Forumi Horizont Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 194 195 196 197 198 199 200 201 202 [203] 204 205 206 207 208 209 210 211 212 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Tema Shoqerore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=313)
-- Islamizmi. Nje fatkeqesi kombetare e shqiptareve?? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2848)


Postuar nga Indrit datë 27 Prill 2004 - 02:10:

MULLA REXHEPI
Drenice 1905 – 1976


Në vitet e shkëputjes së Kosovës prej trungut Amë, shovinistët serb përdorën dy rrugë kryesore për asimilimin e popullit shqiptar në atë pjesë, gjysmë, të mbarë viseve shqiptare: të mbyllnin çdo vatër dije në gjuhën amtare, pra shkollat shqipe dhe, së dyti, të nxisnin e impononin largimin pa kthim të shqiptarëve në krahinat e Turqisë.
Mulla Rexhepi iu kundërvu kësaj politike antishqiptare, duke përdorë njohuritë e tij, si medresist i diplomuar për mësimin e fesë, nëpërmjet mejtepit, edhe për mësimin në mënyrë ilegale të gjuhës shqipe. Këtë veprimtari e zhvilloi që nga viti 1934 e deri në vitin 1944, kur u hapën kurset e shkollat në gjuhën shqipe.
Mulla Rexhepin e zgjodhën kryetar të shoqërisë "Drita", e cila kishte në programin e saj mësimin e gjuhës amtare shqipe, mbledhjen e pasurisë gojore, të folklorit të pasur në ato treva dhe kundërvënien ndaj emigrimeve në Turqi, si strategji antikombëtare shqiptare e serbëve.
Duke mbajtur lidhje të mira me studentët e medresesë të Shkupit, mulla Rexhepi gjeti mbështetje nga ana e tyre dhe kolegëve, çka e gjallëroi veprimtarinë e tij ilegale .
Edhe mbas Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare, duke i shërbyer fesë dhe kombit të vet, duke përdorë edhe detyrat shoqërore, ku u zgjodh në mbrojtjë të popullatës nga sulmet e OZN-së. Më 1949 e burgosën si bashkëpunëtor i Rifat Berishës, duke i qëndruar besnik idealeve të tij deri në vdekje.
Mulla Rexhepi zë vendin e tij të nderuar edhe në historinë e arsimit shqiptar, si një inkurajues e përhapës i gjuhës amtare në kushtet e rënda të veprimtarisë ilegale. Prandaj radhitet në radhët e hoxhallarëve atdhetarë te shquar ë te mësuesve të gjuhës amtare.




NASRUD-DIN ALBANI (SHQIPTARI)
Hadithologu më i Shquar i Këtij Shekulli


Nasrud-din Albani (Shqiptari) është hadithologu më i shquar i këtij shekulli dhe përsonaliteti më i njohur i kolonisë shqiptare të Shamit (Sirisë) në Lindjen e Afërme, e cila në hapësirën kohore dyshekullore, e diktuar në rrethana të caktuara historike për t’u shkëputur nga trungu i saj në Ballkan, arriti të ruajë me përpjekje e sakrifica të ndërgjegjëshme identitetin e vet. Mbi të gjitha, pjesëtarët e saj ruajtën gjuhën, traditën, mallin dhe nostalgjinë për vendlindjen, emrin dhe krenarinë për dheun e të parëve.
Vendasit që në fillim ata i quajtën Arnautë e ndonjëherë Albanë. Iformacione të natyrave të ndryshme përcjellin jetën dhe veprimtarinë e tyre. Por për fat jo të mirë, ata ende nuk kanë marrë vendin e tyre të merituar në historiografinë dhe publicistikën tonë, pa çka edhe përfundimet përgjithësuese rreth çështjes shqiptare në tërësi do të jenë të mangëta.
Nasrud-din Albani, rrjedh nga një familje shkodrane e shtresës së zanatçinjve të qytetit. Në vetet ’30 emigroi së bashku me familjen e tij në Damask të Sirisë. Arsimin fillor e bëri në shkollën shtetërore "Isaf Hajrie", ku mësoi gjuhën arabe.
Nasrud-dini nuk u mjaftua vetëm me këtë, por ndoqi mësimet që zhvilloheshin në shkollat e vjetra të Damaskut, ku dëgjoi ligjëratat e dijetarëve më të shquar të kohës. Dhe si i ri u njoh me literaturën burimore të gjuhës dhe të letërsisë arabe, si: "Sherh Ibni Akil", "El -mufas-sal" të Zemasheriut, "Shudhur Edh-dheheb" të Ibni Hishamit etj. Kështu, pas një rruge të gjatë me njohjen e gjuhës arabe, të cilën arriti ta përvetësojë më së miri, ai filloi të njihej nga të gjithë për forcën e interpretimit dhe mundësitë e mëdha që kishte në të argumetuarit e vlerave gjuhësore e letrare.
E gjithë kjo e mundësoi atë që të orientohej në studimin e Fikhut dhe të jurisprodencës islame, mësimet e para të së cilës i mori nga profesori i njohur Seid El-Burhani, para të cilit lexoi autorët më të njohur të medhehebit Hanefi, si: "Merakil Felah" të Sherniblalit, "El Kitab" të Ibni Hasen El-Kud-Durit etj. Në këtë kohë ai u njoh edhe me shkencat tjera islame si: Usuli fikhun (bazat e fikhut), Tefsirin (komentimin e Kur’anit), Mustalahul hadithin (terminologjia e hadithit), Ahlakun (vepra mbi moralin), edukatën, kulturën, historinë etj.
Kështu edhe, pse në moshë të re, ai arriti të hetojë vlerat e mëdha që bart me vete trashëgimia islame me opusin e saj madhështor në fusha të ndryshme të shkencës dhe jetës së popujve. Kjo e shtyu atë të mendojë për një angazhim më serioz në klasifikimin e vlerave reale të haditheve të Profetit të fundit, Muhamedit a.s. Kjo bëri që ai të diplomohet në këtë shkencë duke pasur si prof. Ragip al Tab-bah. Ai këtej e tutje qëndronte me orë të tëra në bibliotekën Ez-zahirijje të Damaskut, duke hulumtuar mbi dorëshkrimet që gjendeshin aty. Nasrudin Albani frekuentoi edhe biblioteka të tjera, duke grumbulluar të dhëna, që e bënë atë të jetë një autoritet shkencor në shkencën e Hadithit.
Me kalimin e kohës shqiptari nga Shkodra filloi të bëhej i njohur si studiues dhe mendimtar i niveleve botërore në lëmin e shkencës së hadithit. Por famën e arriti me projektin e tij të madh (madje lirisht mund të themi më të madhin në historinë e hadithit të kohës së re) në klasifikimin e haditheve të Profetit a.s. Ai bëri klasifikimin e njohur tashmë si frut i punës së tij, duke i ndarë hadithet në dy grupe të mëdha me titujt:"Silsilet el ehadith el-sahiha" -(vargu i haditheve të vërteta) dhe "Silsilet el ehadith ed-daife"-(vargu i haditheve të dobëta). Edhe pse ky studim do dekada e i kalon dhjetëra vëllime, ende është në qendër të aktivitetit të Nasrud-din Albanit.
Opusi i tij tani përfshin mbi 136 vepra shkencore, prej të cilave 16 prej tyre janë kritika shkencore, 55 vepra dorëshkrime të pabotuara, 29 vepra të botuara disa herë, 30 cenzurime shkencore në lëmin e shkencës së hadithit, 6 retushime të librave të njohur si: El-Uluv, Sahih Muslim, Sahih Buhari, Shemail Muhammedije etj. Për këtë ai konsiderohet në botën islame si një nga autorët më prodhimtarë të shekullit tonë, në fushat e hadithologjisë, letërsis artistike arabe, historisë, kritikës letrare, sociologjisë, etikës, pedagogjisë etj.
Kështu ky erudit i shkencës dhe i kulturës botërore, e në veçanti asaj islame, duke shërbyer si pedagog në Universitetin e Medinës (Arabi Saudite), e pastaj si profesor i qendrave më të mëdha akademike studimore të Libanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë etj. arriti të çmohej nga të gjithë bashkëkohësit e tij: "Muhad-dith El Asr" (shkencëtar i shekullit në lëndën e hadithit).
Sot punonjësit shkencorë të islamologjisë moderne i referohen veprës së Nasrud-din Albanit.
Fatkeqësisht duhet thënë se Nasrud-din Albani edhe pse i gjakut tonë, dhe megjithëse krijimtaria e tij shkencore dhe letrare kap një periudhë mbi 30 -vjeçare, në Shqipëri mjerisht njihet pak, dhe, më saktë, nuk njihet me madhështinë e tij intelektuale.
Gjatë periudhës së sundimit të shtetit totalitar, ku interesat kombëtare iu nënshtroheshin interesave partiake, dhe ku pothuaj çdo gjë që krijohej jashtë kufijve shtetërorë shqiptarë dhe që nuk i përgjigjej ideologjisë marksiste leniniste konsiderohej e padëshiruar, nuk çoi vetëm në cungimin e kulturës kombëtare, por edhe në cungimin e vetë kombit. Ky kolos i kulturës islame i përket edhe kulturës shqiptare. Ne shpresojmë që jo vetëm veprat e tij, por edhe fizikisht ta kemi përballë intelegjencës sonë shqiptare për çështje të caktuara.


MULLA ZEKË BËRDYNA
Një Jetë Për Besimin Islam, Arsimim Në Gjuhën Amtare Dhe Kombin Shqiptar


Mulla Zekë Bërdyna u lind rreth vitit 1918 në fshatin Novosellë të Pejës, në një mjedis prapanikërie kulturore, ku nuk kishte as mejtep e shkollë, ku analfebitizmi ishte në shtrirje absolute.
Në vitin 1926 e fillon medresenë në Pejë, për ta vazhduar më tej te mësuesi Fahri Efendiu, i njohur për dijenitë e gjera. Kështu, Zeneli (Mulla Zeka i ardhshëm) u përgatit që edhe ai t’u japë mësim të tjerëve. Ishte koha kur shkollat laike shqipe qenë mbyllur nga ligjet e rrepta të pushtuesit, për asimilimin e brezërive të reja. Por, pati edhe prej mësuesve të njohur për fusha të tjera të shkencave, si gjuha e letërsia shqipe, historia, matematika, gjeografia etj.
Një nga mësuesit që e kreu shkëlqyeshëm këtë detyrë, qe Mulla Zeka, i cili ngriti një mejtep në fshatin Radavc, pikërisht në vitin 1938, i cili, përveç lëndëve të besimit dhe të gjuhës amtare e shkencave shoqërore me karakter kombëtar, u mësonte nxënësve edhe lëndë nga psikologjia.
Prej vitit 1941 e deri në vitin 1944 Mulla Zeka qe në frontin e Rozhajës dhe Novi Pazarit, duke iu kundërvënë çetave çetnike me çetat vullnetare. Në njërën prej këtyre betejave, në vitin 1943, në masakrën e Bihorit, plagoset rëndë edhe Mulla Zeka, i cili ishte në detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të çetave vullnetare.
Në vitin 1948 burgoset dhe kalon nëpër burgjet e rënda të ish -Jugosllavisë të "Bella Kuça-s" në Nish, ku kaloi katër vite, dhe në Goli Otok nga vitet 1952-1960, i dënuar me motivacion të shpifur e fals tërësisht, si prostalinian. Atje Mulla Zeka i qëndroi burrërisht torturave më të egra, duke mbetur i papërlyer dhe i nderuar. Në një rastë duke kujtuar momente nga burgu i Goli Otokut ai pat thënë "më e vështira për mua ishte të bart gurë..!? Po të ishte për të ndërtuar diçka do ta bëja me dëshir..! Por ne ishim të detyruar t’i bartnim gurët sa në një anë sa në anën tjetër".
Mulla Zeka pasi doli nga burgu përveç si imam i fshatit Novosell, ku organizonte edhe mësim besimin me nxënësit e fshatit, ai u aktivizua sidomos në pajtimin e gjaqeve dhe konflikteve mes njerëzve. Prandaj me të drejtë e quajtën edhe pioner i pajtimit të popullit në Podgor. Ato probleme që nuk i zgjidhte ligji i shtetit të instaluar i zgjidhte Mulla Zeka. Vdiq po në robëri, me 12 janar 1987. Në varrimin dhe ngushëllimin e familjes së tij mori pjesë e pothujse tërë Kosova



Vejsel Xheladin Guta
Atdhe janë të Pandara



Në plejadën e hoxhallarëve të shquar kosovarë të shekullit tonë, që binomin fe e atdhe, din e vatan, e konceptuan të pandarë dhe që kësaj bindjeje i kushtuan gjithçka: mundin, talentin, sakrificat dhe vetëmohimin, bën pjesë dhe Vejsel Xheladin Guta nga Zaskoci i Ferizajt.
Arsimin fillor Vejsel Guta e mori në vendlindje, kurse të mesmin fetar e përfundoi në Prizren në vitin shkollor 1937-1938 në medresenë "Mehmet Pasha", ku Vejseli vazhdoi studimet për dymbëdhjetë vjet. Aty i jepej rëndësi e madhe, krahas lëndëve të tjera, edhe mendimit letrar shqip me alfabet arab, si dhe gjuhës e kulturës shqiptare.
Ai u shqua në mes bashkënxënësve të tij maturantë për aftësitë e tij në gjuhët orientale, si dhe për njohuritë që kishte fituar në letërsinë shqipe, që lexohej ilegalisht në atë kohë. Për këto rrezultate ai u caktua mësues i medresesë, por nuk punoi aty, sepse u vendos në Voinoc, ku qëndresa kundër politikës shkombëtarizuese sllave ishte në apogje. Në këtë fshat ai organizoi mejtepin, që fitoi të njohur në tërë zonën dhe ku numri i nxënësve rritej çdo ditë. Ai iu kushtua poezisë.
Në shkollën (mejtepin) e Vejsel Gutës, veç lëndëve fetare, zhvilloheshin edhe lëndë të tjera si: matematika, astronomia, gjeografia dhe historia. Ajo u bë qendër e përhapjes së diturive në gjuhën shqipe, e cila mësohej ilegalisht. Gjatë viteve 1941-1945, mejtepi i Vejsel Gutës u bë një shkollë kombëtare-fetare, ku nxënësit merrnin njohuri edhe nga historia e Shqipërisë dhe gjuha e letërsia shqipe.
Vejsel Guta ishte poet i lindur. Ai i thurte mendimet e tij me lehtësi të madhe në vargje. Në ndërtimin e poezive ndoqi teknikën e poetëve persë, gjuhën dhe veprat e të cilëve ai i njihte shumë mirë. Ilahitë që bëri i thuri në formën e kasideve, që i përngjanin poezive perse edhe nga përmbajtja, por ai në përmbajtjen e tyre trajtonte probleme sociale e politike si dhe probleme morale. Të përmendura janë poemat: "Çohu prej gjumit more vlla", "Mos e le udhën, o insan", "Fjalim shqip a than", "Ej ju të par ehli vatan" etj.
Si mësues e myderriz ai diti të sinkretizojë edukimin fetar me atë patriotik, punën legale me atë ilegale. Shumë nga tekstet dhe poezitë fetare që përshkoheshin nga fryma patriotike u mësoheshin nxënësve në klasa, duke sfiduar kështu ndjekjet e organeve policore serbe. Shumë ilahi dhe kaside të Vejsel Gutës u bënë tema mësimi për talebet e medresesë "Alaudin" të Prishtinës. Këto ranë në sy të organeve policore dhe u bënë shkak për ndjekjen e tij.
Vejsel Xheladin Guta, i njohur nga populli i Kosovës edhe me emrat "Mulla Vejseli" dhe "Mulla Vejsel Vionoci", la pas një trashëgim të pasur në krijimtarinë e tij poetike, la një emër të mirë me punën që bëri si mësues, fitoi autoritet në veprimtarinë e tij si imam dhe si patriot i madh


  Gjithsej 280 faqe: « E parë ... « 194 195 196 197 198 199 200 201 202 [203] 204 205 206 207 208 209 210 211 212 » ... E fundit »
Trego 280 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.