Forumi Horizont Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 14 15 16 17 18 19 20 21 22 [23] 24 25 26 27 28 29 30 31 32 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Vllaznia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1935)


Postuar nga qershor13 datë 03 Tetor 2003 - 12:44:

Trajneri i Vllaznisë e konsideron tepër të domosdoshme fitoren e ndeshjes me vlonjatët
"Deda": Flamurtari, ndarja me të kaluarën


Skuadra shkodrane, në përpjekje për të ruajtur momentin e mirë që po kalon, është e përqendruar totalisht te ndeshja e nesërme në kampionat, ndaj Flamurtarit të Vlorës. Ndeshja e mirë, e zhvilluar të shtunën e kaluar ndaj Tiranës, u ka dhënë zemër dhe i ka bërë optimistë pjesëtarët e kampit kuqeblu. Objektivi i tyre i radhës është kalimi me sukses i ndeshjes me Flamurtarin, e cila do të luhet nesër në "Loro Boriçi". Trajneri i kuqebluve, Dervish Haxhiosmanoviç, në një deklarim për "Sportin shqiptar", është shprehur se skuadra e tij nuk është ende gati për këtë ndeshje, pasi duhen bërë disa "meremetime" të fundit në të. Në të vërtetë, "meremetimet" në fjalë, malazezi ka dashur t'i bëjë që të mërkurën, në ndeshjen e kupës, me Adën, por prej saj nuk ka dalë asgjë në dritë në këtë drejtim. Një fakt të tillë e pranon edhe vetë Haxhiosmanoviçi, i cili i përgjigjet pyetjes se për çfarë i shërbeu ndeshja e kupës skuadrës së tij: "Për asgjë. Ishte një ndeshje shumë e dobët. Përballë nuk kishim një kundërshtar të denjë, ndaj të cilit mund të provonim disa variante loje apo lëvizje në formacion, që do të na nevojiteshin për ndeshjen me Flamurtarin." Vetë rezultati i këtij takimi 9-0, flet për cilësinë e lojës, në një kohë që futbollistët e Vllaznisë u vunë në garë se kush të shënonte më shumë. Natyrisht, ka spikatur sërish i talentuari Salihi, i cili shënoi 4 gola në këtë takim. Ndaj Adës ka spikatur edhe mbrojtësi Edi Luka, si autor i dy golave, duke formuar kështu portretin e një futbollisti të domosdoshëm për formacionin shkodran. Sidoqoftë, në syrin e trajnerit kuqeblu nuk ka vlejtur asgjë nga ky takim: "Ndeshja e kupës, sikurse e thashë edhe më sipër, ishte një formalitet. Madje nuk i "preku" as kufijtë e një ndeshjeje kontrolli. Prandaj dua të them se, për ndeshjen me Flamurtarin, skuadra nuk është ende gati. Duhen rregulluar edhe disa gjëra të vogla, në mënyrë që skuadra, ditën e ndeshjes, të jetë plotësisht gati." Të tilla fjalë kanë dalë nga goja e "Dedës" ndoshta nga fakti që nuk do t'i ketë të gatshëm të gjithë lojtarët edhe për këtë ndeshje. Tashmë është e sigurt që Martini dhe Dibra do t'i mungojnë Vllaznisë në ballafaqimin me vlonjatët. Megjithatë, ata pritet të zëvendësohen nga futbollistë të tjerë kuqeblu. Nesër, përballë Flamurtarit, skuadra shkodrane do të kërkojë me ngulm fitoren. Mbi të gjitha, sikurse thotë vetë Haxhiosmanoviçi, skuadra duhet të japë maksimumin në këtë sfidë dhe të ruajë momentin e mirë që po kalon. "Na duhet patjetër një fitore në këtë ndeshje, për të ruajtur ritmin. Njëkohësisht, duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse çdo rezultat tjetër, përveç fitores, do t'i kthente gjërat aty ku ishin më parë," ka thënë trajneri malazez i Vllaznisë.


  Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 14 15 16 17 18 19 20 21 22 [23] 24 25 26 27 28 29 30 31 32 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.