Forumi Horizont Gjithsej 63 faqe: « E parë ... « 16 17 18 19 20 21 22 23 24 [25] 26 27 28 29 30 31 32 33 34 » ... E fundit »
Trego 63 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Konfliktet botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=160)
-- Irak. Tematika nr. 2 Diskutime mbi te ardhmen e Irakut (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=773)


Postuar nga Enri datë 21 Korrik 2003 - 18:36:

Sërish për armët e pazbuluara irakiane

Shtypi i sotëm evropian mendon se debati i filluar rreth përdorimit të informacioneve të shërbimit të zbulimit nga Britania e Madhe dhe SHBA për të justifikuar luftën në Irak, nuk do të përfundojë së shpejti. Shytpi francez ndërkaq, komenton intervistën tradicionale në Ditën e Bastiles të presidentit Zhak Shirak.

Me titullin "Turpërimi i Blairit", një editorial në të përditshmen gjermane SUEDDEUTSCHE ZEITUNG, thotë se debati i vazhdueshëm për luftën në Irak paraqet një problem për kryeministrin britanik, me të cilin ai e ka të vështirë të merret.

Gazeta beson se tash për tash do të ishte jo e drejtë për Tony Blairin dhe edhe për presidentin amerikan George Bush të marrin qëndrime të fituesit.

"Çfarëdo që të kenë arritur me raketat dhe bombat e tyre në Irak", shkruan gazeta "është lënë në hije nga dyshimi, që është konfirmuar edhe më shumë, se për hirë të luftës ata në mënyrë groteske ekzagjeruan kërcënimin që paraqiste Saddam Husseini".

Sipas gazetës, vështirësitë e Tony Blairit janë shtuar edhe me sugjerimet amerikane se shërbimet britanike të zbulimit nuk janë të standardeve amerikane.

"Miqtë nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë", thotë gazeta dhe shton se qëndrimi i Washingtonit do të konfirmojë kritikat në adresë të kryeministrit britanik, me besimin se "kjo marrëdhënie e posaçme" me SHBA-në pas të gjithave nuk është e tillë.

E përditshmja zvicerane LE TEMPS, sugjeron se bota nuk e ka parë fundin e aferës. Ajo kërkon që pas luftës në Irak të pranohet drejtpërdrejt në televizion e vërteta.

Gazeta shkruan se shtypi britanik ka mbledhur dëshmi, që sipas zviceranes ishin "mbërthyese", dhe shtron pyetjen se cila ishte në të vërtetë arsyeja e futjes në luftë, nëse armët e shkatërrimit në masë ishin vetëm një pretekst.

"Javët e ardhshme do të jenë fascinuese, shumë të rrezikshme për dy udhëheqësit", përfundon gazeta.

Dita e Bastiles

Me titullin "Shiraku - reforma dhe dialogu", në ballën e saj LE FIGARO e Francës thotë se presidenti francez ka mbajtur një ton të orientuar drejt tregut të lirë, në intervistën e tij tradicionale të Ditës së Bastiles.

"Lëvizja dhe dialogu, këto janë dy kryefjalët e përdorura dje nga Zhak Shiraku, i cili qartë paralajmëroi qëllimin e tij që të vazhdojë me reformat pas protestave të kësaj pranvere", shkruan gazeta.

LIBERATION ndërkaq thotë se presidenti foli për çështjet e brendshme në intervistë vetëm sepse ishte i detyruar të fliste për to.

"Çështjet ndërkombëtare janë të vetmet për të cilat Shirak është i interesuar", thotë gazeta në një shkrim analitik.

Ajo e kritikon presidentin Shirak rreth çështjeve sociale.

"Me asnjë pikë në këtë intervistë të pafund, nuk u prekën çështjet sociale" thotë gazeta " megjithëse gjendja e vuajtjes, rebelimit dhe në çfarëdo rasti edhe dhimbjes e francezëve në këtë vit të dytë të qeverisë së Raffarin-it, ka shumëçka të bëjë edhe me ndjenjën se sakrificat nuk janë ndarë së bashku dhe mundësitë nuk janë shpërndarë drejtësisht".

DIE WELT-i gjerman ndërkaq, nënvizon faktin se një gjeneral gjerman ka udhëhequr me paradën në ditën e Bastiles.

"Kjo ndodhi për herë të parë dje në Paris, dhe nuk ishte vetëm simbol i pajtimit të armiqëve të kahmotshëm por një demonstrim i përkryer dhe i qëllimshëm i faktit se Gjermania dhe Franca... e kanë përkufizuar Evropën si një detyrë qendrore të përpjekjeve të përbashkëta politike".


  Gjithsej 63 faqe: « E parë ... « 16 17 18 19 20 21 22 23 24 [25] 26 27 28 29 30 31 32 33 34 » ... E fundit »
Trego 63 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.