Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 14 15 16 17 18 19 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Lushnja (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2268)
Vrapi: S'ka gjë që nuk arrihet
Mbrojtësi kryeqytetas i Lushnjës flet për ndeshjen e skuadrës së tij kundër Partizanit.
Në kampin lushnjar, prej ditësh, është lënë mënjanë humbja e pamerituar, sipas tyre, me Tiranën, sepse preokupimi i të gjithëve është përqendruar në takimin e nesërm, me të fortët kryeqytetas të Partizanit. Trajneri Agim Canaj dhe futbollistët e tij po stërviten maksimalisht për të bërë të mundur kalimin me sukses të kësaj sfide mjaft të vështirë, që do të luhet në fushën sportive të Peqinit. Shqetësime serioze për drejtuesit e "lagunarëve" janë dëmtimet e disa futbollistëve dhe skualifikimet e dy lojtarëve të tjerë për arsye kartonësh. Megjithatë, në prag të ballafaqimit me të kuqtë, në radhët e myzeqarëve mbizotëron optimizmi. Njëri prej tyre, i talentuari tiranas i formacionit lushnjar, Endri Vrapi, mezi e pret këtë sfidë. Kjo, pasi, sipas tij, dëshiron të japë të gjithë potencialin e tij tekniko-fizik për arritjen e një fitoreje të mundshme ndaj ekipit kryeqytetas. Për t'u evidentuar në këtë pikë është fakti që fantazisti i talentuar i mbrojtjes së "lagunarëve" është produkt i ekipeve zinxhirë të klubit të kuq, me të cilët ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses sonë U-19. Vrapi flet për humbjen dinjitoze dhe të pamerituar me Tiranën, të shtunën e kaluar. Siç thotë ai, ekipi i tij ka zhvilluar një lojë mjaft dinjitoze, në të cilën minimumi që duhej të merrte ishte barazimi. Duke shprehur edhe njëherë tjetër rezervat për gjykimin e asaj ndeshjeje, bjondi tiranas i Lushnjës shprehet: "Po të ishte gjykuar me paanshmëri ndeshja me bardheblutë, nuk do të dilnim pa pikë nga Tirana. Sidoqoftë, ajo që iku nuk kthehet më. I rëndësishëm për ne është fakti që kjo humbje e pamerituar na ka motivuar më shumë për t'iu përveshur punës dhe për të qenë sa më të karikuar për ndeshjen e radhës me Partizanin." Për t'ia arritur kësaj, stërvitja e skuadrës lushnjare po zhvillohet me ritëm të lartë dhe sedër të admirueshme nga të gjithë futbollistët, të cilët, nën drejtimin e trajnerit të palodhur Canaj, kanë aplikuar ushtrime dhe variante të larmishme loje me topin, që synonin goditjen e portës kundërshtare. "Të gjithë futbollistët kanë shfaqur një dëshirë të madhe për të dhënë më të mirën në përballjen me Partizanin, - vijon më tej mbrojtësi i majtë i Lushnjës, Vrapi. - Problem shqetësues për ne mbetet dëmtimi i Kadiut, Byzhytit dhe Bardhit. Gjithsesi, Kadiu dhe Bardhi mund të riaftësohen, ndërsa Gazheli dhe Mindevi do të na mungojnë për efekt kartonësh." Për sa i përket forcës së kundërshtarit, ish-partizanasi i talentuar gjykon: "Fakti që do të luajmë me ekipin e vendit të dytë, nuk duhet të na trembë. Nuk ka gjë që nuk arrihet. Partizani u mposht të shtunën e kaluar nga Vllaznia, skuadër të cilën e mposhtëm dy javë më parë. Kjo tregon se, po të luajmë me shpirt dhe me disiplinë taktike, nuk është aspak çudi që t'i marrim 3 pikë Partizanit."
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 14 15 16 17 18 19 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.