Forumi Horizont | Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 3 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Si do e hidhnin bustin e Stalinit në Shkodër (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9384)
Si do e hidhnin bustin e Stalinit në Shkodër
Dëshmia e panjohur e 64-vjeçarit Viktor Martini, lidhur me demostratën e zhvilluar në Shkodër në janar e 1990 për heqjen e monumentit të Stalinit dhe njerzit e Sigurimit që e torturuan
"Ja si na torturuan për bustin e Stalinit në Shkodër në '90"
Dashnor Kaloçi
Në krye të tavolinës qëndronte kryetari Naim Lezha. "Në emër të popullit je i arrestuar",- tha befas i panjohuri dhe shpejt nxorri nga xhepi hekurat e duke i shtrënguar më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë. Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur. Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu- i thashë. "Ta tregojmë ne arsyen", më tha ai dhe me një shkelm më goditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Nga brezi nxorri një shkop gome dhe para se të fillonte "fiskulturën" më tha: "Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose qumështin e nënës do të të nxjerr". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 64-vjeçari Viktor Martini nga qyteti i Shkodrës, i cili rrëfen çastet e para në Degën e Brendëshme të qytetit të Shkodrës në janarin e vitit 1990, kur atë e kishin arrestuar duke e akuzuar si një nga organizatorët kryesorë të një demostrate e cila pritej të zhvillohej ato ditë për heqjen e monumentit të Stalinit. Po kush është Viktor Martini, cila është e kaluara e familjes së tij dhe cilat ishin arsyet që Viktori me tre vëllezërit e tij vuajtën për vite të tëra në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës? Si u angazhua ai në janarin e vitit 1990 në demostratën e madhe për heqjen e bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës dhe si u torturua nga Sigurimi. Lidhur me këto e fakte të tjera, na njeh intervista e zotit Martini e dhënë ekskluzivisht për Neës24 dhe "Gazeta Shqiptare", para pak ditësh kur ai erdhi nga SHBA (ku jeton që prej 12 vjetësh) për një vizitë në Shqipëri, nga e cila kemi shkëputur pjesën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.
Zoti Viktor, lidhur me demostratën e zhvilluar në qytetin e Shkodrës në janarin e vitit 1990 për heqjen e bustit të Stalinit, lexuesit e "Gazeta Shqiptare", janë njohur nga një intervistë e gjatë e botuar në faqet e saj, nga zoti Gjergj Livadhi, miku dhe bashkëpunëtori juaj i ngushtë në atë demostratë. Nisur nga ky fakt, ne deshëm të dimë diçka rreth arrestimit tuaj dhe torturave që u kanë bërë në atë kohë. Por si fillim, mund të na thoni diçka shkurtimisht lidhur me angazhimin tuaj në atë demostratë?
"Nga ora 7 e darkës e datës 11 janarit 1990 lashë qendrën e pjacës dhe u nisa për në shtëpi. Te shkolla "Jordan Misja" takova Dedë Kasnecin, i cili ishte personi që megjithë shpirt dha kushtrimin për demonstratat. E kisha takuar disa ditë më parë dhe kishim biseduar rreth demonstratës. Deda më kishte shfaqur mendimin e hapjes nëpërmjet një fjalimi që duhej mbajtur atje kur të grumbullohej populli. Ne shpresonim te Dom Simon Jubani… Isha konsultuar gjithashtu me një shokun tim për t'i bërë thirrje gjithë Shkodrës, si dhe për mënyrën sesi do të udhëhiqnim ata shkodranë që nuk kursenin asgjë për lirinë në hedhjen poshtë të simbolit të diktaturës, bustit të Stalinit".
Gjatë atyre ditëve a survejoheshit nga Sigurimi?
"Deda kishte vënë re se na ndiqnin, kur 2-3 ditë përpara e kisha shoqëruar me motor për në shtëpi.- Dedë - i thashë unë,- nëse na arrestojnë ke për të thënë se kam qenë për të pirë një gotë vere te Viktori, se e bën të mirë. Ti je i njohur si merakli i verërave. Mos beso asgjë në adresën time pa u ballafaquar. Deda kishte shkuar në të gjitha lagjet, në Serreq, Gjuhadol e të tjera. Më shumë ishte një elektrizim spontan sesa një organizim. Dukej se në atë moment të gjithë i thërriste zëri i ndërgjegjes për të rrëzuar bustin e Stalinit. Kur e takova Dedën te shkolla "Jordan Misja" ishte pak i shqetësuar se e ndiqnin gjithkund.- Ishalla më mblidhen nja njëzet djelmosha të vendosur me vdekë e me ndihmën e Zotit, bustin e Stalinit do e bëjmë copë-copë, - më tha. - Dedë, për besën e Zotit nuk të lë vetëm në qofsha gjallë deri atëhere. E në qoftë se nuk vjen kush tjetër, fjalimin po e hapi vetë,- i thashë unë. Si në shumë shtëpi të tjera shkodrane, tema kryesore e asaj darke ishte e nesërmja. Kjo ishte dita e shumëpritur. Kishte ardhur koha që të hiqnim litarin nga fyti ynë dhe i gjithë popullit shqiptar e të thonim fjalën tonë kundër diktaturës e diktatorëve".
Si e kujtoni arrestimin tuaj?
"Ndërsa bisedoja me Dedën, Zilja e derës na ndërpreu muhabetin. Dola te porta e dallova një person të njohur, që punonte në Degën e Brendshme, i cili tha: "Viktor Martinin desha".- Unë jam, - u përgigja. "Kemi një pyetje për të bërë", më tha ai. U afrova tek dera. Në krah të tij qëndronte edhe një civil i shkurtër, i panjohur, me një xhaketë treçerekshe. Në errësirë, tiparet nuk dalloheshin. "Do të vish me ne deri në degë. Kemi disa pyetje për të të bërë", më tha ai. - Po vesh xhaketën, - u thashë unë- "Jo, - tha i panjohuri,- ti nuk duhet të kthehem mbrapa". Aty më kapën menjëherë prej krahësh dhe më çuan në fundin e rrugës ku priste mikrobuzi. Hymë brenda dhe u nisëm për nga dega. Zbritëm në oborrin me pisha që e njihja aq sa edhe oborrin e shtëpisë sime. Kur u ngjitëm në katin e dytë, i panjohuri trokiti në derë dhe hymë brenda".
Kush iu takoi nga titullarët e Degës dhe çfarë iu thanë për arrestimin?
"Në krye të tavolinës qëndronte kryetari Naim Lezha. "Në emër të popullit je i arrestuar",- tha befas i panjohuri dhe shpejt nxorri nga xhepi hekurat e duke i shtrënguar më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë. Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur. Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu- i thashë. "Ta tregojmë ne arsyen" më tha ai dhe me një shkelm më goiditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Nga brezi nxorri një shkop gome dhe para se të fillonte "fiskulturën" më tha: "Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose qumështin e nënës do të të nxjerr".Nuk po ju kuptoj se për çfarë e keni fjalën!- i thashë, duke u munduar të mbrohem. Nuk kisha mbaruar ende fjalën kur shkopi i gomës u përplas mbi kurrizin tim, që mbrohej vetëm nga një bluzë e hollë. Pastaj më ulën në një karrige me duar mbrapa. Filloi kështu rrahja pa pikë mëshire. Shkopi ngrihej e shkapetej papushim mbi shpatullat e gjoksit tim."Hë, do të tregosh apo jo?" - Çfarë të tregoj? Pas rreth ndonjë ore torture, trupi im kishte marrë ngjyrë mavi. Një tjetër i panjohur hyri brenda, u afrua dhe mbasi më çoi fanellën e kanotierën dallova ngjyrën mavi të trupit. "Paske vendosur të vdesësh si hero ëëë?" - qeshi me ironi dhe pastaj shtoi, "Vazhdo, vazhdo"… dhe doli përsëri nga dera. Me të doli edhe nënkryetari. Pas largimit të tyre, bisha edhe gjahu ishin vetëm".
A vazhduan t'ju torturonin?
"Përsëri shkopi i gomës filloi detyrën e vet. I panjohuri më detyroi të ngrihesha në këmbë duke më goditur pa mëshirë mbi vithe. Trupi filloi të më dridhej, por sa vinte dhe nuk i ndjeja më dhimbjet si në fillim. I lutesha Zotit të më jepte fuqi dhe ndjeja krenari që po e përballoja torturën. Oficerët e Degës filluan të vinin me rradhë për të bërë sehir, si të ishin spektatorët e Neronit, kur ky torturonte romakët kristianë. Në një moment kur sampisti katil më goditi me shkelma në protezën prej druri, iu drejtova:- Kjo këmbë ku godet nuk ndjen dhimbje, është prej druri. Sillu nga tjetra se Zoti ia ka dhënë fuqinë të përballojë dy racione…- Si? - pyeti ai i çuditur. Këmbë prej druri?- dhe shikoi shokët përreth. Pothuaj të gjithë ulën kokat".
Përveç torturave, a iu pyesnim në lidhje me demostratën që kishit vendosur të bënit?
"Po, që në fillim njëri prej tyre më tha: "Pse e merr veten në qafë, të gjithë shokët kanë treguar, veç ti jo".- Unë s'di gjë fare se për çfarë shokësh e keni fjalën dhe për ç'arsye po më torturoni kështu, u thashë. "Mos e merr veten në qafë. Trego më mirë"- ndërhyri një oficer shkodran, sampist. - Çfarë t'ju tregoj? Ju do ta kuptoni se jam krejt i pafajshëm dhe do të më lironi. Do t'ju vijë turp një ditë të më shikoni në sy" shtova unë përsëri. "Po mirë, pse e ke hipur Dedë Kasnecin në motor? Çfarë keni biseduar? Ku keni shkuar dhe çfarë keni përgatitur për nesër?, vazhduan të më pyesnin ata - E kam takuar në pjacë. Pothuaj pijshëm dhe m'u lut ta qerasja me verë shtëpie. Nuk m'u nda e kështu e mora në shtëpi. Piu pothuajse një shishe me verë dhe iku i dehur. Çfarë mund të bisedoja me një të dehur? Më thoni, ju lutem, mos ka thyer gjë, mos ka vra njeri?, pyesja unë dule luajtur rolin e naivit. "Ka përvojë,- tha njëri prej tyre, - Janë Martin, e kanë kokën shkëmb". Këto fjalë sikur e ndërzyen stampistin në drejtim të paaftësisë dhe filloi të më godiste pa mëshirë. Pastaj futi duart mbi supet e mi afër qafës dhe me thonj filloi të më shkulte mishin".
Kush është Viktor Martini
Viktor Martini u lind në vitin 1940 në qytetin e Korçës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga malësia e Hotit, pjesa e trojeve shqiptare që sot ndodhen nën juridiksionin e Malit të Zi. Babai i Viktorit, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak i Mbretërisë në disa rrethe të vëndit, si në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj, ku lindën dhe gjashtë fëmijët e tij: dy vajzat dhe katër djemtë, Paskualini, Angjelini, Viktori dhe Rudolfi. Me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, për familjen Martini do të fillonte një kalvar i gjatë vuajtjesh e mundimesh, me burgje, internime dhe punë të rënda. Kështu që në vitin 1946, babai i Viktorit, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg, për të vetmin faj, se kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut. Ai nuk doli më i gjallë, pasi vdiq në vitin 1954 gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Për t'i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist, vetëm pak kohë pas arrestimit dhe dënimit të tij, djali i madh i familjes, Paskualini, me motrën e vogël, u arrartisën nga Shqipëria dhe përfunduan në republikat e ish-Jugosllavisë. Pak kohë më vonë u arratis nga Shqipëria edhe djali i dytë, Angjelini, ndërsa dy djemtë e tjerë që mbetën në Shqipëri, Viktori me Rudolfin, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, përfunduan burgjeve si të dënuar politik. Po kështu në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës përfunduan edhe Paskuali me Angjelinin, që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Paskuali u kthye nga Sigurimi i Shtetit, pasi ishte kapur në telat e klonit me rrymë elektrike në kufirin çekosllovak, ndërsa Angjelini erdhi vetë për të shpëtuar nga pushkatimi vëllanë e tij. Ndërsa katër djemtë e familjes Martini, Paçi, Lini, Viktori dhe Leri (Rudolfi) dergjeshin burgjeve të regjimit komunist, në shtëpi kishte mbetur vetëm nëna e tyre, një grua heroike e cila punonte në punët më të rënda për të fituar ndonjë lek, e për t'ua çuar fëmijëve të saj që ishin shpërndarë në kampe e burgje. Pas daljes nga burgu i Burrelit ku vuajti për më shumë se shtatë vjet, Viktori dhe vëllezërit e tjerë që u liruan disa vjet pas tij, punuan në punët më të rënda të krahut, edhe pse Viktori ishte me një këmbë dhe Lini me një dorë. Në janarin e vitit 1990 kur në qytetin e Shkodrës u zhvillua demostrata masive për heqjen e monumentit të Stalinit, Viktor Martini mori pjesë aktive duke qenë një ndër organizatëorët kryesorë të saj. Nisur nga ai fakt, ai u arrestua dhe u torturua në mënyrën më barbare nga Sigurimi i Shtetit, duke përfunduar në spitalin e burgut të Tiranës dhe atë psiqiatrik të Elbasanit. Me fillimin e proceseve demokratike në fillimin e vitetev '90, Viktori u angazhua tërsisht duke qenë një nga themeluesit e Shoqatës Kombëtare të Përndjekurve Politikë për degën e Shkodrës dhe gjithashtu i gazetës "Pishtari". Në vitin 1994 Viktori u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku banon dhe aktualisht së bashku me familjen e tij dhe vëllezërit e tjerë.
Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 3 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.