Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Turizmi eshte e ardhmja e Shqiperise… (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=5300)
Postuar nga amoxil datë 20 Gusht 2005 - 09:08:
Udhëtim në Jug, mes bukurive të honeve të rivierës
Në Gjirin e Hartës, plazhin e fshehtë të Sarandës:
SARANDË
- Pushues, mos u kënaqni vetëm me rifreskimin e imazheve të qendrës së qytetit apo plazheve me emër në Sarandë. Tregohuni të vëmendshëm për të zbuluar edhe plazhet e fshehta dhe honet e rivierës joniane. Pasi të bëni akomodimin në Sarandë apo në Ksamil, mos u tregoni fanatik duke u bërë "abonent" të vetëm një plazhi, por ne ju ofrojmë mundësinë që nëpërmjet këtij reportazhi të keni mundësi të njiheni me të tjera surpriza që ofron ky vend. Ju mund të niseni për të eksploruar në disa plazhe të virgjër, si në Deltën e Bistricës, në plazhin Pasqyrat, në Heaven Beach, në Gjirin e Manastirit, në Kakome, në Krorëz, në plazhin Pema e Thatë etj. Por këto janë vetëm disa nga toponimet e plazheve ekzotike të bregut jonian të Sarandës.
Gjiri i Hartës
- Gjiri i Hartës ndodhet vetëm 12 kilometra larg nga Saranda, në aksin rrugor Saradë-Ksamil-Butrint. Toponimi lidhet me një hartë në reliev, e cila dikur ishte vendosur në qafën nga ku shpërfaqet njëherësh pamja e kanalit të Korfuzit, ishullit helen; Ksamilit, ishujve të tij dhe Gjirit shumë të bukur të mbrojtur nga erërat e Kanalit.
Toponimia
- Në vitin 1970 sarandiotët ndërtuan një mur me përmasat 2 metra me 1.5, në një vend të ekspozuar dukshëm në Ksamil, ku paraqisnin skicën e gadishullit dhe të gjireve, me qëllim orientimin e vizitorëve në zonë. Për këtë arsye edhe plazhi mori emrin toponimik "Gjiri i Hartës". Plazhi vazhdoi të quhej kështu edhe pas shembjes që iu bë këtij muri pas vitit 1990, gjatë ndërrimit të sistemeve në Shqipëri. Ka qenë vetë Komuna e Ksamilit, e cila ka financuar riprodhimin e një vepre të njëjtë, por këtë herë tabela ku paraqitet harta e zonës është e gdhendur në metal.
Shkuarja
- Shumë lehtë. Për ata që kanë automjete problemi është i zgjidhur. Vetëm 300 metra në krahun e djathtë të rrugës drejt Ksamilit, nga vendi i quajtur "Harta". Pronari i lokalit dhe sipërmarrësi i një impianti të rritjes së kocave këtu, Qazimi, ka hapur një rrugë automobilistike, e cila përfundon me një parking të garantuar. Ndërsa ata plazhistë që nuk kanë automjete, fare mirë mund të marrin një prej autobusëve urbanë të formës "Parma", që nisen gati çdo orë nga sheshi i Sarandës, kundrejt një çmimi prej 50 lekë.
Plazhi
- Edhe vetë sarandiotët i orientojnë turistët që të drejtohen nga Gjiri i Hartës, ose tek "kocat". Këtu do të keni mundësi të shijoni lindjen e hershme të diellit dhe perëndimin e vonë të tij. Rrymat ajrore nuk kanë për t'ju shqetësuar aspak, ndërsa plazhi është me rërë ose me pllakat natyrore të shkëmbinjve me formacione gëlqerore që janë vazhdim i masiveve të Gadishullit të Ksamilit.
Deti
- Thellësia e ujërave në Gjirin e Hartës është graduale, nga fillon me cektinë për fëmijët, deri në zonën më të thellë për të rriturit. Plazhi ekzotik i Gjirit të Hartës ka vetëm një pamje kryesore, atë të Kanalit të Korfuzit, ku gjatë gjithë orëve të ditës deri në mbrëmje mund të kundrohen linjat e trageteve të mëdhenj që lidhin Greqinë me Italinë. Këtu mund të sodisni jahtet me vela të turistëve Perëndimorë, që preferojnë anët perëndimore të ishullit grek, vetëm 3 km larg nga bregdeti i Jonit shqiptar.
Kuzhina
- Këtu mund të shijosh vetëm peshkun e freskët, i cili merret i gjallë nga impiantet pranë plazhit. Më pas peshku serviret në dhjetë mënyra, përfshi pjekjen në tjegull, sikurse ju pëlqen peshkatarëve. Çmimet janë të pranueshme. Një pjatë me kocë të freskëtm të sapo nxjerrë nga impiantet e detit (akuakultura detare), këtu kushton vetëm 600 ose 800 lekë me garniturë, ose me fruta deti.