Forumi Horizont Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 170 171 172 173 174 175 176 177 178 [179] 180 181 182 183 184 185 186 187 188 » ... E fundit »
Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)


Postuar nga BIONDIA datë 10 Mars 2010 - 19:30:

8 Marsi/ Edije Kollaku rrëfen se ka vite pa i parë bijtë e saj, ndërsa në çdo festë pret që ata të trokasin


TIRANË - Edije Kollaku është një nga 90 të dënuarat e Burgut 325 në Tiranë, e cila si secila prej tyre dje priti me padurim festën e 8 Marsit, me qëllimin e vetëm për të parë fëmijët e saj. Por 61-vjeçarja e cila vuan dënimin në Burgun e Grave nuk ka mundur ta realizojë dëshirën e saj.
Asnjë prej 7 fëmijëve nuk ka trokitur në dyert e burgut për ta takuar. Pavarësisht se shumë prej familjarëve të grave të tjera kanë mbërritur për t'u bërë atyre një surprizë e dhuratë në ditën e tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me Edijen. Ajo është lindur në Korçë, por ka jetuar në Tiranë dhe e përlotur tregon se fëmijët nuk i ka takuar prej shumë kohësh dhe me ta vetëm ka komunikuar në telefon.
Nënë e shtatë fëmijëve, gruaja nuk ka mundur të takojë asnjerin prej tyre në të ashtuquajturën Festën e Nënës, edhe pse kishte shpresuar shumë që dyert të hapeshin dhe mes të tjerëve të shfaqej edhe ndonjë prej djemve apo vajzave. E dënuara në një rrëfim për "Shekulli"-n tregon se fëmijët nuk i ka takuar prej shumë vitesh, ndërsa bashkëshortin, që kur ka marrë dënimin 12 vjet më parë.
"Dy prej vajzave ndodhen në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, ndërsa tjetra ndodhet e martuar në Francë. Kam mësuar se njëri prej djemve ka vazhduar studimet e larta në një shkollë private, ndërsa të tjerët jetojnë jashtë Shqipërisë. Unë nuk i kam takuar prej shumë kohësh, por vetëm kam komunikuar me ta në telefon", tregon 61-vjeçarja, një prej 90 të dënuarave të Burgut 325 në Tiranë.
E moshuara ka kryer pothuajse gjysmën e dënimit, rreth 12 vjet, që nga gushti i vitit 1998 kur është dënuar nga gjykata për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Tiranë në vitin 1998.
Ndërsa rri me shpresën se do të shohë fëmijët e saj, gruaja e burgosur kundërshton vendimin për dënimin e saj, duke u shprehur se është e pafajshme dhe se ajo nuk ka marrë pjesë në asnjë vrasje, pavarësish se është shpallur fajtore. "Me aq sa mbaj mend ka qenë vera e vitit 1998 dhe unë po kthehesha nga punë për në shtëpi.
Atëherë punoja në një fabrikë këpucësh. Sapo futem në shtëpi, shikoj që kishin mbetur të vdekur vajza e fqinjit tonë bashkë me burrin e saj. Në ato momente gjej edhe bashkëshortin tim aty dhe nuk dija se ç'kishte ndodhur. Por më pas erdhi policia dhe më arrestuan mua dhe tim shoq, duke më quajtur bashkëpunëtore në vrasje. Më dënuan me 25 vjet burg", tregon Edija.
61-vjeçarja shprehet e bindur se nuk ka gisht në vrasjen e dyfishtë të ndodhur 12 vite më parë dhe për këtë ajo bën apel që të amnistohet për pjesën e dënimit që i ka mbetur për të vuajtur. Nëna e shtatë fëmijëve thotë se kërkon të fitojë lirinë me qëllimin e vetëm për të qëndruar pranë bijve të saj.
Rreth 90 të dënuara në Burgun 325 në Tiranë festuan dje 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Edhe pse të privuara nga liria, të burgosurat kanë pasur mundësi të qëndrojnë për pak kohë me fëmijët e tyre dhe të marrin dhurata nga ata.
Kjo ishte mënyra që drejtuesit e burgut 325 kishin menduar për të festuar festën e 8 marsit. I pranishëm në festën e organizuar ishte edhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Lulëzim Kodra, i cili uroi gratë e dënuara për festën e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas.


  Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 170 171 172 173 174 175 176 177 178 [179] 180 181 182 183 184 185 186 187 188 » ... E fundit »
Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.