Forumi Horizont | Gjithsej 11 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 9 10 11 » Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Letrarë të rinj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=105)
-- Liqeni i kripur (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18308)
Tani, vetëm pas 5 vjetësh na tregon “sagën” e saj, pasi është e bindur se ia ka dalë mbanë. Fundja pse duhet që njerëzit të të tregojnë me detaje se çfarë nuk shkon në jetën e tyre, ndërkohë që mund të të duan atëherë kur gjithçka u shkon mirë, dhe kur nuk kanë pse të justifikohen?!
5 vjet pasi u zhduk e pasi injoroi gjithë shqetësimin tonë, ajo më mori në telefon mua, pastaj Kidin, Krisën, Evin dhe pa u shfajësuar aspak për këtë “tradhti” 5 vjeçare, na njoftoi se ndodhej në Shqipëri e se kishte nevojë dhe mall të na takonte!
U takuam dhe u çmallëm me të vërtetë, jo thjesht për të plotësuar nevojën e saj, por edhe tonën. Por mua edhe pas këtij takimi nuk më iku gjurma e zhgënjimit që kjo mike aq e mirë përpara 5 vjetëve, më la në zemër.
Pasi çudit kamarierin kur i kërkoj të më shërbejë gotën e tretë të verës brenda 50 minutave qysh kur jam ulur në këtë kafe-librari të këndshme (duke ndjerë kështu ca gram më shumë peshën e vetmisë e të frikës), i shkruaj Helenës një mesazh në telefon: “Nuk di për ty, po unë të kam menduar shumë këto 5 vjet dhe të kam shumë xhan…”
Brenda pak çasteve më përgjigjet “Të ka kapur nostalgjia, apo je i mërzitur?”
Për vetëm një sekondë, aq sa zgjat leximi i këtij mesazhi, më bën të ndjej sërish atë që kam ndjerë këto 5 vjet karshi saj, vetminë, zhgënjimin dhe ndjesinë e dështimit. Por vazhdoj, me gurin më të rëndë të peshës, atë që unë mendoj se do ta sëmurë edhe më shumë pas vodkave-red bull që ka pirë një natë më parë: “Jo moj, as njëra, as tjetra. Jam i sinqertë, sidomos sot që kam ditëlindjen…”
Ndjej thellësinë e sinqeritetit të saj kur ma kthen: “Koha që kam kaluar me ty, Kidin, Krisën dhe Evin, është periudha më e bukur për mua. Të kam shuuuuumë xhan, dhe për mua je akoma fëmija plot shpirt dhe energji i grupit tonë. Je akoma 14, jo 27… U bëfsh 100 zemër! Do të të merrja më vonë në telefon, tani po shkoj te Krisa që të ishim bashkë kur të flisnim në telefon. Por ti je aq i keq, si gjithmonë… E prapë je më i miri…”
Nevoja për të marrë dashuri në këtë formë të çuditshme që ndonjëherë karakteri i njeriut e shfaq haptazi pa patur frikë as edhe nga vetvetja, mund të jetë egoizëm, por jo gjithmonë është ligësi…
Nga dritarja e vogël ngjitur me tavolinën ku unë jam ulur, shikoj një djalë jo më shumë se 20 vjeç, që zbret nga një makinë e vjetër që parkon në trotuarin buzë hyrjes se kafe-librarisë. Dhe teksa ecën drejt meje, drithërohem aty për aty kur ia prek me sy format e bukura të shpatullave, gjoksit të formuar, e kofshëve me muskuj të butë e të njomë mrekullisht të brishtë, por bindshëm mashkullorë. E ul kokën i dorëzuar, kur me ecjen e tij të çlirët, të rregullt por edhe shpërfillëse më bën te mendoj se 27 ndoshta nuk janë shumë, jo aq shumë sa për të mos përfunduar në shtratin e tij gjithë natën! E ngre sërish kokën aq sa për të dalluar sy ndër sy ngjyrën shkatërruese bojëqielli të syve të tij, vetëm një sekondë përpara se të ulet në tavolinën ku një vajzë e re ka disa minuta që është ulur, para tij.
Ai rrëshket atje duke më kthyer kurrizin e duke më flakur përfundimisht të vetëm në kujtimet e mia, pikërisht ditën e vitit të 27 të lindjes sime. Dhe më bind, se ndoshta ky vit është momenti kur unë duhet t’i them me zë të lartë botës se jam homoseksual!
E ndoshta duke e turbulluar kështu ujin që rrethon jetën time, të mund të fle i qetë se nuk po vras askënd, të mund të guxoj t’i them të dashurit tim se gjatë ditës sime mund të ndodhë që të “tronditem” mbi 10, 15 herë, apo 20 herë si ky rast kur shikoj një tjetër qënie njerëzore joshëse, por prapë atë, të dashurin tim dua!
E ndoshta të bind veten time se ajo që unë ndjej e që jetoj në çdo moment të ditëve të mia, në të vërtetë është një e drejtë, e bukur, e jo detyrimisht një nevojë për të qenë “i lig”.
* * *
Ul kokën gati i turpëruar kur me bisht të syrit kuptoj se gjithë këtë tërheqjen time seksuale ndaj çunit të bukur që sapo u ul në tavolinë, e ka ndjekur, ndoshta që nga fillimi, vajza e ulur në tavolinën ku ai vetë u ul! Dhe them me vete, edhe sa herë të tjera Klajd, do të ndjesh turp për atë që je?!
Disa orë më vonë, afër mesnatës, ndodh një furtunë me të dashurin tim. Një gabim i vogël shndërrohet në preteksin për t’i thënë njëri tjetrit gjithë të këqijat e kësaj bote. Për ta lënduar njëri tjetrin në nervin më të ndjeshëm të shpirtit tonë, për t’i shkarkuar njëri tjetrit fyerjet më të rënda për supet e më të dobtit të kësaj bote!
Pasi vuaj orë të tëra duke u përpjekur të kuptoj, dorëzohem…
Dhe bindem se historia ime është një histori e jashtëzakonshme, të paktën kështu e mendoj unë, që e kam jetuar mes qindra e ndoshta mijëra vetëve, pa u kuptuar asnjëherë as nga njëri, e as nga tjetri.
Se historia ime ka brenda saj dashuri, edhe urretje.
E se unë nuk mund të hesht më, pikërisht për faktin se këta qindra apo mijëra njerëz të jetës time, ndoshta kanë të drejtë të kuptojnë njëherë e mirë, nëse unë i dua, apo nëse unë i urrej.
27 vjeç! Jam tamam në kohë…
K.P.
Gjithsej 11 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 9 10 11 » Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.