Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Ditari (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=179)
-- Copeza jete nga e kaluara... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=5885)
Postuar nga Enya datë 05 Gusht 2006 - 04:42:
AMOR SUKSESE DHE MIRESE TE VISH NE HARVARD.WE `RE PROUD OF U.
Hajdeni në Harvard!
Belina Budini
Margen Çuko
Një shqiptar në Harvard, që hap rrugën për të tjerët
Nuk mban syze të trasha, dosje apo çantë të madhe me vete, nuk humbet në të thella dhe flokët nuk i lëpin anash, si ato gjenitë e Harvardit, që skematizohen në filmat e Hollivudit. Margen Çuko nuk është prototipi i vjetër i studentit të Harvardit, ose “peshkopit” siç thuhet nga ne, ama është një ndër ata pak shqiptarë që diplomohet në universitetin numër një në botë, sipas klasifikimit akademik të universiteteve, në Kolegjin e famshëm të Harvardit, që është edhe më i pasuri i botës. Ka ndjekur një rrugë të vështirë për të mbërritur atje, që duket se është edhe e vetmja që u është rezervuar shqiptarëve deri tani. Jo vetëm me rezultate të shkëlqyera dhe anglishte fluente, por duke kaluar së pari nga një shkollë e mesme e huaj, mundësisht e rrjetit të kolegjeve të botës së bashkuar. Por, Margeni që diplomohet këtë vit për ekonomi-financë në Harvard, kërkon t’ua thjeshtojë rrugën shqiptarëve të tjerë që duan ta arrijnë këtë universitet elitar. Duke u nisur për Harvard, edhe direkt nga Shqipëria. Dhe e ka nisur, bashkë me tetë shqiptarët e tjerë që studiojnë atje, me themelimin e një klubi të shqiptarëve të Harvardit.
Një Klub Shqiptarësh të Harvardit, që kërkon të hapë dyert e universitetit numër një të botës, për më shumë shqiptarë. Tetë shqiptarët e Harvardit, të vendosur për t’u kthyer në Shqipëri, por më parë duan të ndërtojnë një urë të re, që shqiptarët ta arrijnë ëndrrën amerikane, nëpërmjet Universitetit të Harvardit.
TIRANË
– Që nga Noli dhe Konica, shqiptarët që kanë studiuar në Harvard janë fare pak. Ndërsa edhe shtete të tilla si Singapori i përgatisin atje ministrat, liderët dhe elitarët e tyre, nga Shqipëria është ende e pamundur të mbërrish direkt në Universitetin e Harvardit. Ata pak syresh që kanë mbërritur, kanë ndjekur një rrugë të ndërlikuar, ndërsa të tjerët nuk kanë mundësinë as të aplikojnë. Kjo është arsyeja, pse 8 studentë me shtetësi shqiptare të Harvardit, kanë themeluar të parin Klub Shqiptar të Harvardit në SHBA. “Kanë munguar tërësisht kontaktet mes këtij Universiteti dhe nxënësve nga Shqipëria, mes Harvardit dhe shtetit shqiptar”, - tregon Margen Çuko, student në prag të diplomimit në këtë universitet.
“Klubi Shqiptar i Harvardit”, i themeluar vetëm pak muaj më parë, duket se mund të jetë një urë e re për arritjen e ëndrrës amerikane nga shqiptarët. Sigurisht, nga ata më të shkëlqyerit dhe që kërkojnë më shumë. Pavarësisht euforisë që studenti shqiptar thotë se është tipike harvardiane, plani i këtyre studentëve shqiptarë të Harvardit, nuk duket aspak i keq. Aq më tepër që kanë gjetur edhe paratë. U mungon vetëm një marrëveshje me shtetin shqiptar. Plani më i shpejtë, është ai i hapjes së një shkolle verore me lektorë nga Harvardi në Shqipëri dhe përgatitja e 100 deri në 200 aplikimeve nga nxënësit e shkollave të mesme shqiptare, që kërkojnë të ndjekin Harvardin. Deri tani, numri i shqiptarëve që arrijnë të aplikojnë, nuk është asnjëherë më i madh se 3 ose katër syresh në vit. Ata më mirë të orientuarit, sigurisht.
Margeni dhe disa nga miqtë e tij të klubit, duket se kërkojnë të gjejnë kështu edhe një urë për veten e tyre, pasi kanë mendimin të kthehen në Shqipëri. Edhe pse e ka të lidhur kontratën me J.P.Morgan, një kompani e madhe financiare dhe bankë investimesh, që i ka akorduar një vend pune pas studimeve në sektorin financiar të Bursës, Margeni thotë se do të kthehet sërish në Shqipëri. Sigurisht, jo menjëherë. Të paktën jo, pa siguruar ato të domosdoshmet, paratë. Dhe kushedi, ndoshta për t’iu futur politikës. Në fund të fundit, ai mendon se politikanët shqiptarë korruptohen, edhe sepse futen në politikë të papërgatitur financiarisht, start i cili, dihet që në Amerikë nuk konceptohet.
Por, deri atëherë do të rrjedhin shumë ujëra dhe vajzat e djemtë shqiptarë në Harvard, të frymëzuar nga filozofia amerikane e punës, kanë nisur diçka, nuk ka rëndësi se çfarë. Madje Margeni rrëfen se pavarësisht se është president i këtij klubi, që ka fituar simpatinë e profesorëve dhe të studentëve të tjerë të huaj, bën edhe punë të tilla si, ndihmës i kujdestarit të godinës, banakier e kamerier në raste festash në shkollë, si edhe në policinë e shkollës, punë këto të paguara relativisht mirë. Por, rroga e mëvonshme e një të diplomuari në Harvard, që ka kontratë paraprake punësimi me kompani të mëdha si për shembull J.P.Morgan, fillon me 100 mijë dollarë në vit. Studentët shqiptarë atje nuk e kanë të lehtë të refuzojnë shuma të tilla, për t’u kthyer në Shqipëri si aventurierë, megjithatë duket se jeta amerikane u duket tepër frenetike në krahasim me atë shqiptare dhe se ç’ka diçka që i tërheq të kthehen. Në Tiranë prej disa ditësh për pushime, Margeni sa herë vjen, bindet që do të kthehet në Shqipëri. Por për momentin, është duke menduar se si të ftojë shqiptarë të tjerë në Amerikë, në Harvard pra!
Klubi i Shqiptarëve të Harvardit: Ja çfarë kërkojmë nga shkollat dhe shteti: “Na duhet bashkëpunimi i shkollave dhe i shtetit, sepse duhet bërë një përzgjedhje e gjimnazistëve më të mirë për të aplikuar. Por jo në të gjitha rastet bursat për këta studentë mund të mbulohen nga Universiteti, si në rastin tim dhe të shqiptarëve që jemi aktualisht atje, prandaj edhe investimet e shtetit për bursa akorduar studentëve shqiptarë, do të ishin të nevojshme”, - thotë studenti shqiptar i Harvardit, duke shtuar se pjesën tjetër të aranzhimit me universitetin, e merr përsipër klubi që sapo kanë krijuar, i cili sipas tyre ka kontakte direkte me personat në Harvard që pranojnë studentët e rinj, pasi kanë arritur të kenë kredibilitetin dhe reputacionin e duhur pranë tyre.
Edhe Dritan Prifti e Arben Malaj
Politikanët shqiptarë të Harvardit, gati klubin e Harvardit në Shqipëri
Në Harvard i duan shumë studentët që vijnë nga vendet e tjera. Studenti shqiptar i Harvardit është i bindur për këtë. Ata që kanë studiuar një herë atje, mbeten të lidhur gjatë me këtë universitet. Kështu ka ndodhur edhe me disa shqiptarë si Dritan Prifti, Arben Malaj, Ilir Ciko, Elind Bajraktari, Kosta Baraba, të cilët kanë bërë ose janë duke bërë master në Harvard dhe sapo kanë miratuar në gjykatë, themelimin e një klubi tjetër të Harvardit. Kësaj radhe bëhet fjalë për Klubin e Harvardit në Shqipëri, me të cilin djemtë e klubit të parë, atë të Shqiptarëve në Harvard, mund të krijojnë bashkëpunim për planin ambicioz të hapjes së dyerve të Harvardit për më shumë shqiptarë.