Forumi Horizont Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 12 13 14 15 16 17 18 19 20 [21] 22 23 24 25 26 27 28 29 30 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Shenjat e "lindjes" te nje Diktatori (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17956)


Postuar nga Vizioner datë 20 Tetor 2010 - 23:39:

Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.

Qeveritari i mashtrimit publik

-nga Andrea Stefani-

Deri kur do vazhdojnë disa shqiptarë të duartrokasin dhe votojnë figura si Sali Berisha që e bazojnë suksesin te forca e mashtrimit dhe e gënjeshtrës? Dhe ka fakte pa fund që provojnë se gënjeshtra është bërë mënyrë veprimi jo vetëm për këtë qeveri por edhe për qeverisjet dhe opozitat e mëparshme të Berishës. Është gënjyer dhe gënjehet për gjithçka, për gjëra të mëdha dhe të vogla. Gënjeshtra përdoret për të fshehur të vërtetat nga publiku, për të shantazhuar apo përçarë kundërshtarët, për të përfituar avantazhe politike. Por edhe pse mund të përfitosh në një çast, dihet se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Vjen një moment kur e vërteta kundërsulmon duke ndëshkuar pa mëshirë. Veç nuk godet vetëm gënjeshtarët e mashtruesit e politikës por edhe ata që i besuan gënjeshtrës, e mbrojtën dhe e duartrokitën atë, publikun. Një gjë e tillë ka ndodhur me atë që ka mbetur në histori si tragjedia e fajdeve shqiptare përmbysja e të cilave u pasua edhe nga rrënimi i shtetit. Tashmë ish bashkëpunëtorë të afërt të Sali Berishës, dëshmitarë nga brenda zyrës së tij, sikundër gazetari Mero Baze, dëshmojnë se Sali Berisha ka qenë avokati më i madh i aktivitetit të fajdeve duke hedhur poshtë rrenën vulgare të propagandës së tij se "fajdet qenë një komplot komunist". Për vite me radhë dhe vetëm për hatër të pushtetit dhe duke injoruar paralajmërimet e ndërkombëtarëve, Berisha toleroi të vlojë në zemër të ekonomisë vullkanin e fajdeve që do të sillte më vonë shkatërrimin e shteti dhe të jetëve të jo pak shqiptarëve. Dhe po për hatër të pushteti të tij, i njëjti Berishë vendosi të vepronte kundër fajdeve kur ishte shumë vonë. Dhe përsëri me anë të gënjeshtrës dhe mashtrimit të publikut.

***

Që vite më parë janë publikuar dokumente që provojnë se FMN dhe Banka Botërore kishin nisur të paralajmëronin autoritetet shqiptare për rrezikun që paraqisnin piramidat financiare qysh në vitin 1994. Por ato u injoruan me koshiencë të plotë nga Presidenti i Republikës i asaj kohe gjithnjë me vizionin e qartë se fajdet, me parajsën e rreme ekonomike që krijonin në publik, ishin një mjet i mirë për t'i zgjatur jetën një pushteti që s'pushonte së përçuari mesazhe se me të "fitojnë të gjithë".

Një politikë që Berisha e mbrojti me këmbëngulje deri në fund të vitit 1996 pra, deri atëherë kur katastrofa ishte thuajse një fatalitet. Madje edhe kur nga qarqe të antikrimit italian nisën të bëhen publike dyshime mbi përdorimin e skemave piramidale për pastrimin e parave, Berisha, por edhe ish ministri i brendshëm Halit Shamata, nxituan të përgënjeshtrojnë dyshimet e ngritura. Vetë Berisha përjashtoi kategorikisht një gjë të tillë duke deklaruar me një frazë amorfe se "paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë". Ishte një konfirmim që, i bërë në vjeshtën e vitit 1996, nxiti edhe më shumë shqiptarët të investonin kursimet e jetës të tyre në piramidat financiare. Pa deklarime të tilla sa dinake aq edhe të papërgjegjshme që mashtruan publikun, katastrofa financiare do kish qenë shumë më e vogël. Dhe meqenëse firmat fajde i depozitonin paratë në bankat e nivelit të dytë në formën e depozitave "pa afat", kjo ka qenë dhe është lehtësisht e provueshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga rreth 5 miliardë lekë deri në mes të vitit 1996, depozitat pa afat të firmave private kreshpërohen në rreth 32 miliardë lekë vetëm në 4 muajt e fundit të vitit 1996. Si shpjegohet një kreshendo e tillë e parave të fajdeve në banka? Aq më tepër kur pikërisht në këtë periudhë edhe ministri i financave Ridvan Bode deklaroi publikisht shqetësimin dhe alarmin e FMN për Piramidat? Paradoksi shpjegohet me reagimet e Berishës. Ishte ai që detyroi ministrin Bode të përgënjeshtrojë alarmin e sjellë nga Uashingtoni. Kam patur rastin ta intervistoj vetë Boden pas alarmit bombë që lëshoi për rrezikshmërinë e piramidave dhe i trullosur deklaroi: "më kanë keqkuptuar"! E kishte trullosur Berisha. Eshtë tamam ashtu sikundër rrëfen sot Mero Baze në librin e tij. Eshtë pikërisht periudha kur Berisha ka bërë deklarimet për "pastërtinë" e parave të shqiptarëve. Ishte kundërofensiva e Berishës në mbrojtje të fajdeve, ishte ky mashtrim publik i bërë për qëllime pushteti, që pengoi shtetin të vepronte më në kohë kundër se keqes, kur s'ishte aq e thellë. Një pengim që solli një katastrofë totale financiare për shqiptarët. Edhe gabim po të ishte, akti është një nga ato që Jozef Fushe i quante më të rënda se një krim. Si të gjithë vendimmarrjet e gabuara qeverisëse që ndikojnë në jetën e miliona njerëzve. Berisha nuk është përgjigjur asnjëherë për një "gabim" të tillë para ligjit. Sepse ka qëndruar dhe qëndron mbi ligjin. Por, në fakt, nuk ishte një gabim. Ishte një kalkulim cinik , një mashtrim për qëllime pushteti. Ishim ende në momentet kur Berisha, ky maniak i pushtetit, besonte se fajdet i shërbenin ende qëndrimit të tij në pushtet.

***

Por do kalonin vetëm pak muaj dhe Berisha do kuptonte se pushteti mund të shpëtohej vetëm duke dalë nga spiralja e llahtarshme e fajdeve. Po si i bëhet që të mashtronin tashmë të mashtruarit pra, publikun? Si i bëhej që njerëzit që nuk i kishin dekurajuar por që përkundrazi, i kishin inkurajuar dinakërisht të investonin në fajde, të mos ngriheshin kundër pushtetit? Si përherë zgjidhja u gjet te gënjeshtra, te mashtrimi i publikut. Dhe pikërisht këtë dëshmon edhe Mero Baze në librin e tij "Viti 97". "Më shumë se kushdo tjetër që kam njohur, ai beson te fuqia e medias dhe dezinformacioni" - shkruan Baze në librin e tij. Dhe pranon hapur se e ka vënë profesionin e tij të reporterit të "Zërit të Amerikës" në shërbim të këtij dezinformimi publik. Natyrisht, do ketë mjaft berishistë që do nxitojnë (pse nuk ka folur më përpara? ) të shprehin skepticizëm, do përpiqen ta nxjerrin Bazen gënjeshtar.

Veç fakti që gënjeu dje në shërbim të Berishës nuk do të thotë se Baze gënjen edhe sot kundër tij. Jeta ka raste pa fund kur njerëzit i kthehen të vërtetës duke denoncuar gënjeshtrat apo krimet e së shkuarës. Të tillë janë dhe të penduarit e Mafies. Mos vallë policia nuk duhet t'i besojë të vërtetat e tyre vetëm sepse në të shkuarën ata mund të kenë bërë edhe krime për llogari të Mafies? Por fatmirësisht, shumë nga të vërtetat tronditëse që Mero pohon sot mbi natyrën prej mashtruesi të Berishës, janë lehtësisht të verifikueshme dhe nga burime të dyta e të treta. Mbi të gjitha, Baze pohon në formën e një katarsisi të vërtetat mbi gënjeshtrat e Berishës që u bënë, në atë kohë, edhe gënjeshtrat e tij. Dhe ja episodi skandaloz për të cilin do flasim. Jemi në fillim të janarit 1997 kur Berisha ishte i vendosur t'i godiste piramidat . Por si? Si mund të veprohet kundër bosëve të piramidave që kishin financuar edhe fushatën e PD deri edhe libra për kultin e Berishës pa shkaktuar revoltë popullore? I kërkon mendim edhe Mero Bazes si duhet të veprojnë.

Dhe është ky i fundit që rrëfen se i sugjeroi të prodhojnë një lajm për humbje parash apo keqadministrim që njerëzit të revoltohen. "Shumë mirë....Të themi se lekët kanë ikur jashtë" - kish shtuar Presidenti i Republikës. Mekanizmi i mashtrimit publik ishte vënë përsëri në lëvizje. Nga vetë kreu i shtetit. Dhe po Baze rrëfen se të nesërmen "Berisha kish avancuar aq shumë në mënyrën si do prodhonte atë lajm, sa ishte "krim" ta ndalje. Ma thoshte disa herë se duhet ta shkruaja atë lajmin dhe unë qeshja. Pastaj u dorëzua. Bëje vetë, tha më në fund. Dëgjo, janë larguar 130 milionë dollarë nga Vlora". Dhe kur Baze i kërkon një konfirmim zyrtar për ta bërë mashtrimin më të besueshëm Berisha sugjeron: "Thuaj 'burime zyrtare'. Pastaj po pati nevojë, nxjerr Halit Shamatën unë". Shamata ishte ministri i brendshëm. Presidenti i plotfuqishëm kish mundësi të vinte gjithë shtetin në shërbim të mashtrimit publik. Monstra e gënjeshtrës ishte rritur nën emrin e demokracisë! Dhe Baze e prodhoi dhe e transmetoi në VOA lajmin mbi gjoja largimin nga Shqipëria të një motoskafi me mbi 130 milionë USD në bord. Në këtë episod skandaloz mashtrimi të publikut nga Presidenti i Republikës, gjen edhe qeverisjen me anë të gënjeshtrës dhe jo me anë të së vërtetës, gjen edhe manipulimin publik si edhe kufomën e medias së lirë, shndërrimin e saj në një gjuhë të gënjeshtrave qeveritare. Shkurt, gjen gjithçka është tipike për pushtete mashtruese dhe totalitare. Në thelb, mashtrimi i orkestruar nga Berisha në fillim të vitit 1997 i sapo rrëfyer nga Baze, është i njejtë me të themi, mashtrimin hitlerian të opinionit publik që do "justifikonte" agresionin nazist mbi Poloni. Ca ushtarë "SS" u veshën me uniforma polake dhe simuluan një agresion mbi një radiostacion gjerman duke vrarë edhe ca "viktima" që në fakt, ishin të burgosur kampesh përqendrimi. Eshtë ekzaktësisht i njëjti mekanizëm i paturpshëm, cinik dhe i tmerrshëm dezinformimi. Hitleri donte të justifikonte sulmin mbi Poloninë ndërsa Berisha sulmin mbi bosët e piramidave. Gjermanët e panë se ku i çoi një pushtet dhe një lider i tillë që e bazon fitoren te forca e mashtrimit dhe e gënjeshtrës. Shqiptarët e provuan gjithashtu me ferrin e vitit '97 se çdo të thotë ta lësh fatin në duart e liderëve mashtrues. Por disa prej tyre u mashtruan përsëri nga propagandat e ethshme dhe të gënjeshtërta se "Berisha ka ndryshuar". Dhe përsëri një lider gënjeshtar si Berisha është në pushtet duke përgatitur tragjedi të tjera. Si Gërdeci. Por ai është sot në pushtet edhe pse ka arritur që ta shndërrojë në piramidë mashtruese edhe krejt sistemin zgjedhjeve ku votat nuk numërohen por grabiten. Prandaj e pengon transparencën duke futur në lojë edhe "kushtetutën" dhe "gjykatat".

Kjo piramidë elektorale është në rrënjë të gjithë korrupsioneve që po shpërthejnë këto kohë në sytë e publikut. Por në rast se shqiptarët do të ishin dakord që të qeveriseshin nga mashtrues dhe gënjeshtarë të sprovuar, atëherë duhet t'i qahen vetëm budallallëkut të tyre kur të gjenden përsëri të mashtruar.


  Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 12 13 14 15 16 17 18 19 20 [21] 22 23 24 25 26 27 28 29 30 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.