Forumi Horizont Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Vllaznia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1935)


Postuar nga qershor13 datë 10 Shtator 2003 - 21:00:

Portieri shkodran premton kthesë të shpejtë të skuadrës kuqeblu, ndoshta që të shtunën ndaj bluve
Grima: Vllazninë nuk e tremb Dinamoja

"Kthesa e Vllaznisë do të vijë shumë shpejt, nuk është çudi që kjo të ndodhë këtë javë ndaj Dinamos." Kjo është deklarata e bërë dje nga njëri prej pikave më të forta të këtij ekipi, portieri me përvojë Armir Grima. Entuziast nga puna që po bëhet gjatë këtyre ditëve, numri 1 i skuadrës shkodrane ka shumë besim se këtë të shtunë gjërat do të jenë më ndryshe, në krahasim me dy javët e para të kampionatit. "Ajo që mund të them është se po punojmë me mjaft seriozitet, secili po kërkon të ndiejë përgjegjësinë që i takon, e në këtë mënyrë shpresojmë që kthesa e shumëpritur të ndodhë që këtë javë," ka thënë ruajtësi i portës shkodrane. Shorti nuk ka qenë i favorshëm për kuqeblutë, të cilët pas dy humbjeve në dy javët e para të kampionatit, në të tretën do t'u duhet të ndeshen me një nga ekipet më të mira të këtij sezoni, Dinamon. Atë Dinamo, për të cilën presidenti Delijorgji ka shpenzuar shumë në merkaton e verës. Megjithatë, Grima, në fjalët e tij, thotë se Vllaznia nuk u trembet bluve: "Të them të drejtën, Dinamoja nuk na tremb. Ajo vërtet ka kryer një merkato cilësore, por besoj se ne do të arrijmë t'i bëjmë ballë siç duhet këtij ekipi. Ne e respektojmë Dinamon, por mendoj se nuk jemi më poshtë se ajo."
Këtë optimizëm, portieri 29-vjeçar i skuadrës shkodrane e bazon te puna që po bëhet, por edhe te emri dhe tradita që Vllaznia ka në futbollin shqiptar. "Jam entuziast, sepse fanella kuqeblu peshon shumë dhe dashje pa dashje të motivon për ta nderuar. Kushdo që e vesh atë, e di përgjegjësinë që mbart me vete, sepse ajo nuk ka dallim, nëse je lojtar i ri apo i vjetër," është shprehur Grima. Nga ana tjetër, portieri shkodran vlerëson punën që po bën trajneri i sapoardhur Haxhiosmanoviç, jo vetëm në aspektin e përgatitjes fizike, por edhe në marrëdhëniet e mira që ka krijuar me lojtarët. "Unë për vete e vlerësoj shumë punën që po bën trajneri Haxhiosmanoviç. Ai ka kthyer besimin në skuadër, i sheh gjërat ashtu siç janë, duke qëndruar me këmbë në tokë dhe me sy realist," e ka mbyllur fjalët e tij një nga lojtarët më me përvojë te Vllaznia.
Grima nuk harron të thotë se detyrën e tij, atë të ruajtjes së portës kuqeblu, do të vazhdojë ta kryejë me dëshirë, duke i siguruar të gjithë dashamirësit e Vllaznisë se porta nuk do të jetë problem për skuadrën. "Vërtet në këto ndeshjet e fundit mund të kemi pësuar shumë gola si pasojë e gjendjes jo të mirë që kaloi skuadra, por dua t'i siguroj të gjithë se portën shkodrane e kam garantuar deri tani dhe e garantoj edhe në të ardhmen. Ajo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë problemi i Vllaznisë."

--------------------------//////////----------------------------


Paulin Ndoja rikthehet te kuqeblutë
Që nga dita e djeshme, në stafin drejtues të Vllaznisë është rikthyer një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran, pikërisht Paulin Ndoja. Ai do të mbajë detyrën e përgatitësit të portierëve te Vllaznia, duke zëvendësuar Avenir Danin e larguar. Ky i fundit kishte ditë që nuk paraqitej në stërvitje si pasojë e disa kërkesave për shpërblimin financiar të punës që kryente. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk e kanë marrë mundimin të ulen e të bisedojnë me Danin, duke gjetur menjëherë zëvendësuesin e tij. Ai është një emër mjaft i njohur i futbollit shkodran, që ka punuar edhe më parë në një detyrë të tillë, madje për vite me radhë te skuadra e tij e zemrës. Vitet e fundit, Ndoja e ka kryer këtë detyrë edhe te Besëlidhja, ndërkohë që kohët e fundit kishte filluar punë në klubin e futbollit "Vllaznia" me një detyrë tjetër. Ndërkohë, që dje, Ndoja ka filluar menjëherë nga puna, duke qenë i pranishëm në stërvitjen e pasdrekës. Rikthimi i Paulin Ndojës "në shtëpinë e tij" ka plotësuar edhe stafin e kuqebluve, që kryesohet nga malazezi Haxhiosmanoviç.


  Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.