Forumi Horizont | Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 173 174 175 176 177 178 179 180 181 [182] 183 184 185 186 187 188 189 190 191 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)
LAMTUMIRE LULISHTJA IME!
LAMTUMIRE LULISHTJA IME!
26/04/2010Artan LameLAMTUMIRE LULISHTJA IME!
SHQIPNI TAVOLINASH
Dikur shqipot e shoqëronin kafen me gurët e tavllës. Kafja na ka mbetur, ndërsa tavlla ka dalë mode me kohë e vakt, duke u zëvendësuar radhë pas radhe me ç’të sjellë dita. Këta dy muajt e fundit kafen e shoqërojmë me muhabetet pa fund të sheshit Skënderbe. Edhe vetë u përfshiva kokë e këmbë në këto debate, duke e mbrojtur me zjarr projektin e Bashkisë, nisur nga akti i thjeshtë që ky projekt anulonte ndërtimin e godinave brenda sheshit, godina të parashikuara nga projekti i mëparshëm, ai francez. E mbrojta edhe për arsyen se më thanë që Lulishtja, ose siç i kemi thënë në zhargon “Gropa e Skënderbeut”, nuk do të prekej. Ca ditë më parë, ndjeva një thikë në shpinë. Ndërsa nëpër studio televizive mbroja studimin e Bashkisë, atje në shesh buldozerët dhe matrapikët shkatërruan pa mëshirë Lulishten e Skënderbeut.
Kur italianët projektuan Kompleksin e Ministrive, Lulishtja e famshme as ekzistonte e as nuk bënte pjesë në projekt. Por, gjatë realizimit, u vu re se ministritë, që aso kohe ishin dy-katëshe (kati i tretë ju shtua në vitet ’60), dukeshin jo shumë impozante për shkak të hapësirës së madhe. Për këtë arsye, për të krijuar iluzionin e një lartësie më të madhe, u vendos të krijohej një lulishte e thelluar aty midis tyre. Pikërisht ky ka qenë momenti dhe arsyeja fillestare e ndërtimit të Lulishtes. Ideja funksionoi dhe shumë shpejt kjo Lulishte u bë dhe do të mbetej për mbi 70 vjet vendi më simbolik i qendrës së qytetit. Megjithëse në qendër të Sheshit Skënderbej u ndërtua një shatërvan i madh, ai nuk ushtroi asnjëherë tërheqjen që kishte Lulishtja.
Dhe në fakt, në koleksionon tim kam fotografi të njerëzve që bënin fotografi brenda kësaj lulishte që në vitin 1932, por nuk kam gjetur asnjë të asaj periudhe të bërë tek shatërvani i madh i sheshit.
Në nëntor 1937, në këtë lulishte u organizuan festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë. Me këtë rast, shtyllat e dritave përreth u zbukuruan me shqiponja të mëdha dykrerëshe dhe në qendër të Lulishtes u ngrit një monument i madh i përkohshëm. Në majë të tij u krye ngritja ceremoniale e flamurit kuq e zi, ndërsa nga piedestali i tij u mbajtën fjalimet e rastit.
Në shtator 1938, në Lulishten e Skënderbeut u organizuan festimet e 10 vjetorit të shpalljes së Monarkisë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë u mblodhën grupe folklorike që pikërisht aty dhanë koncerte për ditë me radhë. Sërish aty u ngrit një monument i përkohshëm që përkujtonte ngjarjen.
Në nëntor 1939, në Lulishte u organizua ceremonia e dorëzimit të flamurit të ri shqiptar. Shqiptarët kishin ndërruar mbretin, por prapë ceremonitë nuk ju shkëputën kësaj Lulishteje.
Në vitin 1942 në Lulishte u organizuan festimet me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë. Me këtë rast në qendër të saj u ngrit një tjetër monument i përkohshëm, mbi të cilin u vendos një shqiponjë e madhe dykrerëshe. Kjo shqiponjë ishte marrë nga Monumenti i Lirisë, i ngritur në vitin 1938 në vendin ku sot gjendet Godina e Universitetit, në fund të Bulevardit. Monumenti u prish për t’i lënë vend Korpusit të Universitetit, por italianët, si ustallarë të kujdesshëm të artit, shqiponjën e ruajtën dhe e vendosën në Lulishten e qendrës.
Odiseja e kësaj shqiponje nuk mbaroi me kaq. Në vitin 1945, në këtë lulishte u ngrit një tjetër monument i përkohshëm për të përkujtuar të rënët partizanë të Luftës. Shqiponja e kohës së Zogut, që ishte përdorur pas tij nga italianët, u përdor sërish kësaj radhe nga zotërit e rinj të Shqipërisë.
Florestano De Fausto, arkitekti i famshëm italian që e projektoi, shënon në dizenjot e veta se Lulishtja duhej të mbillej me pemë me kurorë të gjerë por jo shumë të larta. Arsyeja ishte që ato duhej të bënin shumë hije për njerëzit që do qëndronin në lulishte, por nuk duhej të ishin shumë të larta për të mos penguar pamjen e Ministrive. Në vitet ‘50 ky amanet i projektuesit u la mënjanë dhe në lulishte u mbollën 10 bredha (cedrus) me origjinë sovjetike. Ishim në epokën e tyre tashmë, ndërsa epoka italiane kish marrë fund. Me kohë bredhat u bënë gjigantë, por megjithatë edhe ata u kthyen në pjesë e pandarë e historisë së Lulishtes.
Në vitin 1959 Hrushovi vizitoi Tiranën. Gjatë kësaj vizite, ishte parashikuar që ai, pas një ceremonie të organizuar në Bashkinë e qytetit (e hedhur në erë në vitin 1979), të shkonte më këmbë deri në Parkun Rinia, ku do të mbillte “Pemën e Miqësisë”. Belaja qëndronte në faktin që do të duhej të kalonte pranë statujës së Stalinit, që aso kohe ngrihej në vendin e sotëm të Skënderbeut dhe kjo nuk ishte normale, pasi sovjetikët e kishin dënuar ndërkaq figurën e Stalinin që prej disa vjetësh. Zgjidhja u gjet që, kur Hrushovi i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe turma e njerëzve kaluan anash Lulishtes, mbi bordurën rrethuese të saj, ishin vendosur një radhë njerëzish me pankarta të mëdha në duar, të cilat e maskonin disi pamjen e monumentit të baba Stalinit.
Zakoni i qëndrimit në Lulishte i fotografëve është shumë i vjetër dhe i ka fillimet që me krijimin e saj në vitet 30. Zakoni vazhdoi edhe pas lufte madje fotografët u shtuan dhe nuk ndryshoi edhe pas viteve ’60 kur profesionet u shtetëzuan.
Si çdo gjë që jeton më shumë se një brez njeriu, Lulishtja ka përjetuar edhe tragjedi. Në fillim të viteve ’60, kur në qendër të lulishtes u ndërtua një shatërvan, një vajzë 2-vjeçare ra në basenin me ujë dhe u mbyt. Mbytja ishte aksidentale dhe gazetat nuk shkruan, pasi aso kohe të tilla gjëra mbeteshin vetëm në kujtesën e njerëzve dhe jo të medias.
Midis 300.000 tiranasve të lindur e rritur në këtë qytet, zor të më gjeni aq sa të numërohen me gishtat e duarve, që të thonë se nuk kanë bërë të paktën një foto të tyren në këtë Lulishte. E njëjta gjë ka ndodhur me gjyshërit e etërit tanë në të ri të tyre, me ne kur kemi qenë të vegjël, kur kemi shkuar me shokë e miq atje, pionierë me shall në qafë pas parakalimit, fshatarë që zbrisnin për herë të parë në Tiranë, ushtarë që merrnin liridalje në qytet, studentë që takonin të dashurat, gjyshër që çonin nipërit, nëna plaka që nga provinca e linin vendtakimin me djalin student tek lulishtja si i vetmi vend ku nuk humbisje.
Kam qenë vetëm pak më i madh se një vjeç kur tezja ime ka bërë një fotografi tek bordura e shatërvanit të Lulishtes. Tezja ime nuk jeton më, por foton e kam ende. Zor të gjej mes jush, ndokënd që nuk e ka në shtëpi një foto të ngjashme.
Kur e projektoi, Florestano De Fausto parashikoi vendosjen në krye të Lulishtes të një monumenti, por pa e konkretizuar idenë. Në përmbysje të çdo logjike, në vitin 1951, aty tek vendi ku italianët kishin parashikuar të vendosnin Skënderbenë e shqiptarëve, shqiptarët vendosën Stalinin e sovjetëve. Vite më pas, në vitin 1967 korrigjimi u bë. Stalini u zhvendos dhe vendin e tij e zuri Skënderbeu.
Në muajt e fundit të vitit 1990, Bordura e Lulishtes ishte kthyer në vendin më të kërkuar të rinisë tiranase të etur për ndryshime. Të ulur në atë bordurë, bëheshin bisedat më të rrezikshme kundër regjimit dhe madje aq u bë e ditur kjo, sa të gjithë gazetarët e huaj që në ata muaj vizitonin Tiranën që po vlonte, qëndronin pikërisht tek ajo bordurë.
Në vitin 1998 Lulishtes ju ndërrua emri, apo më mirë të themi ju dha një emër zyrtar “Sheshi Europa”. Natyrisht që askush nuk e thirri me emrin e ri, pasi lulishtja nuk kishte nevojë për emër por për restaurim.
Në vitin 2000, i gjithë aksi i bulevardit bashkë me kompleksin e ministrive dhe Lulishten, u shpallën me zhurmë e bujë “Ansambël Monument Kulture” dhe filloi e famshmja nismë “Kthim në identitet”. Nuk është vendi të them rolin tim në gjithë këtë proces, por mora frymë i lehtësuar duke menduar se më në fund kjo pjesë e trashëgimisë sonë shpëtoi përgjithmonë.
Në vitin 2007, e gjithë Lulishtja ju nënshtrua një procesi të thellë restaurimi dhe rikonstruksioni që, në një farë mënyre, i ktheu një pjesë të shkëlqimit të dikurshëm. U duk sikur lulishtja plakë, që kish rrojtur më shumë se kushdo prej banorëve të qytetit, do vazhdonte jetën e saj e pa shqetësuar. U duk sikur përreth saj do vazhdonin të ndodhnin ngjarje, të mbante njerëz e të përcillte festa, të shkëlqenin e të binin politikanë, ndërsa ajo, do të qe regjistruesja e përjetshme e ritmit të jetës së qytetit.
Janë pafund tregimet, novelat a romanet, në faqet e të cilëve vërtitet Lulishtja e Skënderbeut, ashtu siç është edhe nëpër fotografi e piktura që prej viteve ‘30. Ajo Lulishtja që s’është më, ndërsa do jetë në faqet e mbyllura të librave dhe në muret e galerive. Edhe në dokumentarë e filma e gjen pafund, ku do mbetet në celuloid ndërsa ne do mallkojmë pse e prishën, siç mallkojmë sa herë shohim ato pamjet ku hidhet në erë me dinamit në vitin 1979 Bashkia e vjetër. Ndërsa për Lulishten veç mallkimit, do vëmë edhe buzën në gaz, se do na kujtohet e famshmja skenë ku Kapedani hedh copat e grisura të letrës tek shkallët e Lulishtes, duke thënë “Këtu gratë i paskan bërë terbiet”.
Projekti i parë i Sheshit ka qenë italian, pastaj vunë dorë sovjetikët, pastaj kinezët që dhanë idenë e sheshit gjigant. Pastaj mbërriti studimi francez dhe pas tij projekti belg. Monumenti i dikurshëm i Stalinit i derdhur në bronx erdhi nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa Monumenti i Skënderbeut që e zëvendësoi, u derdh në Firence. Në fund mbërritën paratë nga Kuvajti për ta rindërtuar sheshin. Të gjithë kombet e botës kanë vënë dorë në këtë shesh e lulishte, ndërsa ne shqiptarët që duhej veç t’i ruanim kujtimin, bëmë të kundërtën e prishëm.
Më thonë se lulishtja që do ngrihet në vend të asaj që u prish, vërtet do të jetë e ndryshme, por sidoqoftë do të jetë e bukur. Nuk po e vë në diskutim këtë fakt, edhe e bukur mund të jetë, por u ngrit duke zhdukur një simbol të kujtesës sonë edhe kështu të rrudhur. Do ishte njësoj sikur të më thoni që do prishim Koloseun në Romë dhe do ndërtojmë aty një park lodrash për fëmijë. I bukur do jetë parku i lodrave, por do zhdukë një monument të kujtesës njerëzore, apo jo!
E bëra gjithë këtë nekrologji, të cilës secili prej jush o lexonjës mund t’i shtojë pjesëza nga jeta e vet, sepse nuk desha t’i hyj lojës së neveritshme me leje pa leje, u firmos projekti apo s’u firmos fleta, e miratoi KRRT-ja apo s’e miratoi KRRTRSH-ja. Përtej gjithë këtyre “gër mër”-eve, qëndron kujtesa jonë e përbashkët, të cilën s’duhej të guxonte njeri ta prekte, se për kujtesën s’ka nevojë për licencë. Mirëpo kam përshtypjen se po tallen me ne, duke na trajtuar si grumbull mizash, mendimi i të cilave nuk vlen dhe që vetëm japin bezdi me praninë e tyre rreth pjatës së supës. Para se të nxeheni duke thënë se nuk jeni miza, duhet të më thoni nëse ju pyeti kush, kur vendosën që të na i zhdukin edhe këtë pjesëz kujtese. Lamtumirë Lulishtja ime.
Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 173 174 175 176 177 178 179 180 181 [182] 183 184 185 186 187 188 189 190 191 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.