Forumi Horizont Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 9 10 11 12 13 14 15 16 17 [18] 19 20 21 22 23 24 25 26 27 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Shenjat e "lindjes" te nje Diktatori (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17956)


Postuar nga Vizioner datë 08 Tetor 2010 - 13:37:

Citim:
Po citoj ato që tha Vizioner


Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra [b]te vegjel e te ndotur
, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.

Nga Mero Baze
-pjese nga libri "1997"-



Baze: Në zyrën e Berishës në 26 maj 1996

Tatëpjeta e demokracisë shqiptare do të niste pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, ditë që është skeduar si simboli i revanshit antidemokratik ndaj zgjedhjeve të lira në një vend pluralist. Partia Demokratike e presidentit të atëhershëm dhe kryeministrit të sotëm, do të bënte gjithçka antiligjore dhe antidemokratike për të fituar një mandat të dytë qeverisës, paçka se do të binte pas revoltave të dhunshme dhe anarkisë që pllakosi vendin, pas rënies së shtetit në mars 1997.

Dëshmia e gazetarit Mero Baze, vjen nga brenda. Ai është atë ditë aty, në strofkullën politike të presidentit Berisha, i cili komandon fijet e pushtetit për të rrëmbyer fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Është njëra prej dëshmive të shumta që bëjnë autopsinë e rënies të pushtetit të presidentit autoritar, pjesë e librit të sapodalë në treg me titull "Viti 1997, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin".

Berisha është drejtuesi i maskaradës elektorale, e cila i del nga kontrolli, pas largimit të komisionerëve të opozitës së majtë nga zgjedhjet. Dhe pasi gjithçka rrëshqet në totalitarizëm, është vetë Berisha që sajon komplotin e madh të armiqve të brendshëm (socialistëve) dhe atyre të jashtëm amerikanë, grekë, vëzhguesit e ODIHR-it për t'ua faturuar, "fitoren" e shëmtuar prej nga nisi degradimi i shtetit.


-Mero Baze-

Duhej të intervistonim Sali Berishën direkt për emisionin e lajmeve të orës 20.30 te "Zëri i Amerikës". Redaksia nga Uashingtoni ishte në ankth, pasi deri në orën 20.10, linjat ndërkombëtare me Shqipërinë ishin të bllokuara. Një vend që thuajse kishte qenë jashtë vëmendjes së botës, atë pasdite, befas, tërhoqi gjithë vëmendjen me krisjen e fortë që po merrte një proces i shkatërruar zgjedhjesh. Për 10 minuta të ankthshme para emisionit, na u desh që nga dy telefona të transmetonim njëkohësisht të gjitha raportet për zhvillimet e pasdites. Elez Biberaj u lidh direkt me Berishën. Biseda i ngjante një dueli mes dy miqsh të zemëruar me njëri¬tjetrin, por që ende s'kishin shkëmbyer asnjë fjalë për shkakun e vërtetë të zemërimit.

Biberaj ishte një gazetar legjendë në Shqipëri, për shkak të rolit të tij kyç në përmbysjen e komunizmit dhe shpeshherë, pa ndonjë sforcim, ai ia lejonte vetes luksin që ta quanin edhe përkrahës të Sali Berishës. Por kjo tashmë nuk ishte më luks, por taksë. Në duart e pushtetit të dalë nga rrënojat e komunizmit po plagoseshin rëndë zgjedhjet dhe ky ishte atentati më i madh që mund t'i bëhej një shoqërie që përpiqej të mbijetonte në demokraci, por me kulturën e komunizmit në kokë.
Biberaj përpiqej të ishte i ashpër në pyetje dhe i qetë, ndërsa Berisha protokollar dhe nervoz. Herë-herë ngjante i egërsuar dhe kishte një vendosmëri të dyshimtë në fjalët e tij. Disa herë iu drejtua me "zoti Biberaj", çka do të thoshte se po bëhej nervoz nga pyetjet. Sidoqoftë, deklarata e tij ishte parimore. Dënonte bojkotin dhe u bënte thirrje komisionerëve socialistë të rrinin aty për të numëruar votat. Ishte një thirrje që, në ato çaste, nuk kishte më se kush ta dëgjonte. Shumica e komisionerëve kishin braktisur komisionet dhe në qendrat e votimit kishte filluar anarkia.


Pasi përfundoi biseda e Biberajt me Berishën, pasuan tri raporte të tjera dhe në fund m'u desh të lidhesha përsëri direkt për të plotësuar një dyminutësh. Ishte një lidhje nervoze. Ndihesha i rraskapitur dhe plot pikëpyetje për atë që po ndodhte. Nuk është se nuk e besoja faktin që socialistët ikën për t'ia lënë zgjedhjet si kopilin në derë Berishës. Besoja, po ashtu, se PD-ja mund t'i fitonte ngushtë këto zgjedhje. Skenat e ditës së votimit dhe mënyra se si kishte nisur të degradonte situata, ishin vrastare. Makthi disamujor, që kish nisur të shfaqej para fushatës dhe gjatë saj e që çoi në pastrimin e fushës nga kundërshtarët realë dhe në bllokimin edhe fizik të fushatës, tashmë po prodhonte frytet e veta. Shihej qartë se rrënojat e asaj që po ndodhte para .syve tanë do të mbeteshin shumë kohë pa u pastruar në politikën shqiptare.

Zgjedhjet po prisheshin si një ndërtesë pa leje, ku askush nuk merr përsipër ta pastrojë territorin, por vetëm të shembë ndërtesën. Berisha kishte muaj që e kishte vizatuar armikun te njerëzit rrotull tij. Në atë vizatim kishte përdorur detaje realiste dhe fakte të pamohueshme, kombinuar me artifica dhe paranoja që ngjiznin idenë e një komploti thuajse ndërkombëtar. Ai fliste për një komplot që e drejtonte Fatos Nanoja që nga burgu dhe që ishte rekomanduar nga Nikolas Gejxhi, një shkrimtar tejet i njohur në SHBA dhe veprimtar i qarqeve nacionaliste greke, që çmohej sidomos për luftën e tij kundër Berishës. Vetë Gejxhi bënte kujdes që anti-Berishë të shfaqej vetëm kur ishte mes grekëve, ndërsa në publik bënte kujdes të ishte një shkrimtar i talentuar dhe plot fantazi për Epirin dhe Greqinë, një vend që vazhdon t'i çudisë amerikanët me aftësinë për të prodhuar më shumë "histori për frymë" se të ardhura për frymë.

Pasi mbaroi emisioni, u lidha në telefon me Berishën, që ta pyesja për gjendjen.
- Eja lart, - më tha. - Jam me Gencin. Eja njëherë ta diskutojmë.
Në atë kohë ai rrinte në vilën nr. 4, që ishte në krah të Pallatit të Brigadave, një vilë modeste, që kishte një dhomë dite të bollshme e që ishte gjithmonë e mbushur me gazeta, libra dhe shkresa sipër njëra-tjetrës,
që mund t'i identifikonte vetëm Sali Berisha me sistemin e tij të kontrollit mbi rrëmujën. Ishte një nga aftësitë e tij të veçanta të orientohej mes kaosit që prodhonte vetë, i cili i shërbente njëkohësisht si një pengesë, si një mur ndarës, që askush të mos përfshihej në kaosin e tij.
E gjeta teksa rrinte thuajse pa folur me Genc Pollon. Ky i fundit po rrinte në lidhje të vazhdueshme me Përmetin, në fund të dhomës së ditës, ku ishte telefoni. Fliste vazhdimisht dhe kërkonte gjithmonë një njeri me emrin Dashi.
Fliste dhe herë pas here qeshte me vete. Interesohej për detaje dhe kuti të ardhura nga fshatrat. Ishte ora rreth 21.30, kur ai uli telefonin, buzëqeshi me ndrojtje dhe shqiptoi se kishte fituar në Përmet.

Berisha, që ndërkaq po fliste me mua për gjëra krejt pa rëndësi, rrudhi vetullat.
Ashtu? - ia ktheu sakaq. - Ëhë..! - shtoi pastaj, sikur deshi t'i thoshte "futja kot".
Ishte një nga ato shprehjet e. pavullnetshme, kur ai ngelet bosh dhe nuk e gjen fjalën e duhur për të shprehur mosmiratimin për diçka.
- Në fakt, u thashë të mos e japin në televizion, se në orën 22.00 mbyllen votimet, - tha Polloja, në përpjekje për t'iu përshtatur mosmiratimit të dukshëm të shefit të tij.
E ku i numëruan ata? - e pyeti Berisha.
Po në Përmet janë mbyllur shpejt, se njerëzit atje votojnë herët dhe ata i kanë hapur kutitë. Ka pasur edhe socialistë. Pastaj, pak vetë e kanë marrë vesh nga socialistët në bazë që janë bojkotuar zgjedhjet. Në shumë fshatra s'e kanë marrë vesh fare.
- Me kë fole ti? - e pyeti sërish Berisha.
- Me atë që është te komisioni...
Berisha mblodhi buzët sërish, tundi kokën në shenjë mosmiratimi dhe u përpoq të vazhdonte bisedën me mua. Ishte aq instinktive kjo, sa harroi ku e lamë bisedën dhe mua m'u desh t'i kujtoja se po flisnim për vëzhguesit ndërkombëtarë.
- Ah, po... mirë, shiko, unë fola me këta të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ata janë të kënaqur. "Ka pasur zgjedhje korrekte", më thanë dhe e kanë dënuar bojkotin. Shiko, kanë shumë rëndësi ata... ë? Se ata të ODIHR-it janë ca marksistë të fëlliqur, që i kanë sjellë këtu për me i prishë zgjedhjet.

Polloja, që me sa dukej kishte qenë furnizuesi kryesor me materiale të tilla, vazhdonte të rrinte në fund të dhomës dhe po i ndiqte me indiferentizëm ato që ne po bisedonim, por edhe i gatshëm të merrte pjesë në bisedë.
U vendos një heshtje e sikletshme.
- Nuk e di... ai thotë se mund të shkojë edhe në balotazh... - e theu heshtjen Polloja.
Tonet fillestare, gjysmë entuziaste dhe gjysmë cinike, ndërkaq kishin rënë, por sidoqoftë ndihej i gëzuar.
- Urdhëro? - ia ktheu Berisha, që u duk se u shkund papritur nga pauza që u vendos pas ngecjes së bisedës për vëzhguesit e huaj.
- Me kë fole? - e pyeta unë me zë më të ulët Pollon, për ta lehtësuar me këtë rast edhe kuptimin e fjalës "urdhëro", që Berisha e kishte instinktive, kur nuk donte të dëgjonte atë që dëgjonte.
Ndonëse Polloja ia dinte mirë këtë zakon, u kap në befasi.
- Me sekretarin e Bertit fola, me Dashin, - u përgjigj. - Vetëm ai ka telefon direkt te Turizmi.
Ndërkaq, në zyrën e Sali Berishës, ditën që zgjedhjet po kurorëzoheshin, Genci po ma kujtonte se kush ishte Dashi. Dhe mua m'u kujtua "pashallëku" i vogël që ata kishin krijuar në Përmet. M'u kujtua flokëgjati, sherret, dhuna. M'u kujtua Berti, që komandonte gjithçka, si dhe kryetari i PD-së, por edhe një shef komisariati nga Kuçova, që mbante flamurin e PD në makinë... Për një çast mendova se vërtet ata mund të kishin ndihmuar për një fitore thuajse të dhunshme.

Në heshtjen që pasoi mes fjalive të shkëputura të Pollos për fitoren e pritshme në Përmet dhe hezitimeve të Berishës për ta vazhduar atë bisedë që nuk donte ta dëgjonte, pulti i televizorit të tij rikthehej gjithmonë te TVSh-ja. Dy "yjet" e emisionit të lajmeve, Reiz Çiçoja dhe Vjollca Vokshi, ishin si në ekstazë. Vjollca shpalli fitoren në Skrapar. Ajo tha se sapo kishte pasur një telefonatë nga deputeti i PD-së në Skrapar dhe se ai konfirmonte fitoren e PD-së në bastionin "e kuq".

Berisha u përmend.
- Në Skrapar? - Mori në dorë telefonin. - Ore zotëri, ç'është ky Skrapar që jepni në televizion? S'kanë mbaruar zgjedhjet akoma. Ç'i keni këto? Nuk fiton PD-ja në Skrapar... Urdhëro? Jo, jo, nuk fiton... jo, shikojeni mirë, mos bëni marrëzi këtu.
E mbylli celularin me nervozizëm.
Duhej të ishte dikush nga TVSH-ja. Ai institucion ishte kthyer papritur në supershtet. Caktonte mandate, hiqte mandate, shpallte rezultate dhe të gjitha pastaj certifikoheshin ashtu siç shqiptoheshin aty.

Biseda ngeci përsëri. Berisha lëvizi me pult disa stacione dhe dëgjonte me nervozizëm. Ilir Meta, i alarmuar ndërkohë, kishte filluar të çonte mesazhe që të mos i prekej mandati. Më ra disa herë telefoni dhe më duhej të dilja jashtë për t'u përgjigjur. Artur Kopani, një reporter i gazetës Albania, që mbante lidhjet me Ilir Metën, ma konfirmoi i shqetësuar këtë gjë. Thashë të mos bëhej merak se gjithçka ishte në rregull.

Kur u futa sërish në dhomë, heshtja vazhdonte. Berisha ngriti kokën se mos kisha ndonjë lajm, por unë e mbylla me një "asgjë".
Ilir Meta është shqetësuar, - i thashë pastaj.
Ashtu? Normale që do të shqetësohet. Këta janë të papërmbajtur... domethënë... hëm! - Shfryu dhe nëpër dhëmbë përmendi emrin e Kudret Çelës, kandidat i PD-së në Skrapar. Pastaj, për inerci, u kthye nga Polloja: - Genc, ti nuk ke fituar në Përmet! Nuk besoj... pyet edhe një herë!
Ishte një fjali krejt e papritur dhe e ftohtë.
Ja, të pyes, - tha Genci dhe u ngrit e shkoi përsëri tek telefoni. Përsëri ai Dashi dhe pas pak, Genci erdhi më i skuqur.
Në balotazh, më duket, - tha. - Akoma nuk kanë ardhur disa zona. - U bënë shumë fitore, - i thashë Gencit.
Nuk ka ndonjë gjë. Kur je mbi 50 për qind, ç'bëri 51 për qind, ç'bëri 90 për qind, shumicë je. Nuk prish ndonjë punë.

Ishte një fjali që e bënte të panevojshme zgjatjen e bisedës. E tha me qetësi dhe ishte një përpjekje për të më treguar se ai nuk mund të hynte te pjesa që duhej të sakrifikohej. Për të, mbetja jashtë Kuvendit nënkuptonte fundin e karrierës. Ai vuante nga një paranojë se Berisha e kishte çuar në Përmet për ta hequr qafe. Në fakt, nga kjo paranojë vuante thuajse gjithë pjesa e PD-së që konsiderohej e "largët" me Berishën. Duke qenë shumica jugorë, ata ishin kandiduar në zonat e Jugut, ku PD-ja ishte pakicë. Ata e kishin konsideruar këtë si një përpjekje të Berishës për t'i nxjerrë jashtë loje. Megjithëse Berisha, për t'i përkëdhelur në sedër, kishte deklaruar se "në zonat më të vështira do të çoj më të mirët", sërish ata ishin xhindosur më shumë. Agron Musaraj, ministri i Brendshëm, që dukej se kishte distancë nga Berisha, e shprehte hapur këtë në Berat dhe pikërisht në emër të kësaj mërie të heshtur, bëri sa më pak kujdes që ta fshihte manipulimin.

Më vonë, ky ishte një arsyetim i Berishës në rrethe të ngushta, që e fajësonte këtë grup për prishjen e zgjedhjeve në shenjë hakmarrjeje. Por ky argument ishte i dobët, sepse ky grup e drejtonte gishtin mbi dyshen Shehu-Gazidede, që komandonin struktura të paidentifikuara civile ditën e zgjedhjeve, sidomos paradite, që kanosnin dhe bënin presion.

Ra telefoni dhe Berisha përshëndeti në anglisht. Ishte një bisedë miqësore dhe njëkohësisht shumë shpjeguese për situatën. Po fliste me Qemal Dervishin, nëndrejtorin e Bankës Botërore, një mikun e tij të vjetër me origjinë të largët nga oxhaku i Konicës dhe Ali Pashë Tepelenës. Përpiqej të ishte entuziast, por ndihej një tronditje që i përshkonte tejpërtej emocionet e bisedës. Puna sillej përsëri te bojkoti i opozitës. Këtu Berisha ishte pak skematik në shpjegim. Ishte i detyruar të kishte si argument kryesor mospajtimin e tyre me humbjen dhe braktisjen e fushës së betejës.

Më pas, një telefonatë tjetër. Dhe kjo në anglisht fillimisht, pastaj në shqip. Dukej se ishte një shqiptaro-amerikan. Por nuk e pyeta se kush. Dy telefonatat e kishin sjellë pak në humor. Biseda u hap përsëri dhe ai e pyeti Pollon:
- Hë, ç'ka ndonjë lajm?
- Asgjë, - tha Genci, i cili mendoi se e pyeti për Përmetin. - Ata thonë balotazh.
Kush thotë balotazh?
Ata në Përmet.
Ëhë... jo, unë pyeta për ndonjë gjë tjetër.
- Jo, asgjë.
Ra sërish zilja e telefonit.

- Ashtu? E po, mirë atëherë. Po, po, do të vij. Menjëherë. Ja, u nisa. -- Ndërkaq, u kthye nga ne të dy: - Është Tritan Shehu... Janë mbledhur njerëzit te partia dhe duhet të shkoj. Atje po festohet. Ne më duket se kemi humbur lidhjet me njerëzit. Ata e projektojnë këtë si një fitore të madhe, kurse ne rrimë e nxijmë këtu...
U ngritëm. Genci u përpoq sërish të pyeste, këtë herë me celular, nëse kishte dalë rezultati, por Berisha, që ndërkaq kishte ardhur paksa në formë, ia preu:
- Lëre, Genc, se ai rezultat nuk del sot... nesër del.

-vijon, dikur-


  Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 9 10 11 12 13 14 15 16 17 [18] 19 20 21 22 23 24 25 26 27 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.