Forumi Horizont Gjithsej 61 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- S.K Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1942)


Postuar nga qershor13 datë 12 Shtator 2003 - 17:15:

Njëshi i stolit bardheblu kërkon përqendrim maksimal dhe marrjen e tri pikëve ndaj kavajasve
Mema: Nuk ka sfidë mes meje dhe Sejdinit

Java e tretë e kampionatit nis me takimin Tirana-Besa, që do të luhet sot, në orën 16:30, në stadiumin "Selman Stërmasi". Kampionët e drejtuar nga trajneri Sulejman Mema vijnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve jashtë fushe dhe një jave pushim. Tekniku bardheblu është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide dhe u kërkon lojtarëve të tij vlerësim maksimal për kundërshtarin. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", Mema shprehet: "Skuadra e Besës nuk duhet nënvleftësuar në asnjë mënyrë, si për traditën që ka në futbollin shqiptar, por edhe për rivalitetin që i ka bërë Tiranës sidomos viteve të fundit. Nëse kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje në fushën tonë, duhet me çdo kusht që futbollistët të japin maksimumin në fushë. Jemi të ndërgjegjshëm se, nëse kërkojmë të shpallemi kampionë, nuk duhet të lëmë asnjë pikë brenda." Në dy javët e para të kampionatit, kavajasit kanë koleksionuar një humbje dhe një barazim. Për vetën situatën që ndodhen në tabelën e klasifikimit, verdhezinjtë do të përpiqen të dalin me një rezultat pozitive ndaj kampionëve. Prania në krye të Besës dhe e trajnerit të ri, Faruk Sejdini, ua shton ambiciet atyre. Gjithsesi, 20 herë kampionët janë më se të gatshëm që të mos lëshojnë pe, pavarësisht synimeve të kundërshtarit. Tekniku Sulejman Mema kërkon nga djemtë që të shënohet një gol sa më shpejt të jetë e mundur, për ta pasur më tej nën kontroll rezultatin. "Ardhja në krye të Besës e trajnerit Sejdini mund të sjellë një frymë optimiste në radhët e kavajasve, duke qenë se çdo lojtar që do të luajë si titullar do të përpiqet të japë shumë nga vetja në fushë. Ata ndoshta mund të jenë të kënaqur edhe me një barazim ndaj nesh dhe ka shumë gjasa të mbyllen në mbrojtje. Ajo çka duhet të bëjmë është ta gjejmë rrugën e golit sa më shpejt të jetë e mundur, për ta pasur më pas takimin nën kontroll,"- thotë njëshi i stolit bardheblu. I pyetur nëse, përveç një ndeshje futbolli, përbën një sfidë teknikësh takimi i sotëm me Besën, Mema është përgjigjur: "Jo, nuk ka arsye pse të jetë e tillë për mua. Vlerat e trajnerit Sejdini njihen nga të gjithë dhe, normalisht, ai do të përpiqet që në radhë të parë t'i shërbejë skuadrës, ashtu siç do të bëj edhe unë." Për sa i takon formacionit, Sulejman Mema bën të ditur se do të ketë ndryshime, duke qenë se Devi Muka dhe Rezart Dabulla vijnë nga dy ndeshjet me kombëtaren, ndërsa kapiteni Dede është i dëmtuar. Rikthim entuziast mund të quhet vetëm ai i mesfushorit Ervin Bulku, i cili ndoshta sot mund të marrë një rol të ri. "Besoj se formacioni i parë që do të luajë ndaj kavajasve do të ketë disa ndryshime. Na është dëmtuar Dede, ndërkohë që i riaftësuar është Ervin Bulku, i cili mund të luajë që nga fillimi. Për sulmin jam në mëdyshje, duke qenë se kam në dispozicion katër sulmues për dy vende. Xhafa dhe Merkoçi i kanë lënë pas shqetësimet dhe në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara dhe në seancat stërvitore kanë qenë në formë." Sa do të ndikojë dëmtimi i Dedes? "Nevili është lojtar dhe kapiten i pazëvendësueshëm në skuadër dhe normalisht do të na mungojë. Megjithatë, unë kam besim se me vullnetin që ai ka, do të rikthehet shumë shpejt në gjirin tonë. Ndërsa zëvendësues i tij besoj se do të jetë një lojtar brenda ekipit,"- i ka dhënë fund fjalës së tij trajneri i Tiranës, Sulejman Mema.


  Gjithsej 61 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.