Forumi Horizont | Gjithsej 11 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të qeshim pak... (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=132)
-- 11 pridh (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8064)
11 Pridh
Inteligjent ? Nuk bëri dot asnjë shkollë të plotë, s'mori dot asnjë diplomë. Përveç gjuhës së gjarpërit, asnjë gjuhë tjetër nuk dinte. Ca që e kishin dëgjuar të mbllaçiste dy llafe fërngjisht, të nesërmen kishin zbazur zorrët me gjith' brëndinë e stomakut të një viti. I kulturuar, i edukuar, erudit ? Aq sa, ata që e njihnin dhe e dinin sa i tillë ishte, i vrau të gjithë. I ftilluar ? Sa ngatërronte babain me xhaxhain, kjo jo për faj të tij. I njohur në Botë ? Veç ca zhabave nga amerika latine apo nga Azia, atje kryetarë partish, këtu fshehur. Zhabat, "Miq të Partisë", kapardisur nëpër vila të bregdetit jonian, me komitet qëndror, me zyra, me anëtarë, me elektorat, me simpatizantë, me të gjitha - vetëm veten.
Kurrkush tjetër në Botë nuk e dinte se ekzistonte. Ose disa e dinin që ekzistonte, por vetëm si mi' që vegjetonte. Patriot ? Ohu, shumë, por për lumë. Nga krejt trualli shqiptar, patriot, atdhetar, atdhedashës, vetëm për dherin nën vehten, vetëm për katër pllaka dyshemeje ku vinte këmbët. Kosovën, kosovarët i kishte xhan. Për Kosovën gjysëm llafi s'e tha. Kosovarët e malluar për të që vinin më kët anë, i rrihte dhe i burgoste rregullisht. I kishte njëlloj të dashura të dyja majat e mprehta të shpatave të partive respektive; edhe Sigurimin e këtejshëm, edhe UDBA-n e përtejshme. Kosovën e bëri sikur të ishte në Papua. Më mirë, madje shumë më mirë, kosovarët e Titos e njihnin dhe e njohin Shqipërine, se sa shqiptarët shqipërinë. Për Maqedoninë perëndimore s'u kujtua kurrë. Ka ende sot shqiptarë të Shqipërisë që të thonë në mënyrë urdhërore se Struga ndodhet në Kosovë. Burrë ? As vet' s'e mori dot vesh kurrë nëse ishte grua apo burrë.
Burrë shteti ?! Lere mos e nga, goxha. Krejt vendin e mbushi me pellgje gjaku, moot haleje, bunkera frike. Administratën me shushunja, tutkunja, sorollopë, koveçë, saldatorë, karrocierë. Vllazëroi për mrekulli, shqiptarët latino-mediterranë, me sllavët e stepave të bizantinisë dhe kinezët e orizit të urisë. Trim ? Dhjetra vite fshehur si gjarpëri nënë gur. I besës ? I vrau të gjithë shokët pas shpine. Krejt historia e tij është me; Kujt ja futi, kujt ja qiti, kush e hëngri kush se hëngri, kujt ja hodhi kujt s'ja hodhi, kush mbeti, kush ngordhi. Familiar, edukator ? Ptu ! Lindur për të urryer e për tu urryer, në pafundësi e në përjetësi. Diabetiku diaboliku la pas ca kërcunj, ca palluqe si paidhaqe, që po na rrëfejnë historira familiare fort të edukuarish, me ca rraqe me gjiriza me ramiza. Gëzojuni o shqiptarë kësaj date të bekuar kur ngordhi një përbindësh i shëmtuar !
Të gjithë ! Edhe ata që kanë lindur para tre mijë vitesh, edhe Ju që jeni gjallë, edhe ata që do lindin pas një mijë vitesh.
Ti i lodhuri, i sëmuri, i plakuri i internimeve e burgjeve, Ti e Ti e Ti tjetri e shumë e shumë të tjerë që rrëke lotësh të nxehtë u a çanë faqet për dhjetra vite - Ju e dini vet' ç'bëni.
Gëzohu Ti o fshatar se një copë tokë e ke. Gëzohu edhe Ti malësor se një shtëpi e ngrite. Edhe Ti tjetri malësor që nuk e ke ngritur ende shtëpinë, gëzohu, se sigurisht do ta ngresh.
Falenderoje këtë datë edhe Ti nostalgjiku i pa kurueshëm. Në mos për tjetër, meqënëse gënjeshtra deshe, gënjeshtra kishe, gënjeshtra ke, ather nuk i dije, tani po i lexon më nge.
Faljuni kësaj date edhe Ju pensionista me pensionin e pleqërisë më të vogël se tensionin e Zemrës. Faljuni sepse gjallë jeni, do autobuza po i keni, kafe të lirë, duke u llafosur si të doni, po pini.
Lumnohu edhe Ti o komunisti i pa ndreqshëm. Një parti kishe, disa tani ke. E jo vetëm partira. Ke edhe të tjera arësyera.
Po hyn e po del "Jashtë Shtetit", po bën biznes, je pasuruar. Po sytë në ballë nuk i ke ?! Nuk sheh se më tepër se "Antarë Partie", grataçiela po ka ?! Nderoje këtë datë fatlume ti o zagar langua o lehëtar i thashethemeve të kafeneve, shpifjeve, shpikjeve të pseudonimeve. Me gjith' atë talent që ke, po të mos ishte kjo datë, sigurisht sigurimist, hetues a prokuror, hedhur më ndonjë zgëq do ishe. Tani je i dukshëm, deridiku edhe i famshëm. Ke ca kohë që hesht. Po të vjen era mish. Dije se kërrma do hash. Gëzohu Ti i urti që me shpirt ndër dhëmbë durove prite.Gëzohu edhe Ti budallai, se, siç duken bythët, edhe ministër mund të bëhesh.
Gëzohu o i sëmurë. Ka ilaçe plot. Edhe po s'pate para' t'i blesh, i gjen. Celefonoi atij skiles që të shurdhoi; "Ja ku isha". T'i jep ay. Ay që paturpësisht dhe katastrofikisht mburr veten e vet. Ose gjej ndonjë të ngjajshëm me të pacipin. Nga ata që bëjnë Art Leninian nga ay; "Arti i takon gjith' popullit" me ato këngët; "Të dy në një brigadë u njohëm". Jo këtu. Këtu nuk dinë ta çmojnë Artin. Shko ta gjesh në Shkup e Prishtinë ku paguhen më mirë. S'ngrihesh dot nga shtrati, s'ke celular ?! S'ka problem. Vjen i gjithgjindshmi katran të gjen. Ti mbi divan, ay mbi ekran. Gëzohu o Analist pa "ist". Gëk s'të linte të bëje. Tani, e di vetë ti, veç nxi e nxi e nxi. Shih mos të shpëton ndonjë që punon. Ti adoleshenti që më '90-ën s'kishe lindur; lexo mbi libra ! Rrënqethu duke mësuar si kafshonte një kuçedër. Mos harro kurrsesi ! Gëzohu që ngordhi, më s'është e më s'do vijë. Mos e humb shpresën emigrant ! Sado të këqinj të duken këta tani, s'munden me qen sa ai Lubi'.
Ngushëllohu o i papunë. Ezhdërhaja të rraste në burg me nenin; "Për papunësi". Ik piq tulla a qerpiça mbi ndonjë kodër. Po s'di a s'do, ngordh edhe ti, s'ka demokraci që të bën derman ty.
T'i marrsha t'ligat Ty o ndërtimtari "Pa arsimin përkatës". S'ke pun' me Lubinë. Gëzoje dhe shfrytëzoje Lirinë ! Kusur mos i lër. Vazhdo punën. Ndërto rrugë, grataçiela, ura. Harroje arsimin po t'them ! Ke talentin, ke energjinë. T'ishe n'at' koh' pa ta shihje vërrën e satëme sa do të vlente talenti dhe energjia. Meqë ra fjala, e di sa ?! Sa njq qeli burgu, ku, kush punonte, përfundonte. Hiç mos u habit. Dhe hiç mos i dëgjo të vjetrit akademikët sovjetikët sumllastikët. Ata janë horra që u ka mbetur ora. Merr të rinj, diva si lisa dhe divnesha si perëndesha.
11 Pridhi festë ? Jo - jo. E keni në zemrat tuaja. J'u djegshin eshtrat j'u djegshin Lugatit që erdhi nga Ferri. Merrini hidhuani qënve ato eshtra. Po nuk i hëngrën, flakini nën akujt e Polit të veriut a të jugut. Nëse edhe atje nuk dematerializohen, bartini mbi ndonjë anije kozmike t'i flaki jashtë Rrugës së Qumështit të Jetës, a hidhini brënda ndonjë Vrime të Zezë të Universit Ju gërrymtë shpirti ju gërrymtë ! Gëzohu o i uruar, ngushëllohu o i dëshpëruar, lubia lindi e ngordhi mes nesh, por i yni s'ish.
Edison Ypi
Gjithsej 11 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.