. si ka mundesi qe brenda 12 vjetesh nje shoqeri te degradoje deri ne kete fare shkalle, a ka me vlera ajo shoqeri, cilat jane rrenjet mbi te cilat te qendrojme, a ka mbetur valle dicka per te cilen te jemi krenare ???


Duhet të vdiste një fëmijë që të kujtoheshim për Armirët?

Nga Adrian Thano

Një proverb latin thotë që perënditë u merrnin fillimisht mendjen atyre që donin të shkatërronin. Duhet korrigjuar ca: u marrin sytë dhe veshët.
Ndjenja jonë qytetare në agoni, nxori këto ditë në pah edhe njëherë në mënyrën më të qartë trashëgiminë e saj të vdekjes dhe llahtarit. Një foshnje vdiq. I kallkanosur. I pangrënë.
Përfytyrojeni atë njomëzak të zbehtë duke vëzhguar në heshtje tavanin-qiell të shtëpisë-gërmadhë, përpara se ngrica dhe uria t’ia kafshonin për vdekje zemrën e vogël.
Ajo kufomë fëmije që pamë në TV, me atë vështrim ngurrues e të palëvizshëm ku mungonte edhe drithma më e lehtë, me kurmin gjysëm të zbuluar nën një batanije rreckë, ajo kufomë pra është ndëshkimi ynë.
Përse qajmë nga dhimbja e zemërimi? Duhet të vdiste një fëmijë që të kujtoheshim për Armirët? Sa e shtrenjtë kjo “qytetaria” jonë. Ata kanë qenë përherë mes nesh, pjesë e jona. Skamjen dhe mizerjen e tyre e kemi shpërfillur. Kemi dëgjuar që ata nuk shkonin më në shkolla, dhe nuk vepronim, i kemi parë se si rrokullisen rreckash bash në qendër të Tiranës dhe kemi kthyer kokën në anën tjetër, kemi dëgjuar që shiten, përdhunohen, shfrytëzohen dhe kemi nënqeshur e harruar në çast, i kanë dërguar të punojnë këta skllevër të vegjël ende pa u blerë lodrën e parë dhe ne nuk i kemi ndalur.
Tani i shohim kufoma. Ndoshta do të mësohemi edhe me këtë…
U stërvitëm me të keqen, duke nxjerrë përditë e nga pak prej vetëdijes sonë pseudo-qytetare, subkoshiencën e xhelatit.
Sa Armirë të tjerë kemi proskave e shkëmbinjve të harruar veriut e jugut? Sa Armirë të tjerë janë rrotull nesh nëpër periferitë e qyteteve, që ndoshta i kanë shpëtuar izolimit, por jo mizerjes dhe pasigurisë?
Gjithë këto vite jemi treguar të paaftë për të reaguar në kohë.
Gjithë këto vite kemi pranuar të papranueshmen, kemi toleruar të patolerueshmen. Kemi rendur si të çmendur, për të shpëtuar veten, duke shkelur e shtypur të tjerët, duke pështyrë e braktisur të dobëtit. Shushunja të verbra. Të panginjur me pushtet, të panginjur me para. Kemi menduar vetëm si të lartojmë e të lartojmë pa fund muret e bahçes sonë të profitit personal, duke selitur qoshet tona të rehatshme, pa u përpjekur madje as të gjejmë alibi për indiferentizmin dhe pasivitetin ndaj dhimbjes së të tjerëve. Dhe ja ku mbërritëm vonë dhe keq në atë shtëpinë e vogël gërmadhë në Gjinaj të Hasit.
Lamtumirë Armir. Ndoshta emri yt do të na kujtojë se nuk kemi rrugë tjetër shpëtimi përveçse të bëhemi përditë e më njerëzorë. Të gjithë.


  Gjithsej 33 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 33 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.