Forumi Horizont Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Rruga artistike (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=250)
-- Artistët Shqiptarë... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=5123)


Postuar nga hirushja datë 13 Maj 2004 - 23:48:

Artistët Shqiptarë...

Krijmtaria artistike e Rudi Gogës.

Krijimtaria artistike e Rudi Gogës, e përzgjedhur dhe e segmentuar për këtë ekspozitë, sendërtohet me teknikën monotipi unikate, me ngjyra ose bardhë e zi, dhe me bakërshkrim-shtyp i thellë për reproduktim të kufizuar. Nga perspektiva pamore e tërësisë, si mozaik teknikash dhe motivesh, kjo ekspozitë, në plan të gjerë, lë përshtypje vizuale dhe ndjenjë të përgjithshme shpirtërore sikur të një “teleskopi të gjallë” të imagjinuar që vëzhgon një kosmos në miniaturë, të dalë nga një kaos paraprak me një gërshetim kontrastesh të ngjyrave, motiveve e konturave të padefinuara dhe enigmatike. Ky kosmos në miniaturë ngashnjen dhe josh kurreshtje dhe instinkt për një dioptri më të mprehtë, vesh të sërhollë për të “ndier” një jehonë më të qartë, ndjenjë shpirtërore për përjetim të përkohshëm, një kujtesë për amshim dhe filosofi jetësore për përsiatje. Si e tillë, kjo ekspozitë shikohet dhe konceptohet si një kompleks artistik-funksional, mikrokosmos i enkoduar nga një ngërthim shqisash me intuitë, shkathtësi dhe spontanitet të gjenit krijues në nënqiellin e një cepi të jehonës dhe kulturës mesdhetare.

Kodi si i konceptualizuar thua se hapëron drejt mesazheve, duke ngacmuar dhe nxitur ndjenjën e reagimit. Bebzat e syve të mi zgjerohen e bymehen maksimalisht për të gjetur më shumë dritë për ngjyra, më shumë hapësirë për shtrirjen e konturave xigluese, më shumë thellësi në përmasën e konceptualizmit me motive e detaje dramatizuese në kompozicion, herëherë edhe dimensionin e katërt si fiksim për përjetësi. Krahët e ndjenja e imagjinatës sikur më avullojnë shpirtin i cili braktis trupin për një çast, duke u ngritur deri në fijen e shtatë të qiellit, për të zbritur në tokë ngadalë e butë dhe për të dalluar si të vizualizuara “klithmat e heshtura” të shqetësimeve të trazuara të piktorit për fatin e njeriut që në embrion, për ofshamën e dhëmbjes dhe të mallit të fëmijës pranë varrit të nënës, lotët ngashërryes që “njomin” shtatoren e bekuar dhe dinjitetin e humbur të lypses e cila mbulon “turpin” dhe trupin me flokët e gjata që prekin deri te “strajca e mjerimit në duar”. Tematika dhe motivet e realizimeve artistike të Gogës përshkohen kryesisht me dimensionin mbizotërues të konceptualitetit artistik të siluetave “të ringjallura”, me trajtat e skeleteve të reinkarnuara me mish e shpirt, që nga Teuta e varrosur me ritualet e pajimet e denja të mbretëreshës drejt atyre tradicionale që palohen në shtresat e kohës dhe të dheut me motive të etapave të shpërbërjes së jetës fizike drejt hiçit rrëqethës e neveritës. Në këtë kompleks temash e motivesh përshkohet edhe konceptualizmi me përmasa erotike i relievuar si gjurmë në zall, si i skicuar në tre aktet e deliriumit të përkohshëm, në vrapin elegant e relaksues të jetës kalimtare të vdekatares pas shkarkimit të afshit të trupit dhe të shpirtit, si dhe në motivin energjisë së akumuluar emocionale dhe fizike mbi të cilën duket se peshon pjesërisht fuqia e shpërthimit të pazbutur fizik, me simbolin e kokës së demit me brirë.


  Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.