Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kinematografia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=127)
-- Kuriozitete kinematografike (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17371)


Postuar nga lule datë 25 Nëntor 2010 - 21:32:

Britanikët që kanë interpretuar presidentët amerikanë



Stiven Spilberg pritet që të shkaktojë jo pak polemika në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen që ka bërë për sa i takon aktorit që do të interpretojë Abraham Linkolnin, Presidentin më të dashur dhe të nderuar për amerikanët, pas Uashingtonit.

Regjisori i famshëm amerikan ka zgjedhur në këtë rol shumë të rëndësishëm britanikun Daniel Day-Lewis. Ai, sipas Spilbergut, është personi që mishëron më mirë dhe përcjell më mirë cilësitë e liderit të madh. Me marrjen e rolit të Presidentit të 16 të amerikanëve, Daniel është i fundit ndër britanikët që kanë marrë role amerikanësh të rëndësishëm në kinematografinë amerikane. Kështu, në këtë kuadër kemi Anthony Hopkins, që ka interpretuar dy presidentë amerikanë. I pari ishte John Quincy Adams në filmin “Amistan” në vitin 1997 dhe më pas kemi po të njëjtin aktor në filmin e vitit 1995, ku interpreton Presidentin Nikson në momentet e fundit të Presidencës së tij. Kemi më pas një tjetër britanik, Michael Gambon, i cili ka interpretuar një tjetër President amerikan, Lyndon B. Jonson në vitin 2002 në filmin “Rruga drejt luftës” dhe përfundojmë këtë listë të gjatë presidentësh amerikanë “britanikë” me Keneth Bragan, i cili ka interpretuar gjithashtu Presidentin amerikan Roosvelt në filmin “Warm Springs”. Edhe konkurrenti më i madh i Daniel në filmin e Spilbergut për të interpretuar rolin e Linkolnit nuk ka qenë gjithashtu amerikan. Kur regjisori i famshëm ka nënshkruar kontratën paraprake për këtë film me shtëpinë prodhuese “Dreamworks” në vitin 2001, ishte një tjetër irlandez, këtë herë Liam Neeson ai që ishte i pari në listë për të interpretuar Linkolnin e madh. Por dy vjet më vonë ishte vetë Neeson që u tërhoq nga projekti, duke qenë se ai ishte 58 vjeç, pra dy vjet më i madh në moshë nga Linkolni në kohën kur e vranë. Daniel është aktualisht 53 vjeç dhe ka fituar dy çmime “Oskar” për filmat “My left Fopt” dhe “There will be blood” dhe konsiderohet nga regjisori Spilberg si personi më i përshtatshëm për këtë rol. “Për mua ai është një nga aktorët më të mëdhenj që kemi aktualisht dhe nuk mund të ndodhte që për këtë rol të madh në një film epik të mos merrja në konsideratë prezencën e tij”, ka deklaruar Spilberg në një deklaratë pas bërjes së ditur të aktorit që do të interpretonte rolin kryesor. Ndërkohë, vetë aktori, dhe pse pak i çuditur nga propozimi, ka deklaruar se ndihet shumë i nderuar që do të interpretojë një njeri të madh dhe inspirues siç është Linkolni.

Filmi pritet që të nisë xhirimet në vjeshtën e vitit të ardhshëm dhe do të dalë në kinema në vitin 2012, edhe pse ka pasur disa spekulime se ai do të dalë në vitin 2013, sepse është shumë e vështirë që të bësh një post produksion të shpejtë të një filmi të madh. Filmi vetë do të bazohet në librin “Skuadra e rivalëve” e Doris Kearns Goodwin, që flet për mosmarrëveshjet dhe grindjet e vazhdueshme mes Linkolnit dhe kabinetit të tij gjatë luftës civile amerikane. Tashmë edhe skenari është plotësisht gati dhe është shkruar nga një prej penave më të shquara të skenarëve hollivudianë, Tony Kushner.

Amanda Foreman, autore e “A world on Fire”, një histori për përfshirjen e Britanisë në luftën civile, beson se zgjedhja e një britaniku në rolin e Presidentit amerikan dhe e britanikëve të tjerë në rolet dytësore në filmin për Linkolnin mund të shkaktojë kundërshti dhe pakënaqësi nga njerëzit. Jemi duke folur për Presidentin më të famshëm në historinë amerikane dhe do të jetë e vështirë për regjisorin që të “shesë” një britanik për një amerikan. Vetëm nëse Daniel do të bëjë një lojë të përkryer”.

Megjithatë bëhet fjalë për një staf ndërkombëtar dhe në këto rrethana mund të justifikohet edhe zgjedhja e Spilbergut.

(Shqip)


  Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.