Forumi Horizont | Gjithsej 376 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)
Vetevrasje me shumice
Vetëmbytet gruaja e moshuar në liqenin Artificial në kryeqytet, por mbetet e paidentifikuar. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur paraditen e djeshme, kur policia e komisariatit nr.1 në kryeqytet është njoftuar se një person ishte futur në liqen dhe nuk kishte dalë më që andej. Menjëherë, policia ka mbërritur në vendin e lajmëruar dhe më pas ka kryer veprimet e nevojshme për të gjetur trupin e personit. Pas një gjysmë ore punë, të kryer nga policia dhe forcat polumbare të repartit të RENEA-s policia ka mundur të gjejë jo shumë metra në thellësi të liqenit trupin e një gruaje. Policia ka konfirmuar se trupi që është gjetur i mbytur i përkiste një gruaje që mendohet të jetë më shumë se 55 vjeçe. Ajo mendohet se është nga Tirana, ndërsa hetimet e kryera paraprakisht, nuk kanë mundur ta identifikojnë atë. Ndërkaq, trupi i të mbyturës është dërguar për autopsi në morgun e Tiranës. Pas marrjes së disa dëshmive dhe pas kryerjes së veprimeve të tjera hetimore, policia ka konfirmuar paraprakisht se gruaja e gjetur në liqen duhej të ishte vetëmbytur për shkak të depresionit mendor. Në ditët e ardhshme, policia pritet të kryejë veprime të tjera për të gjetur identitetin e saktë të gruas së mbytur dje në orët e mesditës.
07/07/2005
---------------------------------------------
Vetëhelmohet emigranti që kishte ardhur për votime
BERAT- NJë 44-vjeçar që kishte ardhur pranë familjes për votimet, është vetëhelmuar dje në rrethana ende të pazbardhura. Petrit Toska, 44 vjeç, baba i dy fëmijëve, nga fshatit Velabisht ka mbërritur në gjendje të rëndë në spitalin e Beratit. Më pas ai është dërguar drejt spitalit të Tiranës, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës. Sipas burimeve pranë të afërmëve që u referohet policia, viktima kishte ardhur para disa ditësh nga Greqia vetëm për të marrë pjesë në zgjedhjet e 3 korrikut dhe më pas do të kthehej sërish në vendin e punës, në shtetin fqinj. Sipas të afërmëve, në paraditen e djeshme Toska ka shfaqur shenja mërzitjeje, por ata nuk kanë ditur të thonë shkakun. Familjarët e tij mësohen të kenë thënë, ndër të tjera, se Toska ishte mërzitur nga humbja e PS-së, por ata kurrsesi nuk pranuan që shkak i vetëlmimit të këtë qenë kjo arsye. Sipas burimeve, 44- vjeçari ka pirë helm në momentin kur në shtëpi nuk ndodhej njeri. Ka qenë kunata e tij ajo që ka hyrë rastësisht në banesë dhe e ka gjetur atë pa ndjenja. Më pas ajo ka lajmëruar të afërmit, të cilët e kanë dërguar 44-vjeçarin me urgjencë në spital. Mjekët thanë se bëmë të pamundërën për të shpëtuar jetën e babait të dy fëmijëve, por lënda helmuese që ai kishte konsumuar, fotoksinë, kishte depërtuar në gjak. Madje ata thanë se për shkak të gjendjes së rëndë u vendos dërgimi i Toskës në Tiranë, por ai ndërroi jetë gjatë rrugës. Kjo është viktima e dytë e vetëhelmimit në rrethin e Beratit, gjatë 24 orëve të fundit.
07/07/2005
----------------------------------------------
Ludovik Luca, baba i dy fëmijëve dhe kuzhinier në një lokal të njohur në Tiranë është gjetur i vdekur nga e shoqja
Sipas burimeve policore, mësohet se dyshimi kryesor për këtë ngjarje të rëndë është vetëvrasja e Ludovik Lucës. Mësohet se ai ka qëlluar veten në korridor, veten një herë në zemër, ç´ka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kjo është skema që policia mendon se mund të ketë ndodhur, pasi sipas hetuesve, Luca mbante pistoletë në shtëpinë e tij. Personi i parë që ka parë trupin e kuzhinierit Luca të shtrirë në korridor, të mbytur në gjak ka qenë bashkëshortja e tij, Albana. Menjëherë ajo ka lajmëruar policinë, që nuk ka vonuar të vijë për shkak se banesa e tyre ndodhet vetëm 50 metra larg komisariatit nr.1. Një grup hetuesisht të komisariatit nr.1, kanë mbërritur në vendngjarje, së bashku me ekspertët e policisë kriminale dhe të mjekësisë ligjore. Veprimet e kryera prej tyre kanë hedhur paraprakisht dyshimin se Luca mund të ketë kryer një vetëvrasje në kushet e depresionit.
30/06/2005
---------------------------------------------
Velipojë, vret veten pushuesi nga Elbasani
Mustafa Karakyza, baba i një fëmije, i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit psiqik
SHKODËR- Një 25-vjeçar i jep fund jetës në plazhin e Velipojës, teksa po kalonte pushimet e verës së bashku me familjen. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, kohë kur një pushues nga Elbasani është vetëvrarë me pistoletë në dhomën e hotelit. Burime nga policia lokale pohojnë për "Shekullin" se Mustafa Karakyza, baba i një fëmije, i ka dhënë fund jetës me një plumb pistolete. 25-vjeçari ka qenë vetëm në dhomë, kur ka kryer aktin ekstrem. Bashkëshortja dhe fëmija i tij ndodheshin në oborrin e hotelit, kur qetësia është "thyer" nga një krismë pistolete. Menjëherë, pushues të tjerë kanë vrapuar për nga dhoma e Karakyzës, ku e kanë gjetur atë në një pellg gjaku. Kanë qenë punonjësit e hotelit ata që kanë lajmëruar punonjësit e policisë, të cilët pas mbërritjes në vendngjarje pohuan se 25-vjeçari i kishte dhënë fund jetës në kushtet e depresionit. Pas këqyrjes së trupit pa jetë, punonjësit e policisë kanë marrë në pyetje gruan e tij, megjithëse ajo ka qenë e tronditur. Burimet e mësipërme të policisë lokale pohojnë se bashkëshortja e Mustafa Karakyzës ka thënë se i shoqi nuk ishte i qetë kohët e fundit, madje as pas vajtjes për pushime në plazhin e Velipojës. Pas marrjes së dëshmive, punonjësit e policisë së Shkodrës kanë vazhduar hetimet, për zbardhjen e motivit të plotë që çoi në vetëvrasje 25-vjeçarin nga Elbasani. Ndërkaq, mësohet se trupi pa jetë i tij është dërguar në vendlindje, ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.
30/06/2005
---------------------------------------------
Studentja e infermierisë tenton vetëvrasjen
SHKODËR- Një 19-vjeçare, studente e fakultetit të infermierisë, tentoi t´i japë fund jetës, pas rezultateve të dobëta në provime. Burime nga policia e Shkodrës pohojnë se dje, rreth orës 14.30 minuta, 19-vjeçarja nga Rubiku me inicialet F.M është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës, Burimet nga ky spital pohuan se ajo kishte konsumuar një sasi lënde toksike, që i ka shkaktuar gjendjen e rëndë shëndetësore. Mjekët e spitalit i kanë dhënë 19-vjeçares ndihmën e parë mjekësore, duke bërë të mundur edhe shpëtimin e jetës së saj. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se studentja e infermierisë kishte kaluar një periudhë të rëndë psikologjike, për shkak të notave të dobëta në provimet e fundvitit. Ky dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i tentativës së vetëvrasjes së saj. Pas marrjes së mjekimit, studentja duket se e ka kaluar gjendjen kritike për jetën, falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve.
30/06/2005
-------------------------------------------------------
Policia i arreston të atin, tenton vetëvrasjen
Një 17-vjeçare ka kërcënuar me hedhje nga ballkoni policinë, e cila kapi të atin për kultivim droge
POGRADEC- Një 17-vjeçare tenton t´i japë fund jetës përpara punonjësve të policisë, që kishin shkuar në banesën e saj për t´i arrestuar të atin. Ngjarja që fatmirësisht përfundoi pa viktima ka ndodhur dje në fshatin Buçimas të Pogradecit, gjatë një aksioni të policisë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur për "Shekullin" se agjentët e Antidrogës kishin shkuar në banesën e 46-vjeçarit Myrteza Jashallari, pas informacioneve se ai mbillte kanabis në vazo plastike. Pas informacioneve, punonjësit e policisë kanë kontrolluar banesën e Jashallarit dhe kanë gjetur nëpër vazo 10 rrënjë kanabis sativa. Pas sekuestrimit të bimës narkotike, punonjësit e policisë kanë tentuar të shoqërojnë në komisariat 46-vjeçarin dhe djalin e tij. Pikërisht në këtë moment, në ballkonin e katit të tretë të shtëpisë ka dalë vajza 17-vjeçare e Jashallarit dhe ka tentuar vetëvrasjen. "Nëse nuk e lironi babanë dhe vëllanë, do të hidhem me kokë dhe do t´i jap fund jetës",-mësohet të ketë kërcënuar ajo. Kjo situatë ka vazhduar për rreth një orë, kohë gjatë së cilës punonjësit e policisë kanë tentuar të negociojnë me adoleshenten. Burimet e mësipërme të informacionit pohojnë se gjatë kohës që inspektorët po ndërmjetësonin që 17-vjeçarja të mos ndërmerrte asnjë akt që i cënonte jetën, një tjetër punonjës policie ka mundur t´i dalë nga pas vajzës, duke mos e lejuar të hidhet nga ballkoni. Mësohet se 17-vjeçarja Jashellari ka kaluar më pas një krizë nervore, ndaj edhe është shoqëruar nga policia në spitalin e Pogradecit. Ndërkaq, agjentët e Antidrogës kanë arrestuar babanë e saj me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.
29/06/2005
------------------------------------------
Ka me kile. Doni te tjera? Lexoj se paku nje vetevrasje cdo dy dite ne Shqiperi.
Gjithsej 376 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.