Forumi Horizont Gjithsej 167 faqe: « E parë ... « 13 14 15 16 17 18 19 20 21 [22] 23 24 25 26 27 28 29 30 31 » ... E fundit »
Trego 167 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Kjo politikane e pavlere (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=16985)


Postuar nga arturm datë 01 Qershor 2009 - 15:55:

ZJARRMIA ELEKTORALE DHE ÇUDIRAT QE PASOJNE NJERA-TJETREN


Mustafa Nano

Në kohë fushatash elektorale, ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën me një shpejtësi shushatëse. E për këtë arsye, mbeten pa u futur në sitën e gazetarëve dhjetëra sosh, të cilat me siguri do ta kishin thëthitur vëmendjen e gazetarëve në kohëra të tjera normale. Ku e kam fjalën? Njëra ka të bëjë me një përgjigje që Ministria e Arsimit i ka dhënë shqetësimit të mass-media-s e të Avokatit të Popullit lidhur me nxjerrjen e dhunshme të fëmijëve nëpër tubime elektorale. Sipas asaj që kemi lexuar, ministrit i është vënë në gojë një shprehje e tillë: pjesëmarrja e nxënësve në përurimin e shkollave të meremetuara është një gjë që ka vlera edukuese për ta e që i bën mirë shëndetit mendor të tyre.

Kjo shprehje lë të kuptohet se fëmijët janë thirrur veç për të marrë pjesë në përurime shkollash të reja apo shkollash të rindërtuara. Po ja, ta zëmë se është kështu; ta zëmë pra se fëmijët janë detyruar ta lënë shkollën thjesht për të marrë pjesë në një festë të tillë. Unë fillimisht u vura në mendime një copë herë për të gjetur arsye te pohimi i ministrit; nisa pra të jetoja pakëz seriozisht me situatën e një përurimi festiv të një shkolle, dhe me përjetimet që mund të kishin fëmijët e shkollës teksa merrnin pjesë në një festë të tillë. Por nuk më kapte truri as një vlerë edukuese; aq më pak më kapte truri se si një miting politiko-elektoral mund t‘i bëjë mirë shëndetit mendor të nxënësve. Po të ish kështu, Fatos Beja nuk do të ishte sot një i prishur mendsh; përkundrazi, përderisa ka marrë pjesë në veprimtari të kësaj natyre të organizuara në kohë të komunizmit (dhe atëmot kanë qenë të shumta e plot bujë), do të ish një njeri me shëndet mendor të plotë.

Dhe sa më sipër, vlen për situatën, në të cilën kemi një prerje shiriti e një fjalim përshëndetës me fjalë e fraza të zgjedhura me kujdes prej mysafirit nga Tirana. Mirëpo puna në të tilla tubime shkon shumë më tej. Mysafirët nga qendra (të cilët zakonisht e kanë emrin Topalli apo Berisha), nuk janë aty në rolin e dinjitarëve shtetërorë, të cilët kanë respekt për ligjet, rregullat, institucionet etj., etj. Ata janë aty në rolin e pjesëmarrësve në një garë elektorale. Ata janë aty me kostumin e partizanit. Ata janë aty për të përcjellë mesazhe të pastra politike. Ata janë aty për të sharë mbarë e mbrapsht kundërshtarët e tyre politikë. E në këto rrethana, sikur të isha një prind i një fëmije të vogël, do t‘i jepja të drejtë vetes të ngrija zërin në kupë të qiellit: more kopukë, por si guxoni ju që djalin/vajzën time, të cilin/cilën unë e çoj në shkollë për të nxënë dije, ta bombardoni me breshëri broçkullash politike?

Por ka edhe më, gjë që ministrin Beja e nxjerr në dritë edhe si mashtrues njëzetqindarkësh. Fëmijët janë hequr nga shkolla, jo për të marrë pjesë në përurimin e shkollës së tyre apo të një shkolle të qytetit të tyre, por për të pritur nëpër rrugë e sheshe njerëzit e pushtetit, e për të krijuar kështu idenë e një dashurie të madhe popullore për këta njerëz. Ky është një veprim i poshtër. Shumë i poshtër.


  Gjithsej 167 faqe: « E parë ... « 13 14 15 16 17 18 19 20 21 [22] 23 24 25 26 27 28 29 30 31 » ... E fundit »
Trego 167 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.