Forumi Horizont Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Lushnja (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2268)


Postuar nga qershor13 datë 15 Janar 2004 - 14:10:

Sulmuesi gjirokastrit i Lushnjës vlerëson lojën e skuadrës së tij, pas ardhjes së Canajt.
Nora: Lushnja, tani e harmonizuar

Fantazisti gjirokastrit i Lushnjës, Arlind Nora, krahas dhuntisë dhe aftësive teknike, thotë se në këtë minifazë përgatitore të dimrit ka kapur një formë të shkëlqyer fizike. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Nora do të komentonte shumë gjëra që kanë lidhje me skuadrën ku luan edhe vetë:
- Nora, jeni kthyer në idhull të tifozerisë lushnjare, edhe pse jeni nga Gjirokastra. Ç'përbën për ju ky fakt?
- Është shumë domethënës. Madje do ta konsideroja një arritje. Për çdo futbollist, të fitosh zemrat e tifozerisë ku luan do të thotë sukses. Në dy vitet e aktivizimit me fanellën e Lushnjës jam munduar të luaj me shpirt dhe pa kompromis, prandaj them se u kam hyrë në zemër edhe tifozëve. Jam ndier i befasuar vërtet kur ndonjë tifoz fanatik i Lushnjës më ka krahasuar me "Batigolin" e larguar lushnjar, Artan Bano. Gjithsesi, unë nuk e pranoj këtë krahasim, pasi nuk kam bërë as sa gjysma e Banos për Lushnjën. Karriera ime sportive është e shkurtër. Jam ende i ri dhe vetëm pas 6 - 7 vitesh mund t'i pranoj këto krahasime.
- Si ndihet skuadra juaj në prag të rifillimit të kampionatit?
- Mjaft mirë. Gëzojmë një formë të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Fitorja e miqësores me Dinamon ka krijuar një psikologji të shëndoshë te të gjithë futbollistët. Kjo duket qartë edhe në motivimin e të gjithëve në seancat stërvitore.
- A ndiheni të sigurt për qëndrimin në Grupin A1, ndonëse kanë mbetur për t'u luajtur edhe 2 faza të tjera kampionat?
- Unë mendoj se nuk mund të flitet me siguri në këtë drejtim, të paktën nëse u referohemi llogarive matematike. Lushnja, krahas luftës për t'u ngjitur më lart në tabelën e renditjes, duhet të bëjë kujdes për të mos iu afruar fundit. Çfarëdolloj neglizhence apo hapi i gabuar mund të sjellë rrëshqitjen në grupin e skuadrave që kërkojnë të mbijetojnë në Grupin A1.
- Po për sa i përket nevojës për përforcime apo konkurrencës në skuadër, çfarë mund të na thoni?
- Afrimi i Mukës dhe i Iljazit do të ndikojë për mirë në organizimin e lojës sonë në mesfushë. Kjo është njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër, ardhjet e Mukës, Iljazit, Likës dhe Xhemës do ta rrisin së tepërmi konkurrencën për një vend në formacionin bazë. Kështu, në repartin e mbrojtjes, krahas Malkos, Vrapit dhe Bikës do të luftojnë për një vend titullari edhe të rinjtë Nikolli, Dhima apo edhe ndonjë tjetër. Edhe në repartin e mesfushës, i cili është më i ngarkuari me futbollistë, do të ketë konkurrencë të madhe. Unë mendoj se trajneri Canaj do ta ketë më të vështirë për të bërë përzgjedhjen e elementëve të duhur në këtë repart, sepse duhet të vendosë mes Mukës, Bardhit, Iljazit, Gazhelit, Hasallës, Çelës, Kadiut dhe Gegës.
- Po në repartin e sulmit, ku luani edhe ju, si paraqitet situata?
- Mos ma merrni për modesti, por mendoj se edhe në sulm nuk do të ishte keq për të bërë ndonjë përforcim.
- Disa rivalë tuaj për mbijetesë në Grupin A1 janë forcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit. A i druheni këtij fakti?
- Jo, ky fakt nuk më shqetëson aspak. Fjala vjen, nëse Vllaznia apo Besa mund të kenë afruar në radhët e tyre lojtarë cilësorë, kjo është punë e tyre. Neve na mjafton fakti që kemi krijuar një grup cilësor lojtarësh dhe që e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Ky grup, të cilin trajneri Canaj e ka "çimentuar" më së miri, do të mund t'i arrijë objektivat e klubit lushnjar.


  Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit »
Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.