Forumi Horizont Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 23 24 25 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Ceshtja kosovare dhe me gjere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=162)
-- Pavarsia e Kosoves (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=351)


Postuar nga amoxil datë 14 Nëntor 2005 - 22:00:

Akulli rus mbi Beogradin

Vizita dhe bisedimet, që ministri i jashtem i Rusisë, Sergej Lavrov, zhvilloi me udhëheqësit e Serbisë në Beograd më 7 nëntor, jo vetem nuk patën qwndrimet ruse, që dëshëronin të dëgjonin veshët e zyrtarëve më të lartë serbë, por ishin një knock-down diplomatik për udhëheqjen e Serbisë. Burime diplomatike nga kryeqyteti serb bëjnë të ditur se ministri i jashtëm rus në bisedimet me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç dhe me kryeministrin serb, Vojislav Koshtunica, ua ka parashtruar qartë udhëheqësve të Serbisë se Rusia nuk ka ndërmend të rrezikojë marrëdhëniet e saj me perëndimin për shkak të Serbisë dhe të interesave serbe në Kosovë. Lavrov ua ka prerë udhëheqësve serbë çdo shpresë dhe kërkesë, që ata i kishin drejtuar vazhdimisht Moskës, që të përdorë veton e saj në zgjidhjet dhe vendimet që Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të marrë për Kosovën pas përfundimit të misionit të të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisari. Një zyrtar i lartë i shtetit serb, në një intervistë me të përditëshmen e Beogradit “Kurir”, deklaroi më 9 nëntor se Lavrovi i ka thënë në mënyrë të vendosur Tadiçit dhe Koshtunicës se Rusia nuk ka pse të grindet me gjithë botën për shkak të Serbisë. Ai u ka shprehur pakënaqësinë e Moskës për mospërgatitjen serioze të Serbisë ndaj proçesit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe u ka thënë atyre se asnjë në botë, pra edhe në Rusi, nuk e kupton se çfarë do të thotë konkretisht formula “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Lavrovi, jo vetëm u ka hequr çdo shpresë për veton ruse kundër Kosovës, por i ka paralajmëruar që të mos lejojnë veten që ta çojnë Serbinë të bjerë përsëri në izolim. Përmbajtjen e bisedimeve të hidhura mes shefit të diplomacisë ruse dhe udhëheqësve serbë e pohoi më 9 nëntor edhe sekretari i përgjithshëm i partisë radikale serbe, e cila ka shumicën në parlamentin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili i deklaroi medias me këtë rast se partia e tij e dinte prej kohësh këtë qendrim të Rusisë, që u paraqit në bisedimet. Në një përkufizim të shkurtër, vizita e Lavrovit ishte një akull rus mbi Serbinë në lidhje me Kosovën. Kjo ka arsyet dhe shpjegimet e veta, të cilat lidhen me një politikë çdo ditë e më realiste të Moskës në Ballkan, me një intransigjencë nacionaliste jashtëkohore të udhëheqësve të Serbisë dhe me proçeset integruese euroatllantike dhe globale në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare.
Rusia, si një fuqi e rëndësishme kontinentale, ka pasur dhe ka nje rol për të luajtur në skakierën ballkanike. Që ajo ta realizojë këtë rol, duhet që diplomacia e saj të inspirohet nga vizioni i së ardhmes dhe jo vizioni i së shkuarës. Kjo do të thote se ajo duhet të bashkëpunojë me të gjithë shtetet dhe popujt në një Ballkan, i cili do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo ta ngurosë spirancën e saj diplomatike vetëm në një shtet, e sidomos në shtetin që ka kuotën më të ulët të demokratizimit dhe kuotën më të lartë të nacionalizmit. Qëndrimet më realiste të Rusisë koinçidojnë me marrjen më 1 nëntor nga ana e saj të presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me hapjen e një Zyre ndërlidhjeje të Rusisë në Prishtinë, të cilën e përuroi vetë Lavrovi më 7 nëntor.
Rusia dhe diplomacia e saj kanë kuptuar më në fund se karta e Kosovës, që udhëheqësit politikë serbë po përpiqen të përdorin me fanatizëm, nuk është më një çështje strategjike për Serbinë. Karta e Kosovës është një çeshtje politike dhe e strategjise elektorale të partive politike serbe, të cilat luajnë me ndjenjat nacionaliste të elektoratit dhe synojnë të fitojnë sa më shumë pikë për zgjedhjet parlamentare të parakohëshme të vitit të ardhëshëm. Udhëheqësit e Serbisë po kërkojnë të paraqiten në publikun serb si kalorës të të ashtuqujturës çështje kombtare serbe dhe mbi këtë imazh të sigurojnë pushtetin në duart e tyre.
Është një lojë politike e brendëshme e skenës politike dhe shoqërisë serbe, e cila nuk mund të ketë vlerën strategjike, që kishte për Rusinë në të kaluarën mbrojtja e interesave të Serbisë si shtet ne Ballkan. Rusia nuk mund të sakrifikojë rolin dhe pozitën e saj si fuqi e madhe evropiane, duke konsumuar autoritetin e saj ndërkombtar për lojrat dhe intrigat e brëndëshme politike të udhëheqësve të Serbisë. Moska e di se udhëheqësit serbë janë të bindur që Kosova është e humbur dhe përdorimi i kartës së Kosovës është shndërruar tashmë në një kartë elektorale. Ndaj ajo nuk mund të bjerë në ato pozita komprometuese dhe të lidhë rolin apo pozitën e saj si anëtare e përherëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me lufrat për pushtet të udhëheqësve serbë. Si asnjëherë tjetër më parë dhe si asnjë zyrtar i lartë i Moskës, Lavrovi në një mënyrë apo tjetër e bëri të qartë në publik përmbajtjen e bisedimeve të tij në Beograd:
-Ai deklaroi se Rusia ka të njejtin mendim dhe të njëjtat parime të vendosura bashkërisht me Grupin e Kontaktit në lidhje me Kosovën.
-Ai nuk deklaroi në asnjë moment se Kosova është pjesë e Serbisë dhe i takon Serbisë.
-Ai tha se rezultati i bisedimeve për statusin e Kosovës nuk mund të paragjykohet dhe janë të mundëshme variante të ndryshme zgjidhjeje. Rusia kështu lë hapur edhe alternativën e pavarësisë.
-Ai tha se zgjidhja duhet të respektojë interesat e drejtpërdrejta të palëve të përfshira në dialog. Kjo do të thotë që duhet të respektoje edhe interesat e Prishtinës.
-Në komunikatën zyrtare të MPJ të Rusisë më 8 nentor për vizitën e S.Lavrovit në Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë , në stenogramet e MPJ te Rusisë për deklaratat e Lavrovit pas takimit me ministrin e jashtëm serb, V. Drashkoviç dhe pas takimit me presidentin serb, B. Tadiç, përmendet gjithmonë fjala “Kosovë” dhe asnjëherë termi zyrtar serb “Kosovë- Metohi”. -Ai vlerësoi raportin e Kai Eides dhe parimet e Grupit të Kontaktit, në një kohë që dihet se Serbia publikisht ka shprehur kundërshtimin e saj për raportin, për parimet e Grupit të Kontaktit dhe për caktimin e Ahtisarit.
-Ai në mënyrë publike më 7 nëntor në Beograd, në prani të ministrit të jashtëm serb deklaroi se është e rëndësishme që Beogradi të konkretizojë qëndrimet e tij ndaj proçesit të bisedimeve për statusin dhe që të ketë propozime konkrete nga Beogradi. Kjo është kritikë e hapur për qendrimet, që Beogradi po mban për Kosovën, si dhe një pakënaqësi e hapur e Rusisë ndaj kursit, që po ndjek Beogradi. Akulli diplomatik dhe politik, që Rusia lëshoi mbi politikën dhe diplomacinë e Serbisë gjatë vizitës së Lavrovit, paraqet një moment të rëndësishëm historik dhe pozitiv për zhvillimet në Ballkan. Ai jep një kontribut në ftohjen e kokave të nxehta nacionaliste, që vazhdojnë të drejtojnë dhe dominojnë Serbinë. Ai jep një kontribut në frenimin e proceseve të rrezikshme të luajtjes me karta nacionaliste, te cilat destabilizojne Ballkanin. Në këtë linjë realiste, Rusia po i afrohet një roli dhe vendi më autentik në pjesëmarrjen e saj në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkan.

Marrë nga "gazeta shqiptare".

Tani krahët e serbve i ngrofin vetëm miqt tanë dhe populli fqinj "greqias".


  Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 23 24 25 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.