Forumi Horizont | Gjithsej 22 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 » Trego 22 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kampionati Shqiptar (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=168)
-- Sk Tirona 2005 - 2006 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9462)
Mesfushori i sapokthyer thekson se asnjë nga rivalët nuk mund të fitojë më tepër ndeshje se bardheblutë 30-09-2005
Klodian Duro jep një garanci tjetër, madje të fortë, se Tirana edhe këtë vit do të jetë fituese e titullit të 4-t radhazi. Skuadra që mesfushori i kombëtares sonë zgjodhi për këtë edicion do të shpallet përsëri kampione, sepse askush nga rivalët nuk garanton më shumë fitore se ç'mund të arrijë deri në fund ekipi që ka fituar tri herët e fundit titullin kampion. 2 fitore në 5 ndeshja ndoshta nuk kanë asnjë siguri, por në 31 ndeshjet e mbetura mesfushori garanton vetëm sfida triumfi. "Titulli kampion? Sigurisht, ka vetëm një emër, Tirana. Nëse ka ndonjë skuadër që mendon se mund të fitojë deri në fund të edicionit më shumë ndeshje se ekipi ynë, do ta urojmë vetë për titullin. Jam unë i pari që do t'i zgjas dorën për këtë. Por ama nuk besoj as unë, asnjë te Tirana, dhe as ata vetë se mund të seleksionojnë më shumë pikë se ky ekip që është futur me vetëm një objektiv. Elbasani ndodhet dy pikë larg dhe ende nuk ka luajtur ndeshjen direkte me Tiranën. Po kështu, edhe Partizani. Ndërsa Tirana ka një skuadër me mjaft lojtarë cilësorë, që e kanë fituar emrin falë punës dhe vetëm me punë ne garantojmë në vazhdimësi rezultate, siguri dhe spektakël në fushë. Këtë edicion, pavarësisht nga ecurtia e javëve të para, shoh një Tiranë që mund të shkojë më tej se thjesht një skuadër kampione, siç ka ndodhur pothuajse gjithmonë," - shprehet mesfushori i Tiranës.
Ndërkaq, mesfushori i kombëtares, i rikthyer sërish në kampionatin tonë, përkatësisht te Tirana, e sheh normale gjendjen e skuadrave në këtë fillimi sezoni. Ai thekson se për të ky kampionat nuk ka nisur nga java e parë, por me ndeshjen kur bëri premierën e tij kundër Skënderbeut. Lojtari thotë se nga ajo ndeshje mungonte vetëm loja e bukur, por i mjaftueshëm në fund ishte rezultati i pastër 3-0, që i dha pikët maksimale ekipit kampion. Tani e tutje, përveç fitores, po mendohet edhe për spektakël. "Ne pas fitores së fundit po mendojmë për ndeshjet e tjera. Nuk ma merr mendja se do të ndalemi më gjatë këtij kampionati. Para kemi ndeshjen e radhës me Teutën e Durrësit, që mendoj se si një ndeshje jashtë fushës sonë është një sfidë e vështirë, sepse si fillim kampionati skuadrat kanë nevojë për pikë. Në Durrës shkojmë së pari të fitojmë ndeshjen dhe së dyti të konfirmojmë veten sërish si kampionët e vendit. Jemi dy pikë larg vendit të parë dhe po mendojmë vetëm për kreun, që do të na sjellë më shumë qetësi dhe njëkohësisht na hap dritën jeshile për më shumë spektakël," - sqaron ndër të tjera elbasanasi i bardhebluve, Klodian Duro. Mesfushori është grumbulluar për ndeshjen e radhës me kombëtaren, atë kundër Ukrainës. Duro shpreh synimet e ekipit tonë për dy ndeshjet e radhës. "Mendoj se duhet të ruajmë vendin e 5-të në renditje, duke lënë pas Kazakistanin dhe Gjeorgjinë. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme." Megjithatë, lojtari që la Bundesligën gjermane thotë se nuk e mërzit aspak fakti që i është kthyer kampionatit tonë dhe nuk i druhet faktit se mund të humbasë vendin në radhët e kuqezinjve. "Unë jam në kulmin e karrierës sime dhe nuk është e rëndësishme se luaj në Gjermani, Kinë, apo Shqipëri. Mbi të gjitha vlen forma dhe gjendja ime dhe besoj se e gëzoj atë sa për të qenë pjesë e pandarë e kombëtares, edhe nëse luaj për një kohë të gjatë në kampionatin shqiptar. Nëse në rolin tim ka ndonjë më në formë, dera e kombëtares është e hapur. Kam folur me drejtuesit e kombëtares dhe më kanë dhënë garancinë se mjafton forma që do të ruaj dhe jo se në çfarë kampionati do të aktivizohem." Në fund, Klodian Duro, që është shkëputur disa herë nga kampionatet e huaja, thotë se për momentin nuk po mendon për ndonjë ikje të radhës: "Unë tani për tani jam lojtar i Tiranës, ndaj po mendoj për objektivat me këtë ekip," - përfundon 28-vjeçari Duro.
MARRE NGA SPORTI SHQIPTAR
Gjithsej 22 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 » Trego 22 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.