Forumi Horizont Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 192 193 194 195 196 197 198 199 200 [201] 202 203 204 205 206 207 208 209 210 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Tema Shoqerore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=313)
-- Islamizmi. Nje fatkeqesi kombetare e shqiptareve?? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2848)


Postuar nga Indrit datë 27 Prill 2004 - 02:05:

vijim

HAFIZ ALI KRAJA
Teologu i Lartë

Hafiz Ali Kraja është një nga përfaqësuesit e intelektualëve myslimanë shqiptarë. Mësimet e para i mori në vendlindje (Shkodër), ku bashkësia islame trashëgonte një traditë të pasur, për të cilën kontribuoi medreseja e qytetit ("Mehmet Pashë Bushatlliu") dhe biblioteka pranë saj. Vazhdoi studimet e larta për teologji, filozofi e jurisprudencë islame në Kajro. Në përfundim të studimeve iu dha titulli "Teolog i lartë".
Mori pjesë aktive në problemet sociale dhe ato politike të vendit. Më 1934 botoi në Shkodër panfletin "A duhet feja? A e pengon bashkimin kombëtar?" Kjo vepër u botua në atë periudhë kur flukset e propagandës komuniste dhe në mënyrë të veçantë përhapja e ateizmit ishin dendësuar në qarqe të caktuara intelektuale. Në kohën e vet ky material pati jehonë. Ai vazhdoi ta sulmojë me guxim komunizmin. Më 1944 mbajti ligjëratën "Ç’është Komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar", në xhaminë më të madhe të Shkodrës. Para dëgjuesve të shumtë ai demostroi pasojat tragjike që do të pësonte Shqipëria në rast se do të fitonte kjo ideologji.
Hfz. A. Kraja mbante lidhje të ngushta me të gjitha përsonalitetet politike të kohës. Me rastin e vdekjes së Fishtës, ai, nëpërmjet një ligjërate prekëse, vajtoi poetin që kishte shkruar një vepër të denjë për historinë e kombit shqiptar.
Më 1943 pushtuesit italianë e internojnë në Portopalermo. Më 1947 pushteti komunist e dënoi me njëzet vjet heqje lirie, të cilat i kaloi në burgun e Burrelit.

BINAZE KACABAÇI-DAUTI
Hoxha Hanmi

Binaze Kacabaçi-Dauti me pseudonimin "Hoxha Hanëm" ushtroi profesionin e mësueses së besimit dhe të edukatores islame.
Binazja është nga rrethi i Leskovcit. Qyteti i lindjes së saj është Prizreni. Duke qenë e detyruar të ndiqte prindërit e saj, ajo bëri një jetë endacake. Shkollën fillore e bëri në Edrene, ndërsa atë normale në Stamboll, ku edhe shërbeu si mësuese për pesë vjet. Më vonë ajo u shpërngul në Gjilan.
Në vitin 1920, në moshën 29- vjeçare, ajo hapi një shkollë për vajza në shtëpinë e saj në Gjilan.
Në kushtet e pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, shkollat me gjuhë mësimi shqipen qenë krejtësisht të ndaluara. Në këto rrethana të vetmet institucione për arsimimin e shqiptarëve ishin mejtepet dhe medresetë, ku mësimi jepej nga klerikë muslimanë. Është e natyrshme që regjimi sllav nuk i shihte me sy të mirë këta klerikë, të cilët ishin brumosur me botëkuptimin armiqësor ndaj sllavëve, gjë që përbënte një rrezik për shtetin jugosllav. Përveç asaj, dihet se shumë prej tyre bënin pjesë në Komitetin e Kosovës dhe kishin lidhje me udhëheqës si Ferhat Draga, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj.
H.Hanmi e përjetoi ndjekjen që u bëhej shqiptarëve. Ajo vërtet nuk u aktivizua në lëvizjen kombëtare, por ajo e shndërroi shtëpinë e saj në shkollë për vajzat shqiptare, dha mësime në mënyrë klandestine, duke kontribuar kështu në frymën e besimit musliman për unitetin kombëtar.

ESAT MYFTIA
Personifikimi i Modestise

Esat Myftia i përket asaj plejade njerëzish që nuk e ndajnë fjalën nga veprat, që ofiqet ose përgjegjësitë nuk i ndanin nga njerëzit, që ushtrimin e fesë e bënte me sakrifica të mëdha.
U lind në Shkodër më 1911. Mësimet fillore dhe ato plotore fetare i mori në qytetin e lindjes, ku vazhdoi edhe medresenë. Në moshë fare të re ngarkohet me detyrën e imamit dhe njëkohësisht me atë të mësuesit të besimit. Kur më 1944 një grup intelektualësh myslimanë themeluan Komitetin Bamirës Musliman, i cili ngriti edhe medresenë, Esat Myftia u vu në krye të këtyre dy institucioneve. Njeri me kulturë të gjerë, zotërues i pesë gjuhëve të huaja, njohës i filozofisë islame dhe i orientalistikës në përgjithësi, intelektual, nacionalist i devotshëm, posedues i një biblioteke të pasur, Esat Myftia nuk u pajtua asnjëherë as me pushtuesin as me diktaturën komuniste.
Me vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri u vu në shënjestër, si shumë intelektualë të tjerë, dhe në dhjetorin e vitit 1945 arrestohet. Autoriteti që kishte si dhe simpatia e madhe që gëzonte në popullin shkodran i detyruan organet e sigurimit të shtetit që ta lironin, por ata e kishin mbyllur Komitetin Bamirës Musliman.
Në këto vite Medreseja e Tiranës vazhdonte të mbijetonte me vështirësi nga përsekutimet e vazhdueshme që i bënin kuadrove të saj. Në këto kushte e emëruan Esat Myftinë drejtor të medresesë, por ai, duke mos dashur të verë në jetë orientimet e partisë lidhur me edukimin e nxënësve, dha dorëheqjen me preteksin se ishte i sëmurë.
Ai vendosi t'i kushtohet tërësisht çështjes teologjike. Esat Myftia ishte nga të paktë klerikë shqiptarë që kishte mbetur gjallë. Kështu më 1966 u caktua në postin e kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, detyrë të cilën e mbajti më pak se një vit. Gjatë kësaj kohe ai përjetoi dhimbjen e humbjes së djalit të vetëm në ushtri, dhe menjëherë më pas dhembjen tjetër të kryqëzatës kundër fesë në Shqipëri. Në këto kushte ai u mbyll në shtëpi, për të jetuar vetëm me bibliotekën e tiij, e cila ishte shumë e pasur. Në këtë bibliotekë gjendeshin relike shumë me vlerë, libra unikale si edhe dy tahtet astrologjike të Hasan Tahsinit që ia kishte dhuruar familjes së tij kur kishte qenë në Shkodër.
Pasi ia shtetëzuan bibliotekën, ai punoi si nëpunës i thjeshtë i saj, por gjithnjë i përgjuar, i mënjanuar si përson i dyshimtë dhe fetar.
Esat Myftia vdiq në vitin 1975. Populli i Shkodrës, që kishte një respekt të madh për të, pa marrë parasysh opinionin e regjimit komunist, e përcolli me nderime të mëdha.


FERID VOKOPOLA
Përfaqësues i Mistiçizmit Islam

Në shtypin shqiptar të viteve ’20-’30 ndriçon edhe pena e fuqishme e Ferid Vokopolës, një prej figurave poliedrike të kohës. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof, eseist, poliglot.
Më 28 Nëntor 1912, Ferid Vokopola e firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë si delegat i Vlorës. Më 1914 bëri pjesë në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë së Durrësit. Pikërisht në këtë kohë ai hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kur’anit. Më 1919 boton "Fluturimet e Shpirtit". Në Kongresin e Lushnjës (21.01.1920) zgjidhet sekretar. i frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjës.
Po në këtë vit botoi "Symbyllurazi me ëndërrime". Gjatë periudhës 1920-1928 u zgjodh deputet i Vlorës, kurse gjatë viteve 1928-1939 deputet i Beratit. Pikërisht në këtë kohë, në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës.
Më 26.10.1927 deri më 10.05.1928 Ferid Vokopola mbuloi postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Ferid Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këtë kohë themeloi në Tiranë organizatën fetare "Drita Hyjnore", që pati si organ të vetin revistën "Njeriu", e cila doli rregullisht nga korriku 1942 deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të shkrimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçantë poezitë e tij simbolike me theks filozofik. Duke qenë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçon këtë frymë pothuajse në të gjitha poezitë e tij. Kjo frymë ndihet sidomos në veprën e tij poetike "Gjëmimi i Tomorrit". Stili i tij është joshës, gjuha plot figura, metrika e respektuar. Figurat e përdorura në poezinë e tij kanë karakter simbolesh, gjithmonë brenda botës së madhe të islamizmit.
Pushteti komunist e burgosi. Në qelinë e burgut nuk ra as në dëshpërim, as në pesimizëm. i bindur në pikëpamjet e tij islame, ai iu dedikua përkthimit të Kur’anit, punë të cilën ai e vazhdoi dhjetë vjet. Kjo vepër me vlerë ruhet sot në dosjet e arkivit personal të familjes Vokopola në Durrës.
Kur doli nga burgu, ai gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera, larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtare deri në armiqësi ndaj fesë. Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë si përkthyes i dokumentave nga osmanishtja.


Haki Sharofi
Drejtor i Revistës "Zani i Naltë"

Haki Sharofi lindi në Dibër të Madhe, por veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe perkthyes i zhvilloi larg lindjes, në Gjyrash të Manastirit (1912), në Peshkopi (1914), ku hapi shkollën e parë shqipe, në Trujak dhe në Sllovë të Dibrës (1916 dhe 1920), në Kastriot (1923), në Krumë (1928), në Vlorë (1929). Pas viteve ’30, ai vendoset përfundimisht në Tiranë ku zhvillon një veprimtari të dendur si drejtor i Medresesë së Tiranës, si drejtor i revistës "Zani i Naltë" (organ i Komunitetit Musliman Shqiptar), në krye të së cilës ai qëndroi në vitet 1930-1939.
Haki Sharofi kishte arsim pedagogjik. Kishte studiuar në normalen e Elbasanit si dhe kishte ndjekur shkollën pedagogjike "Darul-Mualiminë" të Dibrës.
Gjatë punës së tij në fushën e botimeve u dallua për trajtime serioze të temave me karakter fetar, social, etik dhe filozofik. Shkroi edhe shumë poezi. Në mënyrë të veçantë ka meritën për hartimin e serisë së librave "Edukatë fetare e morale", tekste mësimore këto që u shfrytëzuan për mësimin e besimit në shkolla shtetërore, ku jepej dhe mësimi i fesë. Te librat "Edukata fetare e Morale "spikasin disa kërkesa të moralit islam në kushtet tona, ku zënë vend disa parime themelore të këtij morali, të shpjeguara thjesht e për masat e të gjitha moshave, të asaj periudhe me shtrirje të kufizuar të arsimit laik. Këto tekste kanë një ndërtim dhe strukturë delikate shumë të përshtatshme për kohën që u botuan. Duke u nisur nga këto vlera, biblioteka myslimane shqiptare e Miçiganit (USA) i ka ribotuar ato kohët e fundit.
Krahas veprave të mësipërme, duhet shënuar se edhe "Kalendari mysliman" që u botua për disa vite me radhë është vepër e tij.
Haki Sharofi në vitet e fundit të jetës së tij ka bashkëpunuar me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivin e Institutit të Historisë, duke dhënë një kontribut të vyer në përkthimin e dokumenteve me rëndësi historike, që ishin në gjuhët e Lindjes: arabe, turke dhe persiane. Gjithashtu ai ka lënë një trashëgim të pasur me përkthime, siç janë:"Tefsiri shqip", "Parimet e nalta të islamit", "Ajete të Kur’anit" etj.


  Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 192 193 194 195 196 197 198 199 200 [201] 202 203 204 205 206 207 208 209 210 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.