Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Shenjat e "lindjes" te nje Diktatori (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17956)
Postuar nga Vizioner datë 10 Tetor 2010 - 23:19:
Citim:
Po citoj ato që tha Vizioner
Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.
Nga Mero Baze
-pjese nga libri "1997"-
Mëdyshjet e Berishës mes Greqisë e Serbisë
Ndërsa po udhëtoja nga Vlora për në Tiranë, pas intervistës me ish-Presidentin Xhorxh Bush, në Fier takova dy drejtuesit e gazetës RD, që po ktheheshin nga Greqia. Lazër Stani më tregoi se kishte qenë në një hotel me tre liderët e opozitës në Athinë. Ishte takuar me Janis Repasin, zëdhënësin e qeverisë greke. Më bëri përshtypje fakti që Repasi kishte theksuar se "Greqia dëshiron që kjo gjendje stabiliteti dhe qetësie të vazhdojë, pasi është në dobi të rajonit të Ballkanit". Argument kryesor në favor të qeverisjes së administratës së Partisë Demokratike ishin, në të vërtetë, rendi dhe qetësia. Vlora ishte në atë kohë qyteti ku mund të pushonte një president amerikan. Disa muaj më vonë, u pa se zëdhënësi i qeverisë greke kishte goditur në shenjë, kur kishte "uruar" me cinizëm që kjo qetësi dhe ky stabilitet të vazhdonte në Shqipëri. Në Vlorë, një vit më pas, nuk jetonin dot më as banorët e saj.
Por përshtypja që kishte lënë zëdhënësi grek te njerëzit e shtypit të PD-së ishte e mirë dhe ata mendonin se, me pak punë, Berisha mund t'i përmirësonte raportet me Greqinë. Gjatë fushatës elektorale të 26 majit, ai bëri kujdes që këto marrëdhënie t'i vlerësonte si pozitive. Alfred Serreqi, si ministër i Jashtëm, kishte vizituar Greqinë në mes të fushatës dhe kishte marë premtime për legalizimin e emigrantëve shqiptarë. Në prill ishte nënshkruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve dhe qenia e Teodor Pangallosit si ministër i Jashtëm e kishte zbutur ndjeshëm situatën. Berisha përpiqej të bënte ndarje të fortë mes lobit grek në SHBA dhe qeverisë greke, që sipas tij ishte aleatë me Berishën. Askush nuk e kuptonte dot sa ujë kishte rrjedhur poshtë karriges së pushtetit të Berishës, derisa turbullira u shfaq hapur. Një natë më pas, kur Berishës po i komentoja përshtypjet e drejtuesve të RD-se nga takimi me Repasin, ai u bë i heshtur.
- Nuk e di, s'i kuptoj këta greket, - tha. - Këta duhet të jenë idiotë. Këta nuk e kuptojnë që është hera e parë që ky vend u ofron miqësi atyre. Unë u kam ofruar miqësi. Ndryshe, ky vend e ka pasur gjithmonë hapur derën në Beograd. Nuk e kuptojnë këta që ne, po të duam, një telefonatë larg e kemi Beogradin....
Ishte një shfrim i rrjedhshëm, pa asnjë pengesë logjike në tentativën për të përzier analizën historike me nevojën për të ruajtur pushtetin. Mua më ra si bombë ideja qe ne e paskëshim shumë të lehtë miqësinë me Serbinë. I lindur dhe rritur në Jug, me një distancë edhe kulturore për ish-Jugosllavinë, por shumë i lidhur emocionalisht me Kosovën, papritur, m'u duk vetja i pagdhendur për këto punë. Berisha ndoshta e kapi hutimin tim dhe vazhdoi:
- Po, kështu është, domethënë, s'e kuptoj këtë injorancën e tyre. Po këmbëngulin pafund për luftë mes nesh. Mos shiko ti se kush është tani në Beograd, por i sigurt të jesh ti që ata e dinë që ne atje e kemi pas gjithmonë një ofertë gati. Ne... domethënë Shqipëria... nuk e kam fjalën konkretisht ne si qeveri...
Ishte një përpjekje e shpejtë, por e qetë, për të ma larguar idenë se edhe ai vetë e kishte një ofertë gati në Beograd. Një shpjegim i rrëmujshëm, mes shfajësimit për keqkuptimin e mundshëm dhe një të vërtetë historike që në Veri të Shqiperise nuk ishte aq e panjohur dhe e largët sa në Jug. Aleancat e Zogut dhe qeveritë provizore rebele të mirditorëve që nuk pajtoheshin me krerët e shtetit të ri shqiptar, e kishin zbuar këtë paragjykim që, per mua, ishte një tabu. Berisha ndërroi bisedë, por hutimi im, i ngecur me sa dukej në shpërqëndrimin e mëtejshëm të bisedës, na riktheu sërish tek ish-Jugosllavia dhe Greqia, si dy fqinje me shanse të ndryshme për miqësi me Shqipërinë. Shihej qartë që, nëse në Beograd nuk do të kishte qenë Milosheviçi dhe nuk do të ndodhte ajo që kishte ndodhur, pra nëse ne do t'i fillonim proceset demokratike kur në Beograd të kishte pasur një qeveri më liberale, orientimi ynë do to kishte qenë Beogradi. Kur e mendoja ftohtë herë pas here këtë, s'më dukej dhe aq shokuese sa ç'mu duk në atë cast që e dëgjova nga Sali Berisha. I pamësuar të jetoja me idenë se kemi fqinjë Serbinë apo Malin e Zi, madje i ndodhur dhe shumë larg kulturës së tyre politike, më dukej si sforcim. Por sërish, kur e ripërtypja, kur mendoja për raportet e politikanëve kosovarë me Beogradin, raportet e politikës shqiptarë deri në vitin 1948 dhe kur, një çast, mendoja se Sali Berisha ishte ndoshta politikani që e njihte më mirë Serbinë dhe Kosovën, e justifikoja për atë që tha. Pastaj turbullohesha sërish kur më shfaqej fantazma e martesës së tij me një grua me origjinë serbe, si dhe disa shkrime te egra, botuar në shtypin e Kosovës për lidhje të familjes së saj serbe me krerë të UDB-së. Dilemat për këtë lidhje gjenealogjike, që zgjonte ndjesi të panjohura tek unë, me shtynë një dite që të pyesja vetë Liri Berishën për origjinën e nënës së saj serbe, një grua që ka jetuar me dinjitet, për aq sa të lejonte diktatura, si "grua jugosllave" në Tiranë. Ishte e pabesueshme, por në fund të shpjegimit të saj, unë isha më i paqartë se në fillim. Nuk më tha asnjë fjali të qartë, përveç faktit që nëna e saj ishte një jetime nga Vojvodina, që nuk kishte fis dhe që u martua me babanë e saj, Rexhepin, i cili ishte me origjinë nga Vuthaj, një fshat shqiptar, tashmë nën territorin e Malit të Zi. Martesa ishte bërë në vitet kur Shqipëria me JugosIlavine ishin në "muajin e mjaltit". Akuzat që i bëheshin Liri Berishës lidheshin me faktin se motra e nënës së saj (d.m.th. tezja e saj) në Beograd kishte qenë pjesë e OZNA-s, ndërsa djali i tezes së saj u bë më pas një njeri i afërt i Milosheviçit. Gjithçka ishte mes spekulimit dhe së vërtetës. Përkundër kësaj, nëna e Liri Berishës, si shumë gra të huaja të martuara me burra shqiptarë gjatë komunizmit, ishte një grua që vuajti pasojat e kësaj martese. Asaj iu desh të dëshmonte në gjyqet e organizuara ndaj shoqeve të saj, duke bërë ç'të mundte që të mos e lëndonte të ardhmen e tyre.
Lidhja e tij e fortë me gruan e vet ishte dimensioni më i padukshëm në publik. Hija e fortë e pushtetit të saj mbi të nuk hetohej, po të mos e njihje nga afër. Për shumë shqiptarë, edhe në ditët më të zeza të Berishes, ajo ishte një ëngjëll. Vetëm në ditët e para të trazirave në Vlorë u hodhën parulla kundër saj. Ishte ndoshta një instinkt i njerëzve të revoltuar ndaj dy grave që dukej se përfaqësonin pushtetin e tij: Vjollca Vokshit dhe Lirisë. Askush tjetër në Shqiperi nuk i ka hetuar dot shenjat e pafuqisë së tij të madhe para një gruaje. Vetëm një shoqëri mashkullore, siç besohet që është Vlora, e ka gjithmonë të ngritur çarkun e dyshimit në këtë pikë. Në të vërtetë, ajo ka pasur dhe ka pushtetin real mbi njeriun që nxiton të gllabërojë çdo pushtet. Dhe nuk di ta shpjegoj nëse mania e tij për superpushtet është një lloj kompensimi nga oksigjeni i rralluar i pushtetit prej pranisë së saj. Është një raport që meriton një vështrim të thellë, që të depërtojë përtej çasteve personale, komplekseve të tij ndaj jetës së qytetit, kuriozitetit për origjinën e saj dhe, mbi të gjitha, sigurinë që i ka dhënë ajo si një grua që e mbronte nga çdo ekspozim i pafuqisë së tij para syve të të tjerëve.
Vonë, shumë vite më vonë, kur raportet e Berishës me Greqinë filluan të shkëlqenin dhe ai bëri lëshime për fqinjin tonë jugor më shumë se ç'do të kishte bërë Nikolas Gejxhi, po ta bënim kryeministër të vendit, e kuptova qartë se mëdyshjet e mia për raportet e tij me serbët ishin një flluskë sapuni. Nuk kishte në to asgjë nostalgjike apo historike. Ato ishin thjesht një mundësi pushteti. I lodhur nga lufta me Greqinë dhe shkuarja drejt greminës prej kësaj lufte, ai sillte në mendje aleanca të tilla dhe atë shprehjen që më tronditi gjatë: "Këta grekët qenkan idiotë, nuk e dinë këta që ne Beogradin e kemi gati...". Ishte një shfrim në çastet e tij të vështira, kur ai nxitonte të sillte në mendje gjithçka që ne të tjerëve na dukej e pamundur: serbët, islamikët dhe, pse jo, uniformat ushtarake.
Dhe në këtë përpëlitjeje për aleanca, duket se lufta e Bosnjes dhe angazhimi i tij krah Izetbegoviçit, të cilit i dhuroi avionë pa fund me armë që niseshin nga aeroporti i Gjadrit në Lezhë, luajtën një rol të rëndësishëm. Njerëzit kyç me të cilët ai i ndërtoi këto raporte janë ende sot protagonistë të mafies ballkanike të armëve dhe krahut financiar të Al Qaeda-s në Ballkan, një përzierje nga më të rrezikshmet, që përfshin në mënyrë të çuditshme brenda saj boshnjakë myslimane, serbo-boshnjakë, sudanezë, libanezë, zviceranë. Dhe e vetmja lidhje në pushtet e tyre është ende kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nuk ka neglizhuar askënd prej tyre. Historitë e vrullshme të tregtive të armëve pas vitit 2005 ringjallën pikërisht këto lidhje dhe këta emra, e lulëzuan industrinë e trafikut të armëve, fishekëve dhe raketave nga Shqiperia me Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, drejt botës arabe, kryesisht drejt hezbollahëve dhe Iranit. Në qarkullim janë të njëjtit njerëz nga mafia ish-jugosllave, të njëjtat lidhje, që zënë fill nga krahu islamik i kabinetit të presidentit të ndjerë boshnjak Izetbegoviç, si dhe të njëjtit njerëz që u angazhuan nga kjo botë në procesin e rikthimit të tij në pushtet.
Ishin ky treg që i nxiti familjaret e Berishës të përfshiheshin në projektin ogurzi të demontimit të armëve në Gërdec, që nuk do të kishte dalë kurrë në dritë si një histori e pistë biznesi, sikur "aksidenti teknologjik" të mos na verbonte sytë të gjithëve me trupat e pajetë të 26 vetëve, mes të cilëve gra, fëmijë dhe qindra shtëpi të shkatërruara.
Të gjitha hamendjet se Berisha ishte një nacionalist që e çoi vendin drejt shkatërrimit në vitin 1997, rezultuan false. Rikthimi i tij në pushtet provoi se ai është politikani që ka vendosur raporte tërësisht vëllazërore me qarqet më nacionaliste greke dhe që ka instaluar në Shqipëri bizneset më të fuqishme të ish-mafies jugosllave, që kanë qenë pararojat e nacionalizmave sllave në Ballkan. Në këtë pikë Berishën mund ta quajmë më shumë një aleat të madh të nacionalistëve fqinjë, se sa një nacionalist shqiptar. Interesi i tij i vetëm është pushteti në Tiranë dhe për këtë ai është i gatshëm të tërheqë në vallen e interesave të veta gjithkënd që i rrezikon qoftë edhe pak fare pushtetin e vet.
-vijon-
p.s. A nuk mjaftojne keto FAKTE, te cilat une i kam theksuar me ngjyre te zeze, per ta cuar kete njeri perpara Drejtesise????!!!!!
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.