Forumi Horizont | Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 104 105 106 107 108 109 110 111 112 [113] 114 115 116 117 118 119 120 121 122 » ... E fundit » Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK Teuta (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=349)
Mancaku: Një herë Elbasanin, pastaj Dinamon
Sulmuesi i Teutës kërkon t'ua bëjë shërbimet sipas radhës dy ndeshjeve në vijim, në kampionat dhe kupë.
"Gara sa vjen e bëhet më e ngarkuar me ndeshje, prandaj llogaritë duhen bërë mirë. Nesër na duhet të përballemi me Elbasanin në kampionat, ndërsa të mërkurën që vjen na pret Dinamoja. Personalisht mendoj se duhet t'ia bëjmë njëherë shërbimet sfidës me portokallinjtë, për t'i hedhur sytë pastaj edhe nga blutë e kryeqytetit." Kështu është shprehur sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, në një intervistë për "Sportin shqiptar".
- Mancaku, ku e ka përqendruar më shumë vëmendjen Teuta, te Kupa e Shqipërisë apo te kampionati?
- Fillimisht po mendojmë për ndeshjen e nesërme në kampionat me Elbasanin, sepse ka tepër vlera për ne. Pra, vëmendja jonë është përqendruar tërësisht te kjo ndeshje edhe për faktin se duhet të rehabilitohemi pas humbjes së fundit me Dinamon.
- A ndiheni të rrezikuar përballë një kundërshtari të tillë, siç është Elbasani?
- Përderisa një ndeshje futbolli i mbart brenda të tri rezultatet, kuptohet që edhe rreziku është i pranishëm. Elbasani ka një ekip me futbollistë cilësorë dhe veçanërisht një sulm të mirë. Pra, kundërshtari i nesërm meriton me plot gojën një vlerësim të madh. Megjithatë, unë them se Teuta i ka mundësitë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje.
- Si i shpjegoni luhatjet e skuadrës suaj në fazën e tretë, ku ka marrë tri humbje dhe dy fitore?
- Futbolli kështu e ka. Gabuam në dy ndeshjet e para, por bindëm në ndeshjen me Partizanin dhe Lushnjën. Humbja me Dinamon na frenoi sërish, por unë jam i bindur se Teuta ka forca që ta rimarrë veten dhe të kapë një vend në zonën evropiane.
- Le të kthehemi paksa edhe te çerekfinalet e kupës, shorti i të cilave është hedhur tashmë. Përballë jush do të jetë Dinamoja, që do të thotë...?
- Mirë e ka quajtur shtypi këtë ballafaqim, një finale të parakohshme të kupës. Sikurse e dini, Dinamoja na e rrëmbeu këtë trofe sezonin që shkoi falë një goli. Pra, duhet konsideruar kundërshtar tepër i fortë. Megjithatë, Dinamoja nuk mund të jetë gjithmonë "macja e zezë" për Teutën.
- A e keni dëshiruar një përballje tjetër kaq të shpejtë me Dinamon, pas asaj humbjeje 3-1 në "Selman Stërmasi"?
- Natyrisht që jo, sepse mund të na binin kundërshtarë më të lehtë. Megjithatë, nuk i druhemi aspak Dinamos, edhe pse na ka mundur dy herë në këtë sezon. Me këtë dua të them se ajo nuk është "mace e zezë" për Teutën. Në kupë do të jetë radha jonë për të fituar.
- Së fundi, sa e rëndësishme është Kupa e Shqipërisë për Teutën?
- Shumë e rëndësishme, për faktin se kemi që në fillim të sezonit që pretendojmë për një trofe. Nisur nga mënyra sesi kanë rrjedhur ngjarjet në kampionat, kupa është mundësia më e madhe për ta arritur këtë.
Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 104 105 106 107 108 109 110 111 112 [113] 114 115 116 117 118 119 120 121 122 » ... E fundit » Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.