Forumi Horizont Gjithsej 19 faqe: « E parë ... « 8 9 10 11 12 13 14 15 16 [17] 18 19 »
Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS Egnatia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=3100)


Postuar nga qershor13 datë 30 Prill 2004 - 17:59:

Post Ibrahimi: Futbollistët e kanë justifikuar besimin.

Sponsori i rrogozhinasve, Ferdinand Ibrahimi, u kërkon fitore të tijve në takimin me Tomorin.

Dita e mërkurë ka shënuar analizën e fundit për këtë edicion te skuadra e Egnatias. Në të, e cila përkon edhe me pragun e sfidës me Tomorin, kanë marrë pjesë të gjithë ata që kontribuan në suksesin e Egnatias, duke filluar nga sponsori Halili, Ibrahimi, presidenti Izet Dranga, kryetari i bashkisë Xhani etj. Më shumë se një analizë teknike e ndeshjeve, ajo ka qenë një bashkëbisedim. Sponsori dhe presidenti kanë deklaruar se pas takimit me Tomorin, kur Egnatia do të ngjitet matematikisht në A1, ekipi do të marrë edhe 1/4 e parave të mbetura na kontrata. Ja sesi u shpreh pas këtij takimi sponsori Ferdinand Ibrahimi, njeriu që ka meritat më të mëdha për këtë sukses historik të qytetit të vogël të Rrogozhinës.
- Zoti Ibrahimi, sot keni zhvilluar analizën e fundit me ekipin. A mund të na thoni se çfarë u tha dhe u vendos gjatë saj?
- Mund t'ju them se ishte më shumë se një analizë, në të cilën morën pjesë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sukses të skuadrës, që është arritur vetëm me punë e profesionalizëm. Pasi i përgëzova djemtë dhe stafin për dy fitoret jashte fushe, në Ballsh e Kuçovë, kërkova të dëgjoj nga ata nëse kanë ndonjë shqetësim apo kërkesë në adresën time. Pasi nuk kishte të tilla, u kërkova lojtarëve që të fitojnë këtë të shtunë ndaj Tomorit. Më pas i garantova se pas kësaj ndeshjeje do të marrin edhe lekët e këstit të fundit të kontratave.
- Meqenëse përmendët kontratat, a e ndieni veten të shpërblyer për milionat që keni investuar?
- Unë jam thjesht një dashamirës futbolli. Me këtë dua të them se futbolli për mua nuk është biznes. Unë kam dashur që qytetarët e Rrogozhinës të argëtohen dhe të kënaqen sa më shumë nga skuadra e tyre, gjë të cilën mendoj se e kam arritur. Natyrisht, në aspektin moral e shpirtëror ndihem i shpërblyer. Mjafton të shohësh që një qytet i tërë të do e të respekton. Në këto kohë të vështira u kam dhuruar qytetarëve të Rrogozhinës kënaqësinë e duhur. Kjo gjë nuk është arritur vetëm për meritën time, por edhe në sajë të Bashkisë e presidenti Dranga. Gjithashtu, meritë kryesore ka pa dyshim stafi teknik e futbollistët, të cilët janë treguar profesionistë të vërtetë.
- Nesër do të keni përballë Tomorin. Nëse fiton Egnatia, do të ishte edhe matematikisht në A1...
- Për mua, Egnatia do të jetë në A1 vetëm pas sfidës së javës së ardhshme me Laçit, të cilën do ta luajmë përsëri në shtëpinë tonë. Për këtë arsye, u thashë djemve të fitojnë me Tomorin dhe t'i marrin paratë e tyre para kohe. Them para kohe, sepse realisht duhet pritur sfida me Laçin, por një fitore ndaj beratasve do ta mbyllte problemin e daljes në A1. Megjithatë, objektivi ynë nuk është më dalja në A1, por fitimi i titullit kampion.
- Së fundi, Egnatia prek një sukses historik, kategorinë e parë. A do të vazhdoni të jeni sponsor i saj edhe në të ardhmen?
- Unë mund të them se për shkak të angazhimeve private, nuk kam pasur e nuk kam mundësi ta ndjek nga afër skuadrën time. Për këtë është caktuar një president e kështu do të veprohet edhe në të ardhmen. Unë do të vazhdoj ta sponsorizoj për Egnatian edhe pas daljes në A1, sepse qytetarët e Rrogozhinës e meritojnë një nder të tillë.


  Gjithsej 19 faqe: « E parë ... « 8 9 10 11 12 13 14 15 16 [17] 18 19 »
Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.