Forumi Horizont | Gjithsej 22 faqe: « E parë ... « 8 9 10 11 12 13 14 15 16 [17] 18 19 20 21 22 » Trego 22 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kampionati Shqiptar (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=168)
-- Sk Tirona 2005 - 2006 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9462)
Tirana në heshtje, mungon kreu i renditjes
Kampionëve u mungon kreu i klasifikimit dhe kjo ka bërë që heshtja të ndihet më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër në këtë sezon në kampin bardheblu. Tirana nuk ndodhet në krye të tabelës dhe ky fakt ka sjellë jo pak presion mbi futbollistët dhe stafin drejtues të skuadrës, që pret ndeshjet e radhës për t'u konfirmuar para publikut të vet si skuadra kryesore dhe pretendente për titullin e 23-të kampion të vendit. "Nuk kemi çfarë të themi në këto momente. Na mungon kreu i klasifikimit. Vetëm duhet të punojmë më shumë me qëllim që të fitojmë ndeshjet e radhës, sepse synojmë të rikthehemi sa më shpejt në vendin e parë," - u shprehën disa nga lojtarët titullarë të Tiranës dje pas seancës së pasdites. Ndërkohë, edhe te lojtarët e tjerë, apo ndoshta deri te drejtuesit e lartë, heshtja mund të piketohet si kryefjala e këtyre ditëve.
Pra, te Tirana nuk ka qetësi pa u siguruar një herë kreu i klasifikimit. Bardheblutë shprehen se e kanë të vështirë ose të pamundur të pajtohen me një pozicion të tillë në tabelën e klasifikimit, 5 pikë larg kreut. Gjatë 3 sezoneve të fundit ata kanë pasur luhatje vetëm në dy javët e para, pasi në të fundit kanë qëndruar që nga java e parë dhe deri te ajo e fundit në vend të parë. Por ka ndodhur gjatë sezoneve të mëparshme pak a shumë e njëjta situatë. Tirana kur e ka humbur kreun e klasifikimit, ka pritur të dalë në vend të parë, për t'iu kthyer normalitetit që e karakterizon këtë skuadër. Ndërsa këtë sezon nuk e ka nisur mirë. Kujtojmë se, sipas drejtuesve, objektivi i skuadrës kryeqytetase këtë vit nuk do të jetë vetëm fitimi i titullit kampion, sepse që kur nisi kampionati trofeu i 4-t radhazi dukej një mision i përfunduar. Planet ishin dhe janë për një skuadër të denjë në "Champions". Kështu, vendosja e Tiranës në krye nuk diskutohet fare, nga askush në kampin bardheblu. Mirëpo ky fillim i keq, çka shihet në klasifikimin e momentit, ashtu edhe në lojën që ekipi ka zhvilluar këto 6 javët të para, duhet kapërcyer, që heshtja të mos ekzistojë më. Tirana ka fituar vetëm 2 ndeshje, diçka e rrallë për këtë skuadër, që për më shumë ka regjistruar vetëm një fitore para publikut të vet dhe ka barazuar në Peqin me një kundërshtar që ka vetëm një pikë, atë që siguroi në javën e dytë me kampionët e vendit. Nga faza e parë, 6 javët e para janë mbyllur, çka, sipas lojtarëve, duhen harruar një herë e përgjithmonë, sepse ditë të mira do të vijnë, që nga ndeshja e radhës me Lushnjën. Optimizmi ekziston dhe bardheblutë që të gjithë premtojnë se do të vihen shpejt në krye të klasifikimit. Dhe, sipas futbollistëve, që thonë se kanë vite që luajnë bashkë e njohin njëri-tjetrin, ashtu sikurse njohin edhe kundërshtarët dhe përbërjet e tyre. Skuadra vazhdon të drejtohet në stërvitje nga italiani Leonardo Menekini, i cili edhe dje bëri ritualin a radhës.
Tirana, sot për "provim" në Kamëz
Trajneri italian Leonardo Menekini do të testojë sot të tijtë në një miqësore me ekipin U-18 të të rinjve, që do të zhvillohet në Kamëz. Kjo miqësore, që do të luhet në orën 14.30, është planifikuar me qëllimin e vetëm që skuadra kampione e sezonit të shkuar të arrijë në kohë, para ndeshjeve të tjera, rikuperimin e të metave të shfaqura gjatë ndeshjeve të fundit. Prandaj italiani ka menduar të shohë një herë se në ç'gjendje ndodhen lojtarët dhe ideja më e rëndësishme është që të bëjë ndonjë lëvizje të përshtashtme për sfidat e radhës. Në fakt, kjo ndeshje nuk do të ketë tërë pjesën e skuadrës, pasi disa lojtarët kanë ikur me ekipin përfaqësues dhe futbollistët e stolit do të kenë më shumë hapësirë, në këtë provim të posaçëm për shkak të ndërprerjes së kampionatit. Por edhe i sapoardhuri A. Duro do të shihet nga trajneri. Pas stërvitjes së djeshme, mbrojtësi elbasanas u shpreh: "Kam ardhur te Tirana për stërvitje dhe se do të jem gati në ato ndeshje kur trajneri të mendojë se e meritoj të luaj."
Ndërkohë, trajneri italian sigurisht kërkon më shumë nga ekipi i tij dhe se para se të bëjë ndonjë ndryshim konkret kërkon të bindet me formën e të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion. Prandaj është planifikuar kjo miqësore, para ndeshjes së Lushnjës, që do të luhet të shtunën e ardhshme. Megjithëse bardheblutë e kanë përqendruar tërë vëmendjen te ndeshjet e fundit, ato me Elbasanin e Partizanin, Lushnja shihet si një kundërshtar që duhet kaluar para se të mendohet për vendin e parë. Kampionati është i ndërprerë për shkak të ndeshjes së kombëtares sonë, por Tirana këtë gjë nuk po e ndien në stërvitje, sepse intensiteti duket i lartë në krahasim me ditët e tjera. Pas miqësores së sotme, bardheblutë do të bëjnë si zakonisht pushim të dielën dhe të hënën nis fushata për ndeshjen e radhës në kampionat.
Gjithsej 22 faqe: « E parë ... « 8 9 10 11 12 13 14 15 16 [17] 18 19 20 21 22 » Trego 22 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.