Forumi Horizont Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK. Partizani (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2264)


Postuar nga qershor13 datë 02 Tetor 2003 - 17:38:

Trajneri i të kuqve thekson se të shtunën Partizani është me tepër i interesuar për fitoren
Spahiu: Duhet ta ndalim Tiranën


Të shtunën, në orën 15.00, do të luhen takimet e javës së gjashtë të Kampionatit të 65-të Kombëtar të Futbollit, ku midis të tjerash çifti Partizani-Tirana pritet të dhurojë emocionet e sfidës më interesante të sezonit. Të kuqtë, ndonëse nuk kanë humbur asnjë ndeshje deri tani, kanë marrë vetëm dy pikë në dy ndeshjet e luajtura jashtë fushës së tyre, ndërkohë që Tirana, nga ana e saj, njeh vetëm fitore, duke kryesuar kampionatin me pikë të plota. E shkëputur katër pikë nga vendi i dytë, kampionia në fuqi edhe këtë javë do të kërkojë të ruajë epërsinë e krijuar në javët e para, ndërkohë që ekipi i Spahiut ka filluar punën për t'i ndalur më në fund bardheblutë e Memës, të pamposhur ende në pesë javët e para.
"Ekipi, momentalisht, po i nënshtrohet përgatitjes së lartë fizike, por edhe taktike, për të përballuar me sukses ndeshjen e së shtunës, ku përballë do të kemi ekipin kryesor, me të cilin rivalizojmë për titullin kampion. Gjatë ditëve të para, skuadra ka ecur mirë në stërvitje. Deri tani nuk ka të dëmtuar apo të skualifikuar. Në mbrojtje, të shtunën kthehet Brashini dhe Ndreka, ndërsa Rosha pritet të jetë i gatshëm në mesfushë, pas dëmtimit të javës së shkuar. Pra, në plan të parë, ekipi përgjithësisht nuk paraqet probleme, por, siç e theksova, ne po punojmë për të zhdukur të metat e shfaqura ditët e fundit, sidomos në ndeshjen e Elbasanit. Jo vetëm egoizmi i disa prej titullarëve, por ka edhe gjëra të tjera që duhet të korrigjohen për të mos e penguar ekipin tonë që të arrijë të shtunën synimin kundër Tiranës," - thekson trajneri i të kuqve.
Këtë të shtunë, Partizani do të kërkojë medoemos tripikëshin për t'i qëndruar afër Tiranës së kreut. Trajneri i Partizanit, Ilir Spahiu, mendon se një rezultat tjetër do të thoshte më tej një kampionat me shkallë bosh nëpër stadiume. "Këtë herë duhet të fitojmë për tifozët. Kam besim se do të na mbështesin. Natyrisht, ata kërkojnë pikët maksimale kundër Tiranës, për të shpresuar më pas te titulli. Ne do të kërkojmë patjetër maksimumin, sepse fitorja na duhet më shumë sesa Tiranës kryesuese," - thekson Spahiu, që vazhdon më tej duke argumentuar idenë e tij se jo vetëm Partizani, por edhe vetë Tirana duhet të jetë e interesuar për fitoren tonë. "Nëse të shtunën Partizani nuk fiton ndaj Tiranës, ndoshta tifozët do të largohen dhe nuk do të na ndjekin në ndeshjet e tjera. Por ajo që është më e keqja, mendoj se edhe vetë tifozët e Tiranës, duke e parë skuadrën e tyre të shkëputur nga të tjerat, nuk do të kenë interes t'i shohin ndeshjet më tej. Kështu që i takon Partizanit të luajë për të fituar, me qëllim që kampionati, në javët e tjera, të ketë interes më të madh." I pyetur në fund nëse do t'i thotë fund ëndrrës së titullit Partizani nëse mundet të shtunën nga Tirana, trajneri Spahiu përgjigjet: "Titulli kurrsesi nuk mund të diskutohet në fazën e parë. Ne jemi ndeshur deri tani me disa ekipe, me të cilat Tirana akoma nuk ka luajtur, kështu që një gjë e tillë do të vërtetohet vetëm në fund të fazës së parë. Nëse Tirana i fiton ndeshjet e radhës me ato ekipe që Partizani nuk i ka mundur nga ana e vet, atëherë në fund të fazës së parë do të rezultojë se është ekipi më i fortë dhe pretendenti kryesor për titull, pa marrë parasysh ndeshjen direkte. Në të kundërt, jemi ne," - e mbyll komentin e tij për "Sportin shqiptar" trajneri i Partizanit, Ilir Spahiu.


  Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.