Forumi Horizont Gjithsej 19 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit »
Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS Egnatia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=3100)


Postuar nga qershor13 datë 30 Shtator 2003 - 19:38:

Thumbs up

Ish-futbollisti i Tepelenës shënon dhe i hap rrugën fitores së rrogozhinasve
Gaba, goli i parë me Egnatian


Roland Gaba, 29-vjeçari tepelenas, duket se tek Egnatia ka gjetur ekipin që i përshtatet më mirë ambicies së tij. Të shtunën, ai shënoi golin e parë ndaj Tomorit në fitoren e parë të kampionatit dhe ishte lojtari më i mirë në fushë për të dy ekipet. "Zidane" i Egnatias, siç e thërrasin fansët për shkak të ngjashmërisë fizike dhe mënyrës së lojës, shpreh për herë të parë në intervistën për "Sportin shqiptar" sesi ndihet në ekipin e ri.
- Shënuat në prezantimin tuaj të parë para sportdashësve në Rrogozhinë. Cili është komenti?
- Edhe pse kam shënuar shumë gola me Tepelenën, të them të drejtën ky gol më emocionoi shumë. Emocionet m'u shtuan kur kujtoja premtimin që u kemi dhënë sportdashësve, të cilët goli im çliroi qysh në fillim. E ndieja se publiku mezi priste që të shënonim. Goli shërbeu edhe për fitoren e krejt takimit, prandaj gëzimi është i dyfishtë. Kujdesi i sponsorit dhe përkrahja e publikut e meritonin një shpërblim të tillë.
- Ç'do të thotë për Egnatian kjo fitore?
- Që para takimit ne besonim te kjo fitore. Sinjalet e saj u dhanë qysh në lojën që bëmë në fushën e vështirë të Laçit. Gjatë gjithë javës punuam për këtë, por një faktor tejet stimulues ishte edhe kurajoja dhe besimi që na dha sportdashësi ynë i mrekullueshëm, jo vetëm gjatë 90-minutëshit, por gjatë gjithë javës në seancat stërvitore. Kjo fitore erdhi atëherë kur na duhej dhe riktheu besimin te ne se vetëm fitoret duhet të jenë objektivi ynë.
- Edhe pse fituat, kundërshtari pretendon se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Ç'mund të shtoni rreth kësaj?
- Duhet të keni parasysh që Tomori është ekip me përvojë, pasi ka luajtur edhe në A1. Me këtë dua të them se fitorja jonë merr më shumë vlera. Ne e filluam me gol dhe, përveç kësaj, dominuam me raste dhe lojë pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë. Normalisht, edhe Tomori reagoi dhe kjo pritej, duke ia shtuar bukurinë lojës. Ne e merituam fitoren, por, nëse do të ishim treguar më të qetë para portës, do të shënonim edhe gola të tjerë. Po ashtu, edhe miqtë patën rastet e tyre. Por ky është futbolli: kush gabon më pak, fiton. Sa për 11-metërshin, është detyrë dhe përgjegjësi e gjyqtarit. Unë mendoj se Çeka është ndër gjyqtarët tanë më të mirë.
- Kjo fitore ju ngjit në vendin e tretë. Do ta ruani apo do të synoni më lart?
- Ky kampionat, siç e dini, ka shumë ekipe të mira, si Bylisi, Laçi, Tomori, Luftëtari, Naftëtari etj. Të gjithë kanë realizuar blerje cilësore dhe kanë synimet e tyre. Me përbërjen që kemi, vendi i tretë është detyrimi ynë, njëkohësisht jemi të bindur se duhet të synojmë më lart, në dy vendet e para. Futja në A1 e kushtëzon këtë objektiv. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, por, pavarësisht nga ndonjë hap fals, synim të vetëm deri në fund ne do të kemi futjen në A1.


  Gjithsej 19 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit »
Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.