Forumi Horizont Gjithsej 147 faqe: « E parë ... « 10 11 12 13 14 15 16 17 18 [19] 20 21 22 23 24 25 26 27 28 » ... E fundit »
Trego 147 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja Islame (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=183)
-- Islami dhe te drejtat e gruas ne te. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=4686)


Postuar nga El_Fatih datë 26 Prill 2004 - 16:48:

Gruaja ne islam

Shume flitet per gruan , akuzohet islami se gruan e shperfill apo apo ....
si eshte e verteta , per kete kam sjelle kete material per ata qe jane te interesuar :


LIGJERATA E LAMTUMIRES



(Kjo ligjëratë -hutbe- e Lartësisë së Tij Profet-Paqja e Allahut qoftë mbi Të-është mbajtur si testament para më se njëqind mijë muslimanëve në vitin 632 e.r. I Dërguari i Madh, pasi lavdëroi dhe lartësoi posaçërisht Allahun, urdhëroi kështu



O njerëz!

Ma dëgjoni mirë fjalën! S’e di, ndoshta pas këtij viti s’do të mund të bashkohem më me ju këtu përjetësisht.

Njerëz!

Ashtu siç ju respektohen si gjëra me vlerë kjo ditë vigjiljeje (arife), ky muaj pelegrinazhi (haxh) dhe ky qyteti juaj, Meka, po kaq janë të respektuar edhe shpirti, malli dhe nderi juaj që janë të mbrojtur nga çdo lloj dhunimi.

Shokë të mi!

Nesër do të shkoni pranë Zotit tuaj dhe do të merreni në pyetje për të gjitha qëndrimet dhe veprimet tuaja të sotme. Kujdes, pas meje, në asnjë mënyrë të mos ktheheni në zvetënimin tuaj të dikurshëm e t’i prisni kokën njeri-tjetrit! Këtë porosinë time të pranishmit t’ua bëjnë të ditur të tjerëve. Mundet që dikush të cilit iu bë e ditur porosia, duke e kuptuar më mirë se ai që e dëgjoi vetë, ta ruajë atë.

Shokë të mi!

Cilido që të ketë ndonjë amanet, t’ia japë të zotit. Eshtë hequr çdo lloj përqindje interesi (faiz); e kam vënë nën këmbë. Megjithatë, jeni të detyruar të jepni borxhin themelor. As mos shkatërroni të tjerët, as mos u shkatërroni vetë. Më në fund, me urdhër të Allahut, është ndaluar marrja e interesit. Kam vënë nën këmbë çdo formë të këtij zakoni të mbrapshtë të mbetur nga koha e injorancës. Interesi i parë që hoqa, qe interesi i xhaxhait tim, Abbasit, biri i Abdylmuttalibit.

Shokë të mi!

Gjakmarrjet e nxitura në periudhën e injorancës janë hequr plotësisht. Gjakmarrja e parë që kam hequr, është ajo e kushëririt tim, Rebiait, nipi i Abdylmuttalibit.

O njerëz!

Sot djalli në këto tokat tuaja e ka humbur përjetësisht forcën e rivendosjes së ndikimit dhe të së drejtës së tij. Por ju, veç këtyre gjërave që ndalova, në se në gjëra që do t’ju dukeshin të vogla, do t’i vinit për shtat atij, kjo do ta kënaqte atë. Për të ruajtur fenë, duhet të ruheni edhe prej gjërave të tilla.

Njerëz!

Ju këshilloj të merrni parasysh të drejtat e grave dhe, për këtë veçanti, të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; duke dhënë fjalën në emër të Allahut, ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë dhe ato kanë të drejta mbi ju. Eshtë e drejta juaj që, edhe në se nuk i jepni kënaqësi folesë së tyre familjare, gratë nuk duhet ta marrin nëpër këmbë atë me anë të dikujt tjetër. Në se nuk do ta miratonit një gjë të tillë dhe në se do të sillnin një tjetër në çerdhen tuaj familjare, mund ta ndaloni duke përdorur masa detyruese të drejta. Dhe, e drejta e grave mbi ju është që t’u siguroni atyre çdo veshje e ushqim në përshtatje me fenë dhe traditën.

O besimtarë!

Po ju le një amanet të tillë që, po të lidheni fort pas tij, nuk e ngatërroni rrugën assesi. Ai është Kurani, Libri i Allahut. Besimtarë! Ma dëgjoni mirë fjalën dhe thellohuni mirë në të! Muslimani është vëlla për muslimanin, kështu që të gjithë muslimanët janë vëllezër. Cënimi i çfarëdo të drejte që i përket një vëllai tuaj të fesë, nuk miratohet përderisa ta ketë dhënë vetë me kënaqësi.

Shokë të mi!

As veten mos e dëmtoni. Mbi ju qëndron edhe e drejta e vetes.

Njerëz!

Allahu Famëmadh i ka dhënë (në Kuran) gjithësekujt të drejtën e vet. Nuk është e domosdoshme lënia e testamentit për trashëgim. Fëmija i përket atij nën kurorën e të cilit ka lindur. Ai që kryen marrëdhënie jashtëkurore (zina-adulter), përjashtohet nga e drejta prindërore. Një të pafismë që pretendon përkatësi gjinie tjetër nga ajo e të atit ose një mosmirënjohës që vazhdon lidhjet me dikë tjetër përveç zotërisë së tij, e zëntë zemërimi i Allahut, urrejtja e engjëjve dhe mallkimi i njerëzve! Providenca Hyjnore nuk i pranon as pendimet, as drejtësinë, as dëshmitë e njerëzve të tillë!

O njerëz!

Zoti juaj është një. Edhe babai juaj është një. Të gjithë jeni të bijtë e Ademit. Kurse ai është prej dheu. Pranë Allahut jeni më të vyerit e më të respektuarit. Përsa i përket respektit të Allahut, arabi nga joarabi nuk ka asnjë përparësi.

O njerëz!

Nesër do t’ju pyesin për mua; si do t’u përgjigjeni?

"Dëshmojmë dhe vërtetojmë se dërgesën e plotësove, detyrën në vend e çove, na porosite e na këshillove!" (Pas kësaj, I Dërguari i Madh ngriti drejt qiellit gishtin e bekuar të dëshmisë dhe, duke e ulur drejt bashkësisë, thirri kështu

Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot!





















PARATHENIE



Në emër të Allahut, Mbrojtës dhe Dhurues!

Lavdia dhe falenderimi i pasosur i përkasin Allahut, krijuesit, zhvilluesit dhe drejtuesit të Gjithësisë pa anë e pa fund; lutja dhe përshëndeta për Muhammedin-Paqja qoftë mbi Të-për të fundit profet dhe shpëtimtar të njerëzimit! Lus Allahun t’u falë mëshirë e shpëtim atyre që e besuan Atë dhe atyre që do të ndjekin rrugën e Tij gjer ditën e Kiametit!

Sipas Islamit që përbën hallkën e fundit të fesë hyjnore, njeriu është qenia më e vlerë e Gjithësisë. Gjithë natyra është krijuar për t’i shërbyer Birit të Njeriut dhe është dhënë nën urdhërin e mendjes së tij të ndriçuar dhe zemrës së tij të zbukuruar.

Allahu i Lartë, për të ndërtuar dhe rregulluar faqen e tokës, ka krijuar njeriun që ta popullojë atë dhe riprodhimin e shumëzimin e tij e ka kushtëzuar me ligjësinë e bashkimit të të dy sekseve grua-burrë. Për këtë shkak, gruan dhe burrin i ka krijuar si dy qënie të gjalla që e duan njëri-tjetrin, të tillë që janë nevojtarë fiziologjikisht dhe psikologjikisht për njëri-tjetrin dhe, më në fund, që e plotësojnë njëri-tjetrin. Njëkohësisht, këto dy sekse janë pajisur me veçori të dallueshme të ndërtimit trupor dhe të aftësive psikologjike. Si për shkak të këtyre ndryshimeve, si për shkak të vështirësive që lind lufta për jetën, posaçërisht për shkak të zilisë midis individëve dhe bashkësive, kohë më kohë midis dy sekseve janë shfaqur mosmarrëveshje dhe, në përgjithësi, këto mosmarrëveshje kanë konkluduar mbi gruan.

Duke parë nën këtë këndvështrim, është e domosdoshme të thuhet se, që kur u krijua bota, u krijua edhe problemi "grua" dhe se në jetën e çdo bashkësie apo shoqërie gruaja ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv apo negativ.

Ndërsa lindte Islami, pothuaj në çdo vend të botës gruaja ndodhej në një gjendje të rëndë. Paralelisht me këtë, edhe fakti që profeti i fundit, Hz. Muhammedi, si me shpalljen e urdhrave fetare, si me zbatimin praktik të tyre, u njohu grave të drejta të mëdha, tashmë është diçka e njohur dhe e përvetësuar nga çdokush. Eshtë një realitet domosdoshmërisht i pranuar që në shoqëritë ku Islami zotëroi mendjet dhe zemrat, për shekuj të tërë gruaja kaloi një jetë dukshëm të lumtur. Kurse në të njëjtën epokë, pra, nga lindja e Islamit gjer në shekullin e nëntëmbëdhjetë, për dymbëdhjetë shekuj me radhë, gratë në vendet e tjera nuk qenë aspak të lumtura, ndërsa u mohohej respekti për të cilin ishin të denja.

Dyqind vjet më parë, në botën Perëndimore të shndërruar në skenë të ndryshimeve të mëdha mendore, shkencore dhe shoqërore, u hodhën hapa të konsiderueshme për të drejtat e gruas. Në përfundim të përpjekjeve të vazhdueshme në lidhje me gjithçka i përkiste universit femëror, u siguruan arritje të gjera. Vetëm se këto arritje që meritonin të përshëndeteshin, nuk zgjatën për shumë kohë. Bota Perëndimore, duke sendërtuar mbi gruan një formë të caktuar trajtimi si pasojë e të shtënit pas saj intensivisht për shekuj me radhë, kishte kaluar në ekstremin tjetër duke pandehur se i kish siguruar asaj një liri të plotë e të vërtetë.

Po, liria ishte bërë slogani më i rëndësishëm, më i përhapur dhe më emociondhënës midis shekujve nëntëmbëdhjetë e njëzetë. Pa dyshim, liria është një ndër vlerat më të larta. Por, lexues i shtrenjtë, ç’e do që një liri pa kusht e pa kufi, për opinionin tim, ndoshta është e mundur për qëniet e tjera, por për njeriun, jo, sepse njeriu është një qënie shoqërore, për pasojë, është i detyruar të jetojë së bashku me njerëz të tjerë si ai vetë. Veçse, ndërkaq, detyrimi për të jetuar në bashkësi me të tjerë nuk nënkupton një përngjasim, bie fjala, me milingonat, ai buron nga vetëdija e njeriut. Të jesh i vetëdijshëm, do të thotë të pranosh edhe ekzistencën e të tjerëve si ti, përveç vetes, për pasojë, sjelljet dhe veprimet e tua t’i përcaktosh në përshtatje me ta. Detyrimi, parashkrimi dhe kushtëzimi i lirisë nuk janë nocione konkrete, të harmonizuara dhe definitive në të njëjtën kohë, varet se sa dhe si do t’i vlerësosh ato.

Në emër të lirisë, gruaja e ditëve tona në Perëndim po shfrytëzohet në shumë dimensione. Ai shpirti i saj delikat, ndjenjat e holla, zemra e pastër dhe trupi joshës po thithen për reklamë, për tregti, për politikë, për përplasjet ideologjike, për konkurrencën personale, për terror dhe, në përgjithësi, për epshe poshtëruese. E, kur shihet në këtë pamje, duhet thënë që gruaja ndodhet sot nën detyrimin e nënshtrimit ndaj një dhune më të pangopur, më sistematike e më sadiste se sa në Mesjetë.

Përsa i përket çështjes së të drejtave të gruas, kjo periudhë aktuale që po përjetohet në Perëndim, në një drejtim përbën një ngritje, ndërsa në një drejtim tjetër, rënie. Ç’e do që sukseset e arritura në Perëndim në planin mendor-konceptual, në shkencë, teknikë dhe ekonomi, bashkë me to edhe jeta shoqërore dhe trajtimi i gruas kanë ndikuar gjithë botën. Dhe ky ndikim përbën një të vërtetë. Bota Islame ka marrë edhe ajo pjesën e saj.

Në çështjen e gruas bota Islame nuk ka përjetuar një histori të errët si në Perëndim, por, dyqind vjetët e fundit, posaçërisht në shekullin e njëzetë, nuk ka mbetur pas nga lëvizjet feministe. Duhet të pranojmë se ekziston një problem i gruas edhe në kombet muslimane të këtij shekulli, tani, në këto vitet e fundit. Për opinionin tim, ky problem ka dy aspekte të rëndësishme: i pari është ndikimi perëndimor; i dyti ka të bëjë me specifikat vetiake të kombeve muslimane. Pa dyshim, gruaja në kombet muslimane ka përfituar nga ndikimi perëndimor përsa i përket konceptit të lirisë në një kuptim të gjërë dhe demokratizimit. Veçse gruan muslimane e kanë ndikuar edhe shqetësimet moralo-etike të lindura nga koncepti i lirisë së pakontrolluar në Perëndim, e kanë ndikuar degjenerimi si dhe dobësimi e dekompozimi i organizimit të familjes e probleme të tjera të ngjashme me këto. Në fund të fundit, është vetë gruaja ajo që ka pësuar më tepër dëm nga ky realitet i cili, i përhapur dalëngadalë nëpër të gjitha kombet, ka filluar dhe ka marrë pamjen e një fatkeqësie, është ai trupi i saj i brishtë, ndjenjat e holla, nderi, krenaria e saj... Keqtrajtimi brutal, por, në fakt, i hapur e publik, i shekujve të kaluar, tani, pas aparencave tinzare, është bërë më konsekuent dhe sadist.

Duke kaluar tek specifikat vetiake të kombeve muslimane në lidhje me problemin e gruas, së pari desha të ve në dukje këtë që feja, në përgjithësi, posaçërisht feja Islame - shumë dinamike dhe e fuqishme - është faktori me ndikim më të madh mbi njeriun. Përkundër kësaj, fusha ku vazhduan më shumë të veprojnë veset dhe zakonet paraislamike tek kombet e ndryshëm që përvetësuan Islamin, është martesë-ndarja dhe fusha ku shfaqet tërësia e qëndrimeve ndaj gruas. Po të doni, le të shprehemi kështu: Gruaja është fusha ku urdhërat e Islamit janë përqëndruar në mënyrë më të hapur ndaj interpretimit. Si pasojë e kësaj, pothuaj çdo komb konceptimin e vet të posaçëm në lidhje me gruan dhe familjen kishte dashur ta zbatonte më tej edhe në Islamizëm në këtë apo atë formë. Prandaj nuk është e drejtë të vlerësohet koncepti Islam mbi gruan duke vështruar në vijim qëndrimin e kombeve muslimane ndaj gruas. Këtu desha të kujtoj një thënie të njohur të Hz. Aliut: "Mos vlerëso të vërtetën me fjalët dhe sjelljet e njerëzve, por njerëzit me kriteret e së vërtetës!"

Ja, pra, i dashur lexues, libri që keni në dorë, ka për qëllim të përshkruajë konceptin Islam mbi gruan duke përfituar nga burimet e tij. Plani kryesor i librit është çështja e vlerës së gruas në Lartësinë e Allahut, në kuadër të Islamit, si një krijesë dashurie e Allahut, është çështja e gruas si individ, si antare e familjes dhe e shoqërisë. Në se lexuesi në këtë libër nuk sheh me pëlqim të drejtat, detyrat dhe tipin e gruas me një vend të përcaktuar brenda gjinisë njerëzore ose drejton kritikë në disa pika, këtë gjë e pres me respekt. Veçse do të desha të shtoj që veset dhe zakonet e përftuara qoftë përmes traditave që gjallojnë ende në shoqërinë tonë, qoftë përmes atyre që ndikojnë nga jashtë, nuk e përfaqësojnë çdo kohë të vërtetën dhe nuk na e sigurojnë dot lumturinë. Disa herë, disa gjëra që i shohim si të pagabuara dhe lumturindjellëse, ose janë kalimtare dhe mashtruese, ose i shërbejnë qëllimit të disa familjeve, një grupi ose një kaste. E vlerësoni, besoj, që asnjeri nga këta nuk janë zgjidhje që u japin përgjigje nevojave të njeriut të sotëm dhe që e bëjnë atë të lumtur në një plan të gjerë.

Shprehja "në një plan gjerë" që sapo përdorëm, përfshin pranë njeriut-vlerë të një miliard e gjysmë bote Islame, gjithë njerëzit e botës, posaçërisht shtrihet gjer në Jetën e Pasosur që do të fillojë pas jetës së kësaj bote të përkohshme. Siç bëra të qartë edhe pak më parë, njeriu, sipas Islamit, është qënia më e vlerë e natyrës. Jeta e tij merr fund pas 50-100 vjetësh, pra, domosdo, duhet të jetojë edhe në Përjetësi. Në fakt, jeta e vërtetë dhe lumturia e vërtetë atje është dhe njeriu për lumturinë e asaj bote duhet të përgatitet që këtu. Do të desha t’i kujtoj lexuesit edhe këtë që disa herë, kur mendja na i rrok të vërtetat në formën e një ndriçimi të shkurtër e të prerë, ndjenjat tona, veset, interesat dalin kundër dhe përpiqen të na bëjnë të harrojmë të vërtetën. Por ne mund ta kapërcejmë këtë pengesë me besimin tonë, me vullnetin dhe largpamësinë tonë. Unë them që të vërtetën ta pranojmë edhe në qoftë e hidhur e ta ruajmë besimin. Vjen një ditë e ia arrijmë ta zbatojmë në praktikë.

Libri që keni në duar, si produkt i një përvoje që i kalon të tridhjetë vjetët, u është paraqitur lexuesve turqishtfolës me ribotime që e kalojnë njëzetëshin. Autori, për shkak të lidhjeve të së shoqes, e pat parë veten borxhli ndaj kombit shqiptar dhe personalisht ka vizituar Shqipërinë dhe veçanërisht vende si Maqedonia ku shqiptarët përbëjnë një shumicë të konsiderueshme.

GRUAJA SIPAS KRIJIMIT



"Asnjë mëkatar nuk bart peshën e mëkatit të tjetrit. Njeriut i takon vetëm ajo që ka punuar".

(Kurani, Nexhm, 53/38-39)

KRIJIMI I GRUAS

SIPAS LIBRAVE TE SHENJTE

Sipas Librave të Shenjtë, nëna jonë, Hava, është krijuar kështu: "Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend.". "Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha: Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri".

Sipas tregimit të Dhjatës së Vjetër, në Parajsë, nga përdredhjet mashtruese të një gjarpëri, në fillim Havaja, pastaj, me nxitjen e saj, edhe Ademi, hëngrën nga pema e ndaluar. "Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shetiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit... Dhe Perëndia i tha:... Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje? Njeriu u përgjigj: Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra. Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: ... Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty. Pastaj i tha Adamit: Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: 'Mos ha prej saj', toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ...".

Ky faj që i ngarkohet, në krye, Hz. Havasë, për pasojë, edhe Hz. Ademit në Librat e Shenjtë, ky mëkat i prindërve të parë, sipas besimit të atyre librave, bartet nga të dy krahët brez pas brezi. Kështu, gjithë gratë e botës janë "me gabim e me njollë".



KRIJIMI I GRUAS SIPAS ISLAMIT

Kuptimi i ajetit në Kuran mbi krijimin e Hz. Havasë, është kështu: "O njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra". Në këtë thënie s’shihet asnjë shenjë për ndonjë eshtër të kraharorit. Kurse në hadithi sherifin e Hz. Pejgamberit, thuhet: "Bindiuni porosisë sime se veprimi me takt ndaj grave është më dobiprurës. Sepse ato janë krijuar nga eshtra e kraharorit. Pjesa më e harkuar e kësaj eshtre është ana e sipërme e mesit të saj. Në se përpiqesh për ta drejtuar atë, e thyen, në e lënç siç është, mbetet përherë e harkuar. Prandaj bindiuni këshillës sime për gratë". Rreth nëntekstit të kësaj porosie, sipas disa të diturve, këtu nuk ka një pohim të hapur përsa i përket lëndës së krijimit. Kjo porosi përfaqëson faktin që gruaja, në vetë krijimin e saj, është e pashkueshme dhe nevrike dhe se nuk do t’u nënshtrohet plotësisht kërkesave të burrit. Për pasojë, është e nevojshme që ndaj saj të veprohet me takt dhe, duke e pranuar ashtu siç është, të mos lëndohet. Në një rrëfim tjetër të Buhariut kjo veçori duket qartazi. Përsëri, Lartësia e Tij Profet urdhëron: "Gruaja është si brinja. Në se përpiqesh për ta drejtuar, e thyen. Në se dëshiron të kalosh një jetë të lumtur, edhe këtë s’e bën, edhe përfiton nga shtrembëria e saj".

Sipas të diturve të tjerë, ky grup porosish (hadithesh) pohon qartazi krijimin e gruas nga brinja. Ç’është e drejta, këtë e tregon ajeti i madhnueshëm i cituar më sipër. Në komentin e këtij ajeti, komentuesit bëjnë shpjegime të ngjashme me pohimet e Librave të Shenjtë. Por tek Taberiu, rrëfimi i bartur nga Ibni Ishaku, e ndriçon plotësisht këtë veçori. Sipas këtij, përsa i përket krijimit të Hz. Havasë, pohimet e ngjashme me ato të Librave të Shenjtë që shfaqen në bibliografinë Islame, janë dëgjuar nga lexuesit pasues të Tevratit (Tora) dhe nga dijetarë të tjerë, këto interpretime përbëjnë opinionin e tyre. Të vërtetën e kësaj pune vetëm Allahu e di.

Jo krijimin e Hz. Ademit nga balta, por edhe krijimin e gruas nga brinja po ta pranonim, në lidhje me mënyrën e këtij krijimi s’kemi njohuri të sakta. Në këtë çeshtje, në ndryshim nga Librat e Shenjtë, as në Kuranin e Madhnueshëm, as në hadith nuk përfshihen hamendjet dhe pohimet njerëzore.

Ngjarja e "pemës së ndaluar", përsa tregohet në Kuranin e Madhnueshëm, ka lidhje me dy vetë. Djalli kishte nxitur dyshim dhe pavendosmëri tek Ademi dhe Havaja veç e veç, ua kishte kthyer mendjen dhe kishte bërë që ata të hanin nga pema e ndaluar. Madje, në kaptinën "Tâhâ" (20/116-122), si bashkëbiseduesi dhe përgjegjësi i vërtetë shënohet Hz. Ademi. Sepse ai e mësoi të drejtën e urdhërave (evamir) dhe ndalesave (nevahi) të Allahut. Dhe ishte ai që do ta drejtonte Havanë për zbatimin e tyre. Vetëm një hadith i Lartësisë së Tij Profet, tregon se pikërisht këtu qëndron puna, që Havaja zotëronte një zell të veçantë: "Po të mos qenë të bijtë e Izraelit, gjella s’do të thartohej, mishi s’do të binte erë. Dhe, po të mos ishte Havaja, asnjë grua s’do t’i bënte pabesi të shoqit".

Nuk është gjarpëri ai që lëkundi Hz. Ademin dhe Havanë, por djalli. Fahreddini Raziu, në tefsirin - komentin e tij, e kundërshton ngjarjen me gjarpërin.

Këtë gabim të prindërve të parë, feja Islame e përcjell me mjaft mirëkuptim. Për njerëzimin ky s’është një mëkat i pafalshëm, një njollë, ashtu siç pohohet në Librat e Shenjtë dhe ashtu siç është trajtuar filozofikisht gjerë e gjatë në kristianizëm. Sigurisht, Ademi bëri një "gabim", por i shfaqi pendesën Allahut. "... prandaj Ai i a fali (gabimini), Ai është mëshirues dhe pranues i pendimit".

Lartësia e Tij Profet urdhëron kështu: "Ademi dhe Musai (ka të ngjarë në botën shpirtërore) bënë debat. Musai tha: O Adem! Ti je im atë. Ti na privove dhe na shkretove ne, na nxore nga Parajsa". Dhe Ademi i tha atij: "Dhe ti je Musai; Allahu ty të lartësoi duke bashkëbiseduar me ty, të shkroi libër me dorën e Tij. Dyzet vjet para se të më krijonte, Allahu shkroi për mua këtë veçori e për këtë ti më kritikon kaq ashpër?" Ademi kështu e bëri të heshtë Musanë.

Përkundër trajtimit pesimist të gabimit të njeriut të parë nga ana e kristianëve, muslimanët mendojnë krejtësisht ndryshe. Largimi i Ademit nga Parajsa dhe zbritja në tokë është bërë shkak mirësie dhe bekimi. Si pasojë e kësaj, toka nuk është "veshur me urrejtje", në të kundërt, ajo është rregulluar me brezin njerëzor. Eshtë bërë fushë veprimi e sa e sa qytetërimeve, sa e sa profetë ka shëtitur në supe e i ka mbrojtur në gjirin e saj. I Dërguari i Madh (Resûl-i Ekrem) - Paqja e Allahut qoftë mbi Të - urdhëron kështu: "E premtja (xhumaja) është dita më me mbarësi ndër gjithë ditët mbi të cilat lind dielli. Sepse Ademi atë ditë u krijua, atë ditë hyri në Parajsë dhe atë ditë u nxorr që andej. Edhe Katastrofa (Kiameti) do të shpërthejë ditën e premte". Sheh Ebu’l-Hasan Shazeli thotë kështu: "Ç’incident i lartësuar që e paska ngritur autorin e saj në rangun e pasuesit të Allahut (halifetull-llahi fi'l-ard: detyra e formësimit dhe zbatimit të urdhrave të Allahut në tokë) dhe të mësuesit të pendesës për të gjithë brezat e ardhshëm gjer në Kiamet". Në këtë thënie qëllimi është të lëvdohet jo Ademi, por akti i pendesës me të cilën ai konkludoi dhe i rikthimit te Allahu.

Feja Islame, ashtu siç nuk i përshkruan një faj të veçantë gruas së parë, nënës sonë të madhe, Hava, e kundërshton edhe përcjelljen e gabimit të prindërve të parë tek bijtë e tyre dhe tek brezat pasues. Në Kuran, pasi bëhet fjalë për profetët dhe popujt e tyre, urdhërohet kështu: "Ai ishte një popull që kaloi, atij i takon ajo që fitoi e juve ju takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata".







II

BARAZIA BURRE-GRUA



"Pa dyshim, gruaja është e njëjtë, e ngjashme dhe e barabartë me burrin"

(Hadithi sherif)



GRUAJA NE HISTORI

Le t’i hedhim një vështrim të shkurtër gjendjes së gruas në popuj të ndryshëm gjer në lindjen e Islamit (shek. VII e.r.)

Në Hindinë e Vjetër

Sipas të drejtës së Hindisë së Vjetër, gruaja nuk zotëronte të drejtën e martesës, të trashëgimit dhe asnjë të drejtë në fusha të tjera. Duke u nisur nga konsiderata për prirje të këqia, për karakter të dobët dhe moral të shëmtuar, sistemi juridik "Manu" e detyronte gruan të lidhej pas një burri; në fëmijëri pas të atit, në rini pas burrit, me vdekjen e tij pas të birit ose pas një farefisi të burrit. Në Vedat hindiane gruaja përshkruhej si një krijesë më e keqe se cikloni, vdekja, helmi dhe gjarpëri.

Themeluesi i budizmit, Buda, në fillimet e tij nuk e pranonte gruan në fe. Pyetjes së mikut të tij më të afërt, djalit të xhaxhait, Anenda, "si duhet të sillemi ndaj grave", i ishte përgjigjur: "Nuk duhet t’i shihni aspak!"

- Po në qofshim të detyruar t’i shohim?

- Nuk duhet të bisedoni.

- Po në qofshim të detyruar të bisedojmë?

- Atëherë, me to duhet të jeni gjer në fund të kujdesshëm!

Anenda i mbikqyrte gratë. Me këmbënguljen e tij, Buda, pas shumë ngurrimeve, i pat pranuar gratë në fenë e tij, por edhe pat shprehur rrezikshmërinë e madhe të kësaj për bashkësinë budiste. Dhe një radhë i pat thënë kështu Anendës: "Po të mos e kishim pranuar gruan në fe, budizmi do të mbetej i pastër për shumë shekuj. Por, më në fund, gruan e kemi mes tonë e, kështu, nuk pandeh se kjo fe do të mund të jetojë gjatë pas kësaj".

Në Babiloni

Në Ligjet e Hamurabit, të nxjerra nga sundimtari babilonas Hamurabi (2123-2081 p.e.r), që kishin fituar famë, përmbaheshin mjaft nene të favorshme lidhur me të drejtat e familjes. Ndërsa i përmbaheshin në themel monogamisë, këto ligje, në disa raste pranonin edhe mbajtjen e mantenutave si dhe poligaminë. Njëkohësisht vihet në dyshim edhe zbatimi praktik ashtu siç duhet i Ligjeve të Hamurabit në bashkësinë e vet.

Në të drejtën izraelite

Në të drejtën izraelite, burri kishte të drejta absolute mbi familjen. Madje, vajzat çifute në shtëpinë atërore ishin si shërbëtore. I ati mund t’i shiste ato. E drejta e ndarjes i përkiste burrit për kënaqësinë e tij. Veçse vajzat mund të merrnin pjesë nga trashëgimi atëror në se s’gjendej ndonjë trashëgimtar tjetër.

Në Iran

Në shtetet Sasani, martesa me motrën ishte e lejueshme. Madje, një gjë e tillë nxitej. Afërsia e gjakut nuk përbënte një veçori me vlerë për respektin ndaj motrës dhe nënës.

Në Romë dhe në Greqinë e Vjetër

Në Romë dhe në Greqinë e Vjetër gruaja nuk zotëronte asnjë të drejtë. Qëllimi kryesor i martesës për mashkullin ishte plotësimi i kënaqësive, zotërimi i fëmijëve, sjellja e një kujdestari dhe shërbëtori për mallin dhe pasurinë e shtëpisë. Në Spartë, gruaja, për të lindur, shtrëngohej të kishte marrëdhënie edhe me persona të tjerë përveç burrit të saj. Sipas Platonit, gruaja na qenkësh "një mall i shkëmbyeshëm që duhet të kalojë nga dora në dorë". Aristoteli thotë: "Gruaja është një mashkull i mbetur për gjysmë qysh në krijim".

Në Kinën e Vjetër

Te kinezët gruaja nuk trajtohej si njeri, madje as emër s’i vihej. Gruaja thirrej me numra: njëshi, dyshi, treshi... Djemtë trajtoheshin të denjë, ndërsa vajzat përmendeshin me fjalën "dosa".

Në Angli

Ndërmjet shek. V-XI, burrat mund t’i shisnin gratë. Popujt pesimistë kristianë, duke i besuar pikëpamjes se gruaja (nëna jonë, Hava) ishte shkaktare e mëkatit të parë, për pasojë, e përgatitjes së fatkeqësisë njerëzore, vazhdimisht e kishin vështruar gruan si "djall". Në Angli, gruaja, e trajtuar si një qenie e fëlliqur, nuk mund të prekte Ungjillin. Ky status vetëm në kohën e sundimit të Henrikut VIII (1509-1547) ishte mundur të hiqej me një vendim të dalë nga parlamenti. Sipas këtij vendimi, gratë mund të lexonin Ungjillin.

Në Arabi

Kur po lindte Islami, në Gadishullin Arabik, gruaja trajtohej pikërisht si mjeti i plotësimit të epsheve të mashkullit. Gruaja ishte e privuar nga rregullimet përkatëse të martesës, krijimit të familjes dhe ndarjes si dhe nga e drejta e trashëgimisë. Gjithashtu, në pikëpamje të vlerave shpirtërore si besimi, liria e ndërgjegjes dhe respekti ndaj vetvetes (izzetu'n-nefs, amour propre), gruaja pranohej shumë poshtë nga burri.

Vajza në familje, nga pikëpamja materiale trajtohej si barrë dhe, nga ana shpirtërore, si shkak turpi dhe poshtërimi. Babai, zotëruesi i të drejtave të pakufizuara në qeverisjen e familjes, nuk shihte ndonjë kufizim ose pengesë për të vrarë vajzën e vet, madje për ta mbuluar në dhe të gjallë...



REVOLUCIONI QE KREU ISLAMI

Siç u kuptua nga këto sqarime të shkurtera, gjer në lindjen e Islamit, pothuajse në të gjithë botën, gruaja nuk zotëronte asnjë të drejtë që do t’i jepte asaj ndonjë rëndësi. Madje, specifika në se gruaja ishte njeri apo jo, përbënte një çështje të diskutueshme midis mendimtarëve dhe ligjëvënësve.

Ja, pra, feja Islame i erdhi në ndihmë gruas në keqtrajtimin e saj. Islami shpalli barazinë në krijim të burrit e gruas, të njerëzve të çfarëdo race, të të gjithë njerëzimit: "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete e, s’ka dyshim, se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër u është ruajtur (këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë". "O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj e prej atyre u shtuan burra shumë e gra".

Gruaja ka një pozitë të veçantë në Islam. Kur Profeti Islam, duke sjellë fenë e së drejtës, sapo filloi të njoftonte njerëzimin, njeriu i parë që besoi, ishte një grua. "Allahu nuk më ka dhënë mua një grua më të dobishme se Hatixhenë. Ndërsa askush s’më besonte, ajo më besoi. Ndërsa çdokush më përgënjeshtronte, ajo më miratonte. Ndërsa njerëzit largoheshin prej meje, ajo më mbeshteti me pasurinë e saj dhe, jo nga gratë e tjera, por nga ajo grua, Allahu më favorizoi fillimisht me fëmijë". Në të njëjtën kohë, gruaja është dëshmorja e parë e Islamit. Symejje, nëna e Ammarit, qe ndër të parët që pranuan fenë Islame në Mekë, për pasojë, ajo iu nënshtrua torturave të padurueshme. Kurejshët, asaj, të shoqit Jasir dhe të birit Ammar u vishnin rrobe të hekurta mbi rërën e nxehtë dhe i braktisnin nën diellin përvëlues. I Dërguari i Allahut, kur i shihte, u thoshte: "Bëni durim, familja Jasir! Vendi ku do të mbërrini, është Parajsa!" Si përfundim, plaka Symmejje kishte dhënë shpirt nën bajonetën e Ebu Xhehlit. Dëshmorja e parë Islamit!

Hz. Pejgamberi pat dhënë shumë shembuj të dashurisë, respektit dhe dhembshurisë ndaj gruas. Ai urdhëron kështu: "Nga bota juaj tri gjëra më kanë gëzuar: bukuria dhe pastërtia, gruaja, dhe namazi si veprimtaria publike më e lumtur".

Para Islamit arabët silleshin shumë ashpër me gratë. Një ndodhi e Hz. Omerit që njihej për seriozitet dhe ashpërsi, bëhet një shembull i bukur për këtë. Sad b. Ebi Vakkas tregon: "Një ditë Omeri kërkoi lejë të hynte në praninë e të Dërguarit të Allahut. Atë radhë pranë Hz. Pejgamberit ndodheshin gratë kurejshe. Ato bisedonin me zë të lartë dhe po e pyesnin atë për shumë gjëra. Porsa dëgjuan zërin e Omerit, u ngritën dhe filluan të mbuloheshin me ngut. Kur Omeri u fut brenda dhe vuri re buzëqeshjen e të Dërguarit, tha: "O i Dërguar i Allahut, ç’ta shkaktoi buzëqeshjen ty?" Dhe Profeti iu përgjegj: "U çudita me këto. Rrinin pranë meje, por, me ta dëgjuar zërin, vrapuan me ngut të mbuloheshin". Kurse Hz. Omeri: "O i Dërguari i Allahut, ti je shumë më tepër i denjë për drojtjen dhe frikën e tyre!" Pastaj iu kthye grave: "O armike të vetvetes! Nga unë frikësoheni dhe nga i Dërguari i Allahut s’frikësoheni?" Ato i thanë: "Po. Ti, në krahasim me të Dërguarin, je mjaft i ashpër dhe i pazemër". Mbi çka ngjau, Hz. Pejgamber urdhëroi kështu: "Betohem në Allahun që më ka në dorë, se djalli i është nisur një qëllimi të caktuar; le të ballafaqohet me ty; atëherë me siguri do të marrë një drejtim tjetër, do të ikë!"

Për shumë shekuj, ndërsa bota e krishterë, duke e njohur gruan si një krijesë të ndyrë, nuk e lejonte të hynte në mjediset e adhurimit, Hz. Omerit, për të cilin sollëm ndodhinë e sipërme, mu brenda në xhami një grua i pat dhënë mësim drejtësie dhe e pat bërë të heshtte. Një ditë, në Medine, në xhami, Kalifi i Dytë, Omer, duke hipur në shkallët (minber) ku predikonte Profeti, u kishte folur bashkësisë së besimtarëve. Në ligjëratën e tij u kishte thënë që në martesë të mos u jepnin shumë para (mehr) grave. Nga radhët e grave ishte ngritur një zonjë shtatgjatë: "Ej, Omer, s’ke të drejtë të thuash kështu!" Dhe i kishte cituar nga ajetet e Kurani Kerimit. Atëherë Kalifi, duke i marrë fjalët mbrapsht, kishte thënë: "Allah! Allah! Një grua debatoi dhe e bëri të heshtë Omerin!"

Ngritja e zakoneve të këqia dhe e bestytnive

Kurani i Madhnueshëm e kishte ndaluar me forcë krimin ndaj vajzës: "Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh". Kurani e kritikon ashpër babanë që e ndjen veten të turpëruar nga rënia rob në luftë e vajzës ose nga martesa e saj: "Kur ndonjeri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë, fytyra e tij i prishet dhe bëhet plot mllef. Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit). Mandej, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre!" Veçanërisht, kur përshkruan tmerrin e Kiametit, urdhëron kështu: "Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, për çfarë mëkati ato janë mbytur..."

Në fakt, si djalin, edhe vajzën e ka dhënë Allahu. Këtu njeriu s’luan asnjë rol. Kurse veprimet e Krijuesit nuk mund të përbëjnë diçka të keqe ose turp. "Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai i krijon çka të dojë; Ai i fal vetëm femra atij që do, e i fal vetëm meshkuj atij që do; Ose i fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e le pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm". Hz. Pejgamberi ka urdhëruar: "Me atë që ushqen dhe rrit gjer në maturi dy vajza, ditën e Kijametit (dhe bën shenjë me dy gishta) ja, kështu do të bëhemi!"

Politeistët e Mekës i pandehnin engjëjt si vajza të Allahut. Ndërsa pranonin që vajzat janë krijesa të rëndomta, kishin rënë në alogjizëm duke ia përqasur ato Allahut. Kurani iu përgjigjet atyre kështu: "E ti (Muhammed), pyeti ata (idhujtarët): A të Zotit tënd janë vajzat, kurse të tyre djemtë? Apo, Ne i krijuam engjëjt femra, e ata ishin dëshmitarë (kur Ne i krijuam engjëjt femra)?!" Vini re se si ata nga trillimet e tyre thonë: "Allahu ka lindë!" S’ka dyshim se ata janë gënjeshtarë (kur thonë se engjëjt janë bijat e Zotit)! A thua vajzat Ai i ka bërë më të zgjedhura se djemtë?" Fakti që politeistët e Mekës djemtë ia kushtonin vetes dhe vajzat Allahut, në Kuran formulohet "një ndarje e padrejtë".

Barazi shpirtërore

Sipas Islamit, nuk ka asnjë dallim midis burrit dhe gruas në besimin ndaj Allahut dhe bazave të fesë, në njohjen e urdhërave dhe ndalesave të Allahut në lidhje me botën dhe përjetësinë, në ndëshkimin ose shpërblimin e duhur, në hyrjen në Parajsë ose Ferr. Allahu, Hz. Ademit dhe Hz. Havasë u kishte bërë zë në të njëjtën mënyrë. Ashtu siç hëngrën së bashku pemën e ndaluar, po ashtu reflektuan dhe shprehën pendim.

Burrë - grua, i pasur - i varfër, i bardhë - i zi, çdo trup në qiej dhe çdo njeri në tokë, ditën e Kiametit do të dalë para Allahut i vetëm duke ardhur absolutisht si një rob i Tij, asnjë dallim nuk do të bëhet.

Allahu premton se, pasi të ketë besuar, çdo grua ose burrë, me veprime dhe sjellje të mira do të kalojë një jetë shumë të mirë në botë si dhe në Përjetësi duke, hyrë në Parajsë, do t’ia arrijë lumturisë së pasosur. Ata që, duke i dalë kundër këtij amaneti të shenjtë, e mohojnë dhe nuk besojnë, që i njohin Allahut ortak dhe të ngjashëm, që ndërsa me shpirt dhe me të vërtetë nuk besojnë, nga jashtë shtiren si besimtarë, duke mashtruar, në këtë mënyrë, bashkësinë Islame e duke provokuar grindje, të tillët, burrë ose grua, do të mbeten në ndëshkim të përjetshëm.

Nga bashkëshortët, në se gruaja nuk do të besonte, fakti që i shoqi do të ishte i mirë, madje sikur të kishte arritur në lartësinë e një profeti, asaj nuk do t’i sillte asnjë dobi. Si shembull janë gratë e profetëve dhe robëve të dobishëm të Allahut, Hz. Nuh dhe Hz. Luti, të cilat u kishin bërë pabesi burrave. Në se bashkëshortja beson, kurse i shoqi jo, atëherë edhe e keqja e tij s’e dëmton gruan; ai hyn në Ferr dhe ajo në Parajsë. Po ashtu, shembull i kësaj është bashkëshortja e Faraonit bashkëkohës të Profetit Musa. Në kundërshtim me shthurjen e të shoqit (Faraon) që u thoshte egjiptasve "Unë jam zoti juaj më i lartë", bashkëshortja Asije i kishte besuar Musait (a.s.) dhe ishte lutur kështu: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në Parajsë dhe më shpëto pre Faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej ppullit mizor!"

Dukë e bërë të ditur vendin e gruas në Islam nga pikëpamja e krijimit, besimit, lirisë së ndërgjegjes dhe jetës së pasosur, është e domosdoshme të themi edhe se në Kuranin e Madhnueshëm, ashtu siç ndodhet një kaptinë e gjatë e emërtuar "en-Nisa (gratë)", përmbahet edhe një kaptinë e emërtuar "Merjem" kushtuar posaçërisht nënës së Hz. Isait. Në Kur’an, për nënat e profetëve Musa dhe Isa ka shumë shprehje delikate, të ndjeshme e me kuptim të thellë.

Në Egjipt, Faraoni i vriste fëmijët e bijve të Izraelit. Kur lindi Musai, e ëma, për këtë shkak, kishte rënë në një rrezik të madh për jetën e foshnjës së vet. "Ne nënën e Musait e inspiruam: t'i japë atij gji, e kur të keshë frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso, as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë atë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit". Mbi këtë frymëzim, ndjenjat dhe emocionin e nënës që kishte lëshuar në Nil të voglin e saj, Kurani i Madhnueshëm i përshkruan në mënyrë lakonike: "Në zemrën e nënës së Musait mbeti vetëm shqetësimi për të birin".

Duke u kthyer te nëna Merjem, kaptina me vetë emrin e saj, parashtron lindjen e pangjashme të Hz. Isait. Merjemen e veçon nga çdo shpifje dhe akuzë. Faktin që çifutët e gjetën të përshtatshme ta akuzonin Hz. Merjemen për zina (adulter), Kurani e konsideron "buhtan-i adhim, shpifja e madhe". Përsëri në Kuran ndaj nënës Merjeme përdoren pohimet më qiellore e respektuese, më të holla, delikate e të pastra. Modeli më i bukur i kësaj është kaptina "Merjem". Engjëjt bisedojnë me Hz. Merjemen: "Përkujto kur engjëjt i thanë: Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës".

Dënimet në këtë botë

Sipas së drejtës Islame të ndëshkimit, faji i kryer kundër gruas, ndaj personit të saj, mallit, nderit (reputacionit), ndëshkohet sikur të ishte kryer kundër një burri. Madje, këtu përshkruhen edhe kushte në anë të gruas. Në se burri e akuzon gruan për prostitucion, po s’e faktoi këtë në mënyrë të mjaftueshme, edhe ndëshkohet për shpifje, edhe me vendim të gjykatës i shpallet heqja e të drejtës së dëshmitarit për jetë. Në Islam, personi që, pasi është bërë musliman, kthehet në tjetër fe (murted), në qoftë se nuk pendohet, ai dënohet me vdekje. Sipas Ebu Hanifesë, gruaja femohuese (gruaja murted) nuk mund të vritet. Në se konsiderohet e domosdoshme goditja e trupit të gruas si ndëshkim në të njëjtën masë e formë me fajin e kryer (për vdekjen-vdekje, për syun-sy, etj.), mashkulli i nënshtrohet tejkalimit të masës së ndëshkimit në raport me masën e fajit. Në se konsiderohet e domosdoshme gjoba (dijet), për gruan përshkruhen disa kushte të posaçme.

Gruaja fajtore ndëshkohet si burri. Institucione të tilla të caktuara si administrimi i familjes, trashëgimia dhe dëshmia, në të cilat gruaja, në krahasim me burrin zotëron të drejta të veçanta, shkaqet dhe realizimi i tyre, do të parashtrohen më tej, kur t’u vijë vendi.


NGA PIKEPAMJET E HULUMTUESVE

DHE

MENDIMTAREVE PERENDIMORE





Satnley Lane-Poole thotë:

"Ndryshimet e rëndësishme që bëri Muhammedi në çështjet e gruas, asnjë ligjëvënës i madh nuk i ka bërë. Vendimet në lidhje me gratë gjithsesi janë dispozita të kodifikuara në Kuran gjer në çështjet e imta. Fillimi i reformës së Muhammedit është pikërisht këtu. Kjo reformë, duke krahasuar gjendjen përkatëse të gruas me sistemin ligjor të vjetër, edhe sikur një europiani t’i dukej sado i parëndësishëm, tek e vërteta ka peshë të madhe. Kufizimi i poligamisë, këshillimi i bashkëshortësisë me një grua, zëvendësimi i elementëve të bashkëshortësisë tradicionale arabe që shkaktonin frikë për shkak të ortakllëkut dhe përzierjes, me nivele të tjera ndalimi, kufizimi i ndarjeve, vendosja e rregullave shumë të forta për dhënien e kontributit, kujdesin dhe ushqimin për një kohë të grave të ndara nga ana e burrave, së bashku me trajtimin e përpjestimit të ushqimit të fëmijëve në raport të barabartë midis burrit e gruas, organizimi i risisë që garantonte zbatimin e statusit të tyre si trashëgimtarë ligjorë dhe heqja e zakonit dhe traditës që e pat lënë gruan e ve në cilësinë e mallit të trashëgueshëm të burrit; të gjitha këto formojnë një kuadër të madh ndryshimesh dhe reformash".

Përsëri për çështjen e të drejtave të gruas, Will Durant shkruan kështu: "Në se do të ishte e nevojshme të gjykohej nga një këndvështrim tjetër, gruaja muslimane, krahasuar me disa gra në Europë, ishte në gjendje më të mirë. Çdo mall ose para që fitonte, i mbetej përkatësisht asaj. As i shoqi nuk ia prekte ato që fitonte. Në dhomat e veta, në siguri, endte, qëndiste, qepte, administronte shtëpinë dhe rriste fëmijët. Nga ana tjetër, i mbetej kohë edhe për lojë e biseda të shoqëruara me ngrënie ëmbëlsirash me shoqet e saj".

Në lidhje me barazinë burrë-grua, Jacques C. Risler, një nga profesorët e Institutit Islam, thotë: "Në çështjet juridike gruaja u ngrit plotësisht në nivel barazie me burrin. Duke filluar që nga ajo kohë, më së fundi, gruaja u bë zotëruesja e të drejtave të lirisë për t’iu njohur një vend i caktuar, për të trashëguar dhe për të lënë testament".

Gaudefroy-Demombynes, që i përmbahet opinionit se, nga pikëpamja e juridiksionit të gruas, e drejta Islame qëndron më lart se ligjet e sotme europiane, thotë kështu:

"Dispozitat ligjore të Kuranit që anojnë deri në fund nga gruaja, edhe sikur të jenë vetëm në aparencë, nga sheriati i është ofruar një status më i favorshëm se garancia që i japin asaj ligjet e sotme të Europës. Gruaja Islame në punët e parave zotëron të drejtën ligjore të pasurisë së veçantë. Me peshën që iu dha, është zotëruesja gjer në fund të jetës e mallrave që do t’i kalojnë asaj si pajë, dhurata dhe trashëgim si dhe i produkteve të fituara prej punës së saj. Në praktikë, janë garantuar, së bashku me përfitimin nga këto të drejta, edhe vështirësitë që paraqet realizimi i tyre si dhe, në përputhje me gjendjen dhe nivelin e saj, ushqimi, banesa dhe shërbimet.

Filozofi francez Voltaire thotë:

"Vëllait tim musliman do t’i thosha: "Feja jote më duket një fe me shumë vlerë respekti. Adhuron vetëm një Zot. Çdo vit je i detyruar të japësh si zekat një të dyzetën e të ardhurave dhe, ditën e Bajramit të bësh paqë me armiqtë.

Priftërinjtë tanë, që shpifin për tërë botën, ndoshta një mijë herë thanë se u kapën pas idesë se feja jote është një fe që çon plotësisht pas dëshirës. Të gjithë këta të mjerë kanë gënjyer. Feja jote është shumë e pastër".


  Gjithsej 147 faqe: « E parë ... « 10 11 12 13 14 15 16 17 18 [19] 20 21 22 23 24 25 26 27 28 » ... E fundit »
Trego 147 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.