Forumi Horizont Gjithsej 61 faqe: « E parë ... « 13 14 15 16 17 18 19 20 21 [22] 23 24 25 26 27 28 29 30 31 » ... E fundit »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- S.K Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1942)


Postuar nga qershor13 datë 29 Shtator 2003 - 19:29:

Qendërmbrojtësi i kampionëve ka shënuar një eurogol të shtunën ndaj Vllaznisë në fitoren e vështirë 3-2
Hajdari: Kjo, "bingoja" ime bardheblu


Gentian Hajdari, mbrojtësi luftarak i Tiranës, duhet të priste shumë gjatë për të shënuar të parin gol me fanellën bardheblu. Dhe jo një gol dosido, por një eurogol të shënuar nga 25 metra. Ky është sezoni i tij i katërt në radhët e kampionëve, por ai asnjëherë nuk kishte mundur ta gjente rrugën e rrjetës. Kjo edhe për shkak të pozicionit të tij si qendërmbrojtës, siç e pohon vetë Gentiani. Gjithsesi, ndoshta ia vlen të presësh kaq gjatë.
Në një deklarim për "Sportin shqiptar", Hajdari shprehet mjaft i kënaqur pas suksesit të arritur me shkodranët për javën e pestë të kampionatit. "Jam shumë i lumtur për atë gol të bukur që shënova ndaj shkodranëve. Kjo ishte, si të thuash, "bingoja" ime e parë bardheblu që kur ndodhem në skuadrën e Tiranës. Në atë moment, kur pashë që topi po më afrohej, nuk u mendova dy herë dhe godita menjëherë në drejtim të portës. Sfera mori një trajektore vërtet të çuditshme dhe nuk i dha mundësi portierit kundërshtar ta shmangte,"- thotë numri 16 i kampionëve. Përpara shënimit të atij eurogoli, rezultati i ndeshjes ishte i fiksuar në shifrat e barabarta 1-1. Tirana u hodh e gjitha në sulm në fundin e pjesës së parë dhe në këto momente erdhi dhe goditja "vdekjeprurëse" e Hajdarit, çka solli një gëzim në kampin bardheblu. Ish-dinamoviti ka marrë plotësisht karakteristikat e lojës plot grintë të Tiranës dhe është një ndër "kartat" e vlefshme të Memës në të gjitha sektorët mbrojtës të fushës. Një gjë të tillë ai e shpreh edhe vetë: "Ndihem i motivuar në këtë skuadër, pasi kam afro katër vjet që jap kontributin këtu. Gjithmonë mundohem të jap maksimumin në lojë, pavarësisht nëse luaj në mbrojtje apo në mesfushë. Për mua ka rëndësi që Tirana të fitojë në çdo ndeshje."
Duke lënë mënjanë aspektin personal, Gentiani flet edhe për atë 90-minutësh me vuajtje ndaj kuqebluve. "Takimin e kemi nisur mirë, kur shënuam që në minutat e para të lojës. Kjo solli njëfarë euforie në lojën tonë dhe shkodranët na barazuan. Gjithsesi, ne nuk e ulëm ritmin dhe gjithmonë ishim në nivel më të lartë se shkodranët. Edhe pse ata na barazuan dy herë, të gjithë në grup ishim të bindur se do ta fitonim ndeshjen. Fati e deshi që golin e fitores ta shënonte Merkoçi, një nga sulmuesit e talentuar që kemi në skuadër. Jemi të kënaqur me këtë fitore të merituar dhe tashmë shohim përpara,"- bën të ditur mbrojtësi energjik.
Po penalltia? "Gjatë lojës ishin dy raste të dyshimta, një për ne dhe një për shkodranët. Në rastin kur sulmuesi i Vllaznisë u pengua në zonë, gjyqtari akordoi menjëherë penallti kundër nesh, ndërkohë që kur topi u prek në zonë me dorë, Sazan Velçani hezitoi ta jepte. Gjithsesi, unë nuk dua të polemizoj, pasi tani çdo gjë ka përfunduar dhe ne e shohim veten të shkëputur 4 pikë nga rivali i drejtpërdrejtë, Partizani,"- përfundon mbrojtësi-gol i kampionëve, Gentian Hajdari.


Kampionët, sot përgatitjet për Cërrikun

Pas suksesit 3-2 të shtunën në kampionat ndaj Vllaznisë, bardheblutë sot do t'i rikthehen stërvitjes së tyre të zakonshme. Ajo do të jetë e ndarë në dy seanca, si zakonisht, paradite dhe pasdite. Ndërkohë, përpara derbit me Partizanin të shtunën, kampionët do të luajnë ndeshjen e kthimit për turin e dytë të kupës me Cërrikun. Ndeshja e parë, siç dihet, ka përfunduar me fitoren e pastër 3-0 të Tiranës, ndërkohë që në takimin e kthimit pritet që tekniku Mema të aktivizojë një pjesë lojtarësh të rinj dhe atyre "veteranë", që nuk u është dhënë mundësia për të luajtur. Në këtë ballafaqim me cërrikasit do të jetë i gatshëm edhe Pinari, i skualifikuar me karton të kuq në ndeshjen me Shkumbinin.


  Gjithsej 61 faqe: « E parë ... « 13 14 15 16 17 18 19 20 21 [22] 23 24 25 26 27 28 29 30 31 » ... E fundit »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.