Forumi Horizont Gjithsej 10 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 9 10 »
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Figura shquara shqiptare ne diaspore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=382)
-- At Anton Harapi Ofm (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2129)


Postuar nga i_lire datë 14 Shtator 2003 - 00:41:

Duhet vënë në dukje se pikërisht gga ky element i vlefshëm françeskan, rezulton, se françeskanët nëtë tërësi, pa kursim derdhin energjitë e tyre në kulturë, dije, përparim, cilësi me vullnet pune dhe inisiativë të lirë përsonale.
Kësisoj, mbi të gjitha në unitet dominoi bashkimi i të gjithë virtyteteve pozitive, duke plotësuar më tej shpirtin e pastër françeskan, me të cilin frati ynë ishte i edukuar qysh në fillim... Gaspëri i ri, bëhet At Anton Harapi në Shqipëri. Dijet e thalla akademike, që ai i kishte akumuluar gjatë viteve të studimeve akademike, nuk do ta tulatshin kujtesën e tij të freskët, por do të shpërthenin valë - valë, gjithnjë në nivele të reja rritjeje, me një dinamikë për t’u pasur zili, të cilat falë aftësive përsonale, do t’i reflektonte me finesë. Argumentet që buronin në mënyrë të natyrshme, në çdo kohë dhe rrethanë, do t’i parashtronte me një logjikë të hekurt gjermane. Kjo ishte aftësi profesionale vetëm e një gjeniu të rrallë. Dhe një njeri i tillë, dy herë nuk do të përsëritet në tokën shqiptare. Mbi freskinë dhe mendimin e gërshetuar filozofik, për stilin e matur karakteristik, të lidhur me rrjedhshmëri, Dom Kolec Prenushi, na ofron para 67 vjetëve këto rradhë vlerësimi: “...mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillt disa janë kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojn gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem” (Shih, “Hylli i Dritës”, 1936, fq. 583). Për të gjithë ata që hodhën vrerë, për jetën dhe veprën e At Antonit (kujtojmë se posaçërisht për të ulur figurën e martirit shqiptar françeskan, pseudoshkrimtari Skënder Drini, për të përfituar poste dhe “merita”, zhgarravitë me urretjen e tij latente, dramën përvese “Shembja e hidhujve” me përsonazh kryesor të ashtëqujtunin “Harapi i Shkodres”, duke fyer edhe më tej me skenarin e filmit dhe libretin e drames me te njejtin titull figuren e At Anton Harapit. Me ardhjen e demokracisë ky shkrim në vend që të bënte “mia culpa” u shpërblye për bëmat e tij si Atashe Kulturor në Konsullaten e Shqipërisë në Turqi shënimi im K. Kapinova), që vraponte shpejt për të përhapur paqen, dashurinë për njeri - tjetrin, e drejtësinë midis njerëzve, do të ishte me vend, që nga thellësia e shekujve, t’u përgjigjemi me një fjalë të urtë të skalitur nga Paskal: “Ndërgjegja, është libri më i mirë moral që kemi dhe me të cilin, duhet të këshillohemi më shumë”. Si intelektual model, sillte me vete mentalitetin e misionarëve përparimtarë europianë, që në shumicë asokohe kishin në zotërim shartet e Provincës Françeskane (shek. XII - XIII), që po hidhte shtat me palcë e fizionomi shqiptare, tërësisht me taban solid, e cila gradualisht kishte çelur gonxhe, që shpërthyen në të ardhmen lulëzimin e kulturës amtare shqiptare, ku në rezonancë dominonte fryma e ngrohtë françeskane “lutu e puno”. Veprimtaria fetare e atdhetare Në vitin 1910, At Antoni kthehet në Shqipëri dhe shugurohet meshtar, duke qenë deri në flijim meshtar besnik i zhgunit të Shën Françeskut e popullit që e donte dhe e respektonte me veneracion. Ai punon si mësues në Kolegjin e Fretënve, ku, kishte mësuar qysh I vogël. Si I ri, kishte ide e objektiva të veçanta, duke I kanalizuar në një shtrat të vetëm, formimin dituror të rinisë së ardhshme, me metoda të tilla, ku, dallohet universaliteti I dritës, për t’i ndriçuar të gjitha së bashku pa dallim bindjesh, përkatësish, krahinash, origjinë edukimi, lloje shkollash, duke nisur që të edukoj kësisoj njerëz me virtyte, ku mirësia, dashuria, feja, nacioni të jenë bashkëudhëtarë të pandashëm gjatë gjithë jetës tek shqiptarët. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 (vite të trazimeve të mëdha të Luftës së Parë Botërore), I përkushtohet shërbesave fetare në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Në këtë lagje u njoh dhe u ballafaqua me varfërinë e tejskajshme, të cilën e përjetonte vetë, mes banorëve pa dallim feje. Viti 1916, për banorët malësorë të Dukagjinit, ishte një vit I vështirë, vit I sëmundjes epidemike të kolerës, ku, njerëzit njeri pas tjetrit vdisnin dhe askush nuk u gjendej pranë nga frika e lëngatës. Por meshtari karizmatik, me shpirt të pastër fisniku, u gjend si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar.
Frati 25 vjeçar, me ndjenja të holla të humanizmit, ecte në këmbë, nëpër katunde të thella e të ashpra malore, në të gjitha shtëpitë e bjeshkëve të thepisura të Dukagjinit (Malësia e Mbishkodrës), për të shpëtuar nga vdekja e sigurtë malësorët, duke I ndihmuar drejtpërdrejtë nga ana profilaksike kundër kolerës, kësaj murtaje të fillmshekullit XX, që kishte përpirë miliona jetë njerëzish nëpër botë... Viti 1918, fratin e Urdhërit të Shën Françeskut (vendosur në Arbëri në shek. XIII), e gjeti famullitar në katundin Grudë. Binomi “Fe e Atdhe”, qe aorta e zemrës së tij, e Gruda ishte terreni, ku edhe një herë shpalosi zgjuarësinë dhe dituritë e thella enciklopedike, të cilat spikaten sipas mendimit tim, në dy rrafshe: së pari, në fushën e gjërë politike, ku, për interesat e larta të nacionit pranonte të flijohej, për të mirën e përbashkët; së dyti, spikat me sukses në lëmin e letrave shqipe, duke pasur pendë e mendim të mprehtë, të cilat admiroheshin nga qarqet preferuese të sferës së letrave albanologjike. Për të tillë publicist, me polemikë rezultative dhe mendime të reja, pohohet me të drejtën e qytetarisë, se epoka e njerëzve të mëdhenj vulos me gjurmët e veta të pashlyeshme, ku, këtu dallohen mirë njerëzit e ndritur, që denjësisht i përfaqësojnë, në paradën e së cilës, bën pjesë edhe emri i ndritur i At Anton Harapit. Pa hyrë në hollësira e zgjatje të tepërta, në kontekstin e këtij shkrimi modest, dua të nënvizoj idenë e ndonjë mediokri, që e trajton apo vlerëson si sakrilegj bashkëpunimin e Kishës Katolike në Shqipëri me problemet nacionale, kur dihet historikisht, se në shekuj kemi të përcaktuar parimet kryesore të këtij uniteti nga etërit dhe dijetarët e shquar të Kishës. Në kushtet kur populli ynë jetonte errësirën më të gjatë mesjetare dhe njëkohsisht të shoqëruar me plot kalvare përsekutimi, nën pushtimin më të egër të barbarëve otomanë, në veçanti klerikët katolikë (në trojet etnike shqiptare dhe shtetin amë), kanë qenë sistematikisht gjatë shekujve vetëdija e nacionit shqiptar, duke sjellë përherë zgjimin e ndërgjegjës së mirëfilltë nacionale. Në këtë kohë, shekull pas shekulli, kultura shqiptare u ngrit në nivele të reja, brenda kishës sonë, por që gjatë përbuzjes së gjatë, zëvendësoi me dinjitet Akademinë e Parë Shqiptare brenda universit shqiptar. Sa për ilustrim, po sjellim një shembull, të cilin esencialisht po e trajtoi më poshtë. Në veprën më të përkthyer në shumë gjuhë të botës: “Angazhimi ynë shoqëror”, në mënyrë filozofike, autori i saj, prof. Giorgio La Piera (1904-1977), nënvizon: “Nga pikëpamja katolike, politika është veprimtaria udhëheqëse e jetës njerëzore, që ushtrohet nga shteti, gjinia ose nga klasat me plotësinë e problemeve shpirtërore dhe materiale të individit dhe komunitetit”. Këto dije të kohës, I kishte si vizione të kjarta At Anton Harapi dhe po udhëtonte në rrugë të sigurtë. Ai, përherë mendonte e vepronte nën shembullin e idealeve, që i kishte si pika referimi, se “...njerin e ban shpirti dhe ndergjegja, e paraqet sjellja, e vlerson puna; apostullin e rrit ideali, qendresa e guximit; bamirsin e krijon zemer-gjansija e vetmohimi. Para plumbit, qi e rrzoi perdhe, shqiptoi pa za: “Lumin e ep deka kunoren e ven varri”, - shkruan në parathanien e vepres “Andra e Pretashit”, studiuesi i afërt i tij Gjin Duka (alias At Daniel Gjeçaj)... Ai njohu me të gjitha përmasat e saj zonën e Grudës së Malësisë së Madhe, koloritin e gjallë të zakoneve, vajet, dasmat, epiken, psikologjinë origjinale të trevave kreshnike të marra në studim, pra tërësinë klasike të kulturës së pasur nacionale ende të palëvruar asokohe... Në këtë mjedis të ri dhe të përshtatshëm për mendjen dhe punën e tij me pasion lindi dhe u rrit romani “Andra e Pretashit”, që vlerësohet nga vetë biografët më të afërt të autorit, si një ndër kryeveprat e dorëshkrimeve, që i la si pasuri të paçmuar Atdheut të vet. Ai ruajti me mjeshtëri kompozimin unik të një vepre letrare.

Vazhdon...


  Gjithsej 10 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 9 10 »
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.