Forumi Horizont Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 21 22 23 24 25 26 27 28 29 [30] 31 32 33 34 35 36 37 38 39 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Vllaznia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1935)


Postuar nga qershor13 datë 26 Nëntor 2003 - 14:00:

Vllaznia: Apolonia, testi para Tiranës

Në ndeshjen e sotme me fierakët, kuqeblutë do të luajnë me një formacion të rinuar.

Takimi i sotëm me Apoloninë, i vlefshëm për turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, pritet të jetë më tepër stërvitor për Vllazninë sesa kualifikues, pasi gjithçka thuajse është vendosur në ballafaqimin e parë. Fitorja 4 2 e arritur dy javë më parë në "Selman Stërmasi" u jep mundësi shkodranëve të testojnë veten përpara ndeshjes shumë të rëndësishme të së shtunës, ndaj Tiranës. Madje burime nga skuadra kuqeblu bëjnë të ditur se përballë fierakëve, trajneri Haxhiosmanoviç nuk do të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë. Kjo për dy arsye: e para, për t'u dhënë mundësi lojtarëve të stolit të tregojnë vlerat e tyre dhe, e dyta, për t'i lënë pushim disa nga titullarët e skuadrës. Këta të fundit, në ndeshjen e fundit në Elbasan, kanë treguar shenja lodhjeje, si pasojë e udhëtimit të gjatë për në Amerikë. Për këtë qëllim, stafi drejtues i Vllaznisë ka menduar që, për të mos pasur probleme fizike apo dëmtimesh në sfidën shumë të rëndësishme të së shtunës me bardheblutë, ta lërë pushim "ajkën" e skuadrës. Kësisoj, në takimin e sotëm, që do të luhet në "Loro Boriçi", pritet të aktivizohen disa nga lojtarët e stolit, që nuk kanë pasur shumë vend si titullarë në formacionin kuqeblu. Bëhet fjalë për portierin Ndoja, që mund të zërë vendin e Grimës në portë, për të vazhduar me dyshen e njohur të mbrojtjes Zmijani Dibra. Një vend në formacionin anti-Apolonia pritet të ketë edhe kongolezi Bokatola, i cili duket se i ka lënë prapa problemet muskulare, që e shoqëruan pas aktivizimit të parë si titullar në takimin me Teutën. Po ashtu, do të aktivizohen edhe të rinjtë e talentuar, si Luka, Bishja, Hashi, Hoti e ndonjë tjetër. Sidoqoftë, gjithçka pritet të zbardhet në takimin e sotëm, kur malazezi Haxhiosmanoviç do të zbresë skuadrën e tij të preferuar në "Loro Boriçi". Tani për tani, e sigurt është vetëm mungesa e dyshes së talentuar të të rinjve, Salihi-Ahu. I pari vuan një dëmtim të kockës së nofullës së djathtë, ndërsa Franc Ahu ka marrë kartonin e tretë të verdhë në Elbasan, prandaj është i skualifikuar. Të gjitha këto lëvizje që pritet të ndodhin në formacionin kuqeblu, të bëjnë të mendosh se shkodranët, në njëfarë mënyre, e konsiderojnë punë të kryer kualifikimin për në tetëshen e kupës. Nga ana e tij, Haxhiosmanoviçi, që sot rikthehet në stolin e Vllaznisë, bën thirrje për kujdes dhe vëmendje maksimale ndaj Apolonisë. "Kualifikimi është i sigurt vetëm kur të ketë mbaruar ndeshja. Prandaj të gjithë ata që do të luajnë duhet të japin maksimumin për të justifikuar veten dhe fanellën që kanë të veshur," - ka thënë ai.


  Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 21 22 23 24 25 26 27 28 29 [30] 31 32 33 34 35 36 37 38 39 » ... E fundit »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.