Forumi Horizont Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 185 186 187 188 189 190 191 192 193 [194] 195 196 197 198 199 200 201 202 203 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Tema Shoqerore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=313)
-- Islamizmi. Nje fatkeqesi kombetare e shqiptareve?? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2848)


Postuar nga Indrit datë 26 Prill 2004 - 12:41:

VILDAN FAIK DIBRA
Mrojtësi i Alfabetit Shqip



Reka e Dibrës është një nga vendet ku kanë lindur shumë përsonalitete të lëvizjes kombëtare. Ata nuk janë vetëm luftëtarë me armë, por edhe luftëtarë me penë. i tillë ishte edhe Vildan Faik Dibra, nga Rimnica e Rekës.
Vildani arsimin fillor dhe atë të mesëm e bëri në Dibër, ku kishte një arsim të zhvilluar në gjuhë të huaj turko-arabo-persiane, nga ku dolën shumë patriotë të shquar si Haxhi Vehbi Dibra, Said Najdeni (Hoxhë Voka i Dibrës), Hfz.Maliq Tanusha, nga Tanusha e Rekës, idhtar i zjarrtë i Klubit të Stambollit, Hfz.Abdurrahim Dauti, propagandues dhe mësues i gjuhës shqipe etj.
Studimet e larta i vazhdoi në Stamboll, kur, si shumë shqiptare të tjerë, dhe ky pati rezultate të shkëlqyera në përfundimin e medresesë së lartë. i vlerësuar për përgatitjen e lartë që kishte fituar, u emërua profesor në medresenë e lartë të Yskydarit. Në këtë pjesë të Stambollit, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë, ku ky shërbente aty, pati shumë shqiptare në këtë qytet. Më vonë aty u hap edhe një shkollë shqipe, shkolla "Kosova" me nxënës refugjatësh shqiptarë.
V.F.Dibra u aktivizua në lëvizjen kombëtare të fillimit të shekullit XX, duke përqafuar programin e saj. Mori pjesë në Klubin "Bashkimi" të Stambollit dhe e përfaqësoi atë në Kongresin e Manastirit të 1908-ës.
Qëndrimi i tij në këtë Kongres, pro ose kundër alfabetit të Stambollit, kishte një peshë të madhe. Shumë nga pjesmarrësit prisnin nga do të anonte Hfz.Vildani. V. Dibra, duke shprehur pikëpamjen e tij në bazë të thënieve Kur’anore, theksoi: "Feja dhe Kur’ani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin. Mësimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin nga pikëpamja fetare s’ka asnjë ndalim". Duke pasur parasysh anen praktike, ai tha se mësimi i gjuhës shqipe me këtë alfabet është më i lehtë.
Hfz.V.F.Dibra është autor i disa veprave letrare-fetare e filozofike në gjuhët e Lindjes. Gjithashtu ai është autor edhe i monografive në lëmin e drejtësisë, në kuadrin e të drejtës së Sheriatit.
Ai, me cilësinë e përfaqësuesit të Komitetit të Stambollit mbajti një varg ligjeratash gjatë vitit 1908 në disa qytete të Shqipërisë. Këto ligjërata dëshmojnë për erudicionin e tij, pathosin patriotik dhe elokuencën profesionale. Vdiq në Stamboll më 1925.




MULLA HASAN MASURICA
Hoxha Inovator


Mulla Hasan Masurica është bir i një familjeje kosovare të madhe nga Krileva e Kamenicës.
Studimet e para i bëri në shkollën ruzhdije të Gjilanit, kurse shkollën normale të fesë islame e mbaroi në Shkup në vitin 1907. Që nxënës në normale, Hasan Masurica u dallua për një imagjinatë dhe fantazi krijuese të pasur, për një kujtesë fenomenale, për aftësi aplikative për t’u admiruar. Që në shkollë plotore ai kishte përvetësuar gjuhët turke, arabe dhe perse, gjuhë të cilat i dhanë mundësi të shfrytëzonte literaturën islame.
Gjatë kohës që ishte student, edhe më vonë, atij i pëlqente letërsia fetare dhe ajo shkencore. Me pasion të madh lexonte çdo libër fizike, matematike apo të shkencave teknike, që i binte në dorë. Në mënyrë të veçantë ai ishte i dhënë pas astronomisë. Astronomia dhe astrologjia ia ushqenin atij fantazinë, i nxitnin ëndrrat dhe dëshirat për të shpikur diçka. Frymëzimet që i vlonin në mendje dhe që nuk e linin të qetë filloi t’i vizatonte në fletë të bardha. Ai kërkonte bashkëpunëtorë në ndërmarrjet e tij.
Pasi i drejtonte lutjet Allahut(xh.sh.) dhe pasi i kryente më së miri detyrat e tij si imam, Mulla Hasani jepte mësim, mbante vaze, ku, veç të tjerave, u tregonte nxënësve të tij si dhe xhemmatit, qysh në vitin 1900, se njeriu brenda pak dhjetëvjeçarëve do të arrijë në planete të tjera, se do të mund të komunikojë me të afërmit e tij nga një vend i largët, se do të zbulojë aparate që do të flasin dhe do të shihen brenda dhomës etj.
Ai vetë ishte i pajisur me një intuitë prej shpikësi të mrekullueshëm. Me guxim të madh filloi ndërtimin e një mjeti fluturues (ballone) dhe për këtë punë kërkoi ndihmën e farkëtarit të fshatit. Për këtë ballonë përdori dërrasa plepi, pelhurë të lyer me dyllë dhe në prani të fshatarëve të Zarbicës, në vitin 1899, bëri provë me djalin e tij 12 -vjeçar, i cili u ngrit në një lartësi 50-70 metra, duke përshkuar një largësi rreth katër kilometra.
Mulla Hasan Masurica ishte një "Edison" i vërtetë, por në kushtet e vendit të tij ai u kufizua vetëm me projektimin, ndërtimin dhe aplikimin e disa aparateve që mbetën si relike, duke dëshmuar gjeninë shqiptare. Ai ngriti mullirin e fshatit me ndihmen e ujit e të erës, ndërtoi mullirin e kafesë etj. Më vonë ai projektoi dhe ndërtoi një tip armë, e cila mbushej dhe zbrazej disa herë, shpikje për të cilën u vu në dijeni edhe Sulltani.
Aktiviteti i Hasan Masuricës qe i shumanshëm, ai shtrihej edhe në veprimtarinë fetare, si imam dhe mësues feje, edhe si aktivist i hapjes së shkollave për mësimin e gjuhës shqipe. Ai zotëronte një bibliotekë shumë të pasur.
Në vitin 1916 ai luftoi me armë në dorë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit bullgarë. Bullgarët ia dogjën shtëpinë dhe bibliotekën, ku ishte edhe kalendari mbi poziten e planeteve në gjithësi, të cilin e kishte filluar ta ndërtonte që me 1911 e që e rikapi më vonë për ta përfunduar në vitin 1925. Vdekja e tij u shndërrua në një manifestim popullor.

HOXHË HASAN VOGLI
Gjuhën Shqipe Do Ta Mbrojmë Edhe Me Gjak


Çerek shekulli i parë i historisë së zhvillimit të kulturës dhe të arsimit në Tiranë lidhet ngushtë me emrin dhe veprimtarinë e Hoxhë Hasan Vogli. Hapja e alfabetit të Stambollit, funksionimi i shkollës fillore "Ylli" në Tiranë, qendresa heroike ndaj përsekutimeve që iu bënë patriotëve nga Shevqet Durgut pasha e më vonë nga Esat Toptani, themelimi i jetimores së Tiranës dhe shumë vepra bamirëse, e bënë shumë të dashur dhe të nderuar emrin e Hasan Voglit.
Hasan Vogli rrjedh nga një familje tiranase me tradita atdhetare. Ai kreu shkollën plotore (Ruzhdie) në Tiranë, kurse në Shkodër vazhdoi shkollën pedagogjike me gjuhë mësimi turqishten, "Daru-mualiminë". Sipas të dhënave, ai ndoqi edhe arsimin e lartë në Stamboll, ku u pajis me një kulturë të lartë teologjike. Që në fillim u ingranua në lëvizjen patriotike. Si kredo të vepimtarisë së tij shoqërore ai kishte parullen "Jam shqiptar, flas shqip dhe gjuhën shqipe do ta shkruaj edhe me gjak".
Kësaj motoje ai nuk i devijoi asnjëherë. Shërbeu si mësues i shkollës fillore shqipe të Tiranës, që drejtohej nga Filip Hashiku, duke e filluar punën me 1901. Njëkohësisht shërbeu si mësues edhe në shkollat e tjera turke, gjithmonë duke iu përmbajtur parimeve të tij. Me shpalljen e Pavarsisë punoi si mësues në disa shkolla të Tiranës, derisa vdiq në moshën 58- vjeçare. Në këto shkolla dha lëndë të profilit fetar, paralelisht me lëndë të tjera të kulturës së përgjithshme.
Më 1910 dhe më pas me ardhjen e rrebelëve të Esat Toptanit, siç thotë Hfz.Ibrahim Dalliu, në librin e tij "Patriotizma në Tiranë", ai u ndoq dhe u përsekutua, në mënyrën më çnjerëzore, derisa mbeti i gjymtë.
H.Vogli i përkiste atij grupi njerëzish me karakter të fortë, që nuk përkulen dhe që as nuk i nënshtrohen dhunës. Shkonte i pari në xhami dhe dilte i fundit. Që nga më kryesorët që mbrojti vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe u radhit krah për krah me ithtarët e qeverisë që doli nga ky Kongres. Ai nuk shkroi ndonjë vepër, por fjala e tij qe aq e fortë si para xhematit në xhami, ashtu edhe para nxënësve në shkollë.
H.Vogli ishte prototipi i myslimanit të devotshëm. Kudo që do të ndërmerrej ndonjë nismë për të ndihmuar nevojtarët ose për të ngritur ndonjë institucion që mungonte, ai do të zgjidhte kuleten e tij, do të angazhohej me tërë autoritetin që gëzonte. Shumë vajza jetime i kanë gëzuar martesat e tyre në sajë të ndihmave që ai u ka dhënë. Jetimorja e Tiranës është ndihmuar nga ky burre i madh, i cili, pas vdekjes, ullishtet e tij ia kaloi si pasuri këtij institucioni.

HAZIZ LILA.
Mësuesi i gostivarit dhe i strugës


Në agim të shekullit XX një Hafiz i ri nga Strebleva e Gollobordës, i porsaardhur nga studimet që kishte bërë në Stamboll, u emërua mësues i frëngjishtes në Gostivar, në Strugë e më pas drejtor i shkollës "Idadije" në qytetin e Dibrës.
Ky është Haziz Lila, që më vonë do të bëhej myfti, zhvilloi një aktivitet të gjerë fetar dhe patriotik në periudhën para shpalljes së Pavarësisë. Ai solli me vete mjaft libra në gjuhën shqipe dhe i shpërndau ato fshehurazi, propagandoi te bashkëfshatarët, në mes të të cilëve banonte, frymën patriotike dhe, mbi të gjitha, përhapi alfabetin shqip, duke propaganduar njëkohësisht mospajtimin me politikën serbe dhe duke iu kundërvënë propagandës serbe dhe përpjekjeve për pushtimin e tokave shqiptare.
Aktiviteti patriotik dhe antisllav i tij i ra në sy naçalnikëve serbë, të cilët e arrestuan, e shoqëruan me një njësit ushtarësh prej tetë vetash dhe e vranë me të shtëna armësh, në vendin e quajtur "Gezden të Stebleves", më 7 qershor 19915. Haziz Lila i përket martirëve të gjuhës dhe të shkollës shqipe.


ABDULHAQIM HIQMET DOGANI
Pedagogu Nga Gostivari


Abdulhaqim Hiqmet Dogani (1880-1955) ishte pinjoll i një familjeje qytetare nga Gostivari. i ati ishte myfti në Gostivar. A.Dogani ndoqi rrugën e mësuesisë. Nga studimet që bëri në Stamboll mori arsim laik. A.Dogani shërbeu gjatë gjithë kohës së punës së tij si mësues në shkolla laike dhe fetare. Është ndër të rrallë që, si laik, shkroi edhe tekste me karakter fetar. Në idadijen e Shkupit, kur shumicën e nxënësve e përbënin shqiptarët, lënda e gjuhës shqipe iu ngarkua A.Doganit, nga klubi shqiptar "Rinia Patriotike" ("Shubani vatan").
A. Dogani qe i vonuar dhe fillimisht nuk ishte për alfabetin e Manastirit të miratuar nga përfaqësuesit e njëzetegjashtë shoqërive e klubeve, në nëntor të vitit 1908. Por shpejt e kuptoi dhe reagoi drejt. Në atë periudhë ai botoi një abetare shqip me alfabet arab, një abetare tjetër e botoi në vitin 1946, në gjuhën shqipe dhe me alfabet arab, me të cilën mësuan brezënitë shqiptare të Ish -Jugosllavisë për vitin shkollor 1946-47.
Tekstet e tjera të tij janë shkruar në gjuhën turke, por kanë shërbyer për edukimin e nxënësve shqiptarë në shkollat që ndiqnin. Veprat e tij të njohura deri më sot, të paracaktuara për shkollat laike dhe fetare, janë: "Saban Yildizi yahot Musavver Osmanli Elifbasi" ("Ylli i mëngjesit apo abetare e ilustruar e osmanishtes"). Yeni Elifba-Nes’h harfllariyla tab’edlimis ueni imla ilifbasi" ("Abetarja e re- Abetarja portografike e botuar me shkronjat nesh"). "Muslumanlik" (Feja islame). "Arnavutca elifba-Arap harflariyla" (Abetare shqip- me alfabet arab). "Pedagogji kavaidine mutabik yeni sistem elifba" (Sistemi i ri i abetares sipas parimeve pedagogjike). "Kur’ani Kerim Derslaerine Baslangiç" (Hyrje në mësimin e Kur’anit të nderuar). "Birinci Kisim Turkçe Dersleri Elifba" (Pjesa e parë e mësimeve të turqishtes-Abetarja). "Ikinci Kisim Turkçe Dersleri"(Pjesa e dytë e mësimeve të turqishtes). "Uçunçu Kisim Turkçe Dersleri"(Pjesa e tretë e mësimeve të turqishtes). "Doruncu Kisim Turkçe Dersleri"(Pjesa e katërt e mësimeve të turqishtes). "Birinci Kisim Din Dersleri"(Pjesa e parë e mësimeve të fesë)."Ikinci Kisim Din Dersleri"(Pjesa e dytë e mësimeve të fesë). "Uçuncu Kisim Din Dersleri"(Pjesa e tretë e mësimeve të fesë). "Dorduncu Kisim Din Dersleri"(Pjesa e katërt e mësimeve të fesë). "Birinci Kisim Dersleri" (Pjesa e parë e mësimeve të historisë). "Abetare", në gjuhën shqipe shtypur nga Shtypshkronja "Kultura", Shkup, 1946.
Nga veprat e mësipërme, të një rëndësie të veçantë janë "Sistemi i ri i mësimit fetar sipas parimeve pedagogjike", si dhe "Hyrje në mësimin e Kur’anit të nderuar".
Kontributi i tij në arsim dhe në edukatën islame ishte i veçantë. Abdulhaqim Dogani ka shkruar proza të shumta për fëmijë, një pjesë e të cilave ruajnë edhe sot vlerat e tyre arsimore dhe edukative. Ka botuar edhe artikuj studimorë, sidomos për historinë e Gostivarit e të viseve të tjera shqiptare.
Përsonaliteti i tij është paraqitur në librin monografik "Gostivari dhe Abdulhaqim Dogani".


  Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 185 186 187 188 189 190 191 192 193 [194] 195 196 197 198 199 200 201 202 203 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.