Forumi Horizont Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Shenjat e "lindjes" te nje Diktatori (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17956)


Postuar nga Vizioner datë 10 Shtator 2010 - 12:56:

Nderimi i Zogut, historianët kundër Berishës

Historianet Pëllumb Xhufi, Sabri Godo dhe Paskal Milo reagojne pas deklarates se kreut te qeverise Sali Berisha per ridimensionin e figures se Zogut, po te cilen Pavaresia e Shqiperise do te ishte thjesht nje akt iluziv.



Xhufi: Jo vetëm Berisha, edhe Zogu e kishte nje Bollano mik

Zoti Xhufi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi gjatë punimeve të mbledhjes së qeverisë "ishte mbreti Zogu I, mbreti i parë i shqiptarëve, ai që bëri që pavarësia të realizojë qëllimin e saj, shtetin e ri të pavarur të Shqipërisë. Theksova këtë moment se pa mbretërinë, mbase, pavarësia do të kishte qenë një akt iluziv, i paqëndrueshëm". Në këtë mënyrë, ai kërkoi ridimensionimin e figurës së Zogut I. Si e vlerësoni ju këtë deklaratë?

Nga këto deklarata të kryeministrit, unë kuptoj se ai ka hyrë në një fazë të re të pasionit të tij politik, që është ajo e monarkisë. Në fakt, nëse është e vërtetë që periudha e viteve 1924-1939 është periudhë e konsolidimit të shtetit shqiptar, ku ka rol të padiskutueshëm edhe Ahmet Zogu, kjo nuk do të thotë që po të mos ishte shpallur mbret, pavarësia dhe konsolidimi i shtetit shqiptar do të kishin qenë të pamundur.

Edhe si President, Zogu kishte sigurisht sjellje prej monarku, sundimi i tij karakterizohej nga autoritarizmi, shpërfillja e institucioneve, goditja e kundërshtarëve politikë. Duke u bërë mbret, në vitin 1928, Zogu, pikë së pari, kënaqi ambiciet e tij personale, krijoi kushte për të qenë sundimtari i përjetshëm i vendit, mundësoi krijimin e pasurive e të përfitimeve përrallore për veten dhe familjen e tij.

Sa për imazhin dhe autoritetin e tij brenda dhe jashtë vendit, titulli mbret nuk i dha atij ndonjë kredit më shumë. Një pjesë e shqiptarëve vazhduan ta urrejnë atë edhe pasi u bë mbret, madje tentuan edhe t'i marrin jetën me atentate brenda e jashtë Shqipërisë.

Sa për të huajt, këta nuk është se e pritën si "lajmin e ditës" shpalljen e Ahmet Zogut si mbret të Shqipërisë. Siç dihet, Qemal Ataturku u neverit nga një akt i tillë, ndërsa në kancelaritë perëndimore shumëkush e quante Zogun "mbret operetash". Kjo për sa i përket aspektit formal të çështjes. Sa i përket përmbajtjes së qeverisjes në vitet 1924-1939, padyshim në ato vite u ngjiz vërtet ideja e shtetit shqiptar, u krijuan një sërë të mirash kombëtare për t'u pasur zili edhe sot e gjithë ditën, si për shembull, një administratë profesionale, e motivuar dhe e përkushtuar ndaj shtetit e ndaj interesave të tij. U hodhën bazat e shkollës e të arsimit kombëtar, u krijua një sistem juridik modern, pavarësisht se ligji nuk zbatohej gjithnjë e për të gjithë, u bënë përpjekje për të kapërcyer ndarjet krahinore, pavarësisht se Zogu vinte nga një traditë politike partikulariste. Duke thënë këto, nuk duhet harruar që bartësit e vërtetë të gjithë këtyre reformave, që e ngjizën shtetin shqiptar si të tillë, ishin ata mijëra intelektualë shqiptarë, atdhetarë të sprovuar në betejat për liri e pavarësi, të cilët formuan shtyllën kurrizore të institucioneve të shtetit shqiptar.

Do të ishte gabim që të mendohej se ata përfaqësonin një arsenal njerëzor të Ahmet Zogut. Madje, shumë prej tyre u konfliktuan ashpër me mbretin për probleme madhore të drejtësisë, të integritetit e të interesave kombëtare. Po mjaftohem të kujtoj vetëm njërin prej tyre, Mit'hat Frashërin, i cili që në vitin 1925 i lëshoi Zogut aktin e dorëheqjes si Ministër fuqiplotë në Athinë, porsa që kryeministri i ardhur me anën e bajonetave jugosllave, i fali si shpërblim Jugosllavisë, Shën Naumin.


Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se e vërteta historike është se ai erdhi në pushtet me zgjedhje, erdhi me zgjedhje për të shpëtuar vendin e tij, por Ballkani i mbretërive nuk mund të toleronte regjime demokratike të zgjedhura. Cila është e vërteta e ardhjes në pushtet të mbretit Zog I?

Më vjen të them që Zogu kishte me zgjedhjet e lira e demokratike të njëjtin raport që ka me to edhe z. Berisha. Por, ndërkohë, ka kaluar një shekull...

Jo, Zogu asnjëherë nuk ka ardhur me zgjedhje të lira në pushtet.

Në dhjetor të vitit 1922, ai solli në pushtet një qeveri kukull të Xhafer Ypit, pasi kishte rrëzuar me forcën e armëve qeverinë e Hasan Prishtinës, të mbështetur nga një radhë e tërë patriotësh, si Aqif pashë Elbasani, Bajram Curri, Monsinjor Bumçi etj. Në dhjetor 1924, erdhi në pushtet me mbështetjen e jugosllavëve e të grekëve, të cilët i shpërbleu duke cenuar sovranitetin e integritetin territorial të vendit. Fola më lart për çështjen e Shën Naumit, por mund të shtoj edhe lëshimet që Zogu i bëri Athinës për çështjen e Himarës. Jo vetëm z. Berisha ka sot një mik në Himarë, që quhet Bollano, edhe Zogu e kishte një të tillë, që quhej gjithashtu Bollano! Por duhet pranuar, që në një moment të caktuar, pasi u çlirua nga obligimet ndaj Beogradit e Athinës për ndihmën që i dhanë për të ardhur në pushtet, Zogu diti t'i largohej politikës së lëshimeve të paprincipta ndaj fqinjëve. Me sa duket, kishte rezistuar e nuk kishte hapur biznese të përbashkëta me ta.


Gjithashtu, kryeministri deklaroi se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri që, pavarësisht nga problematika e oborreve, të cilat kanë qenë të përjetshme, konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar. A mendoni ju se ishte mbretëria ajo që konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar?

E thashë pak më parë, shpallja e mbretërisë nuk ishte një deus ex machina, nuk ishte lëvizja gjeniale që solli konsolidimin e shtetit shqiptar. Zogu do të kishte bërë të njëjtat gjëra edhe si President. Në kohën e vet, askush nuk e mori seriozisht këtë kalim të Shqipërisë nga Republika në monarki. Konsolidimi i shtetit shqiptar ishte një frymë e epokës, ishte një thirrje që vinte nga betejat e Rilindjes Kombëtare, të Lidhjes së Prizrenit e të luftërave për pavarësi.

Zogu, edhe pse nuk ishte një rilindës, edhe pse nuk ishte një atdhetar demokrat, siç ishin shumica e kundërshtarëve të tij politikë, mori diçka nga mesazhi i historisë së popullit shqiptar. Në fund të fundit, braktisi një pjesë të mirë të së shkuarës së tij si feudal turkoshak e si bajraktar krahine, dhe zgjodhi ta bëjë Shqipërinë pikërisht me ata njerëz që koha i kishte vënë në krye të betejave historike.

Sigurisht, Zogu nuk arriti të bëhej një sovran i ndriçuar, ai mbeti pre e kulturës dhe e veseve të klasës së vet. Në fund të fundit, njerëz injorantë, të dhunshëm, intrigantë e të korruptuar deri në palcë, si Lalë Krosi, përbënin entourage-in e tij të besuar.


  Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.