Forumi Horizont Gjithsej 15 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 »
Trego 15 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Puna (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12428)


Postuar nga robert datë 28 Dhjetor 2014 - 16:39:

Unë dëgjoja si i ngrirë dhe nuk dija ç’të thoja. Tashmë ai i kishte lëshuar frenat e dorës dhe vazhdonte: -Unë kam këtu relacionin mbi këtë ndërmarrje, ku rezulton se ka punëtorë tepër dhe do të bëhen shkurtime. Ja, keni për ta parë kur të ndodhin shkurtime! -përsëriti ai, duke tundur edhe duart në ajër, si të më nxiste ta besoja medeomos, dhe vazhdoi. -Ah, nëqoftëse ndërmarrja Gënjeshtra ka patur nevojë për ndonjë specialist..., -këtu ai bëri një pauzë të shkurtër, -atëhere ekzistojnë edhe institucione të tjera shtetërore që kanë të drejtën të lëshojnë letrën e punës, ndonëse ne jemi kundër kësaj praktike. Por ju pyeteni vetë njëherë atë shokun tuaj!
Për herë të fundit thitha fort cigaren, si për ti treguar se u ngopa mjaft me shpjegimet e tij. Duke shtypur me nervozizem fundin e saj në tavull, lashë të më dilte një psherëtimë e gjatë, më e gjatë se tymi i bikarbonizuar i mushkrive, që po e shoqëronte. Burri i zyrës, si për të ma shtuar dhe më sikletin e njeriut pa fat, vazhdoi:
-Pardje, ndërmarrja e Seksit më kërkonte një punëtore. Dje ia dhashë fletën një vajze që priste, ja kështu si ty, ...por donin vajzë dhe jo djalë! Më kupton?!...
Tashmë unë rrija me kokën e mbështetur në pëllëmbën e dorës, vërtet si një i pafat. Fjalët e tij më përplaseshin në vesh si të goditura çekani.
-Ndërmarrja Mashtrimi kërkonte përpara dy javëve një person me të paktën një gjuhë të huaj!...
Tunda dorën si për ti thënë atë ç’ka ai priste, se nuk qe shanc për mua. -…Po e di, ta thashë një herë, por s’është kollaj. Jemi në një kohë të përkohshme krize, ose më mirë të themi, në kohë lulëzimi dhe krize bashkë!...
-………
-Ju provoheni dhe një herë atje ku qetë!.. (Menjëherë më hypi alergjia.) -Ose në ndonjë vend tjetër! Unë ju kam dhënë gjith-monë oferta. Nuk ju pëlqen ndërmarrja Virtyti? Në rregull! Ja, këtu kam kërkesa nga ndërmarrja Mirëbesimi, Ndershmëria…
-Nuk është se më pëlqen, apo nuk më pëlqen!- iu hodha duke ia ndërprerë dërdëllitjen. -Problemi është se tek Virtyti puna ishte tepër e rëndë, më besoni, tepër e rëndë!…
Burri i zyrës u hodh menjëherë sikur të kish gjetur gabimn tim. -Në rregull, shumë në rregull. Ndërmarrja Ndershmëria dhe Mirëbesimi kanë punë më të lehtë. Po, po, ju garantoj unë për këtë. Jam i sigurtë se ju mund ta përballoni punën atje. Jam shumë i sigurtë!..
-Sa paguajnë? -e pyeta në formë rrufeje, duke e ditur se këto ndërmarrje paguanin më pak nga të gjitha.
-Po mirë atëhere, -mu kthye si i nxehur ai, duke kapërcyer pështymën poshtë, -a je i martuar?.. (Ai e dinte se unë nuk isha i martuar.) -…Menjëherë do të jepja fletën për tek Tradhëtia Bashkshortore, një ndërmarrje që po eksplodon për nga intesiteti i punës. Të ardhurat nuk janë kushedi se çë, por puna është tepër e lehtë dhe e kënaqshme. Jo si tek Besnikëria Bashkshortore, ku njerzit mezi e përballojnë punën me atë shpërblim mikroskopik dhe qesharak për shoqërinë e sotme!…
Duket se nënpunësi donte të më bënte qejfin, derisa anonte nga ana ime me argumentet e tij. Nuk më ngelesh veçse të rrija si i shushatur. Por dhe ai pushoi, dhe heshtja nisi përsëri periodën e saj. Të dy shikonim në objekte pa përcaktim. Kishim humbur në papërcaktueshmërinë e kohës. Ai të paktën nuk ishte në pozicionin tim të pashpresë. Nuk dija se ç’të bëja! Edhe kësaj radhe nuk po dilte gjë! Ndonjë fuqi e padukshme mi prishte shancet për punë. Ishte si e pabesueshme që shumi-ca e ndërmarrjeve të mos merrnin më punëtorë; …ndërmarrjet më të mëdha!… Çudi!…


  Gjithsej 15 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 »
Trego 15 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.