Forumi Horizont | Gjithsej 124 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit » Trego 124 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja Islame (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=183)
-- Agjerimi dhe vlerat e tij. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=6282)
RAMAZANI FLET
(Mesazhi i Ramazanit dërguar popullit fisnik  
O bijtë e popullit fisnik!
Erdha tek ju dhe më pritët ashtu siç e pret populli vizituesin fisnik me mikpritje të mirë dhe dashamirësi të sinqertë, kurse disa të tjerë u tallën me mua dhe më pranuan ashtu siç i pranojnë muajt e tjerë të vitit. Unë erdha vetëm t'ju mësoj si të hyni në jetë me armët e fitores!
Zoti i falënderoi popullit tuaj për mikpritjen e bukur dhe e shpërbleu. Zoti i faltë ata që u vonuan pak me mirëbërje, që dështuan në provimin e burrërisë dhe që refuzuan shpirtin dhe simbolin e besimit, nëse besojnë në Zot dhe në të Dërguarin e Tij.
Pasi që vizituesi obligohet ta falënderojë atë që e pret me sinqeritet, atëherë unë ndiej veten të obliguar që t'ju falënderohem me këshilla dhe porosi që do të mjaftojnë për fisnikërinë dhe adhurimin tuaj.
O popull i sinqertë!
Erdha tek ju pas përfundimit të luftimeve që u zhvilluan gjatë votimeve. Këto luftime ishin të vërteta sepse shkaktuan plagosje, gjakderdhje, intriga dhe armiqësi! Mjerë për ju!
Popujt zhvillojnë luftëra me armiqtë e tyre dhe i pranojnë të gjitha vuajtjet luftarake për ta kthyer nderin e tyre, t'i shpëtojnë fëmijët, pra pse ju i zhvilluat këto luftëra?
Disa që e ngritën flamurin e luftës do të përgjigjen se ndjejnë obligim ndaj popullit dhe ndaj vatanit! Kjo përgjigje do të ishte e bukur sikur të përputhej me realitetin, sepse unë vërejta të vërteta që nuk përputhen me realitetin si p.sh. ndjekja e të pafajshmëve, falsifikimi i dëshirës së popullit, mbështetja në metodat e kolonialistëve që e privojnë popullin nga të drejtat e veta dhe humbja e dinjitetit dhe autoritetit të popullit.
Pra, e gjithë kjo u realizua nga duart e falsifikuesve! Nëse është parlamentarizmi shprehje e mirësisë, atëherë pse e aplikuan metodën e të keqes? Nëse është për ngadhënjimin e të vërtetës, atëherë pse u mbështetën në fuqitë e të humburve? A nuk është vrasja e njeriut nga të ndershmit trima në mejdan më e mirë dhe më e preferueshme se suksesi dhe fitorja me armën e hajnave dhe horrave?
A u bëhet shërbim nëse akuzohen me fjalë që e njollosin nderin e vendit? A i shërbejnë popullit nëse e mbulojnë dështimin e tyre me rrena, mashtrime, fjalë triviale edhe pse janë të vetëdijshëm për të kundërtën?
A është ky moral? A i harruan leksionet e historisë?
A nuk e kërkoi Aliu hilafetin, mirëpo kur u zgjodh Ebu Bekri u bë një prej më të sinqertëve ndaj tij? A nuk i lartësoi Halidi flamujt e Islamit mbi fortifikatën e Kisraut dhe Kajserit, mirëpo kur e revokoi Umeri, vazhdoi të luftojë me sinqeritet si ushtarë i rëndomtë për hir të All-llahut, Zotit të botëve?
Nëse refuzoni të bëheni si etërit dhe heronjtë tuaj të pavdekshëm, atëherë pse nuk merrni leksione patriotike të sinqerta prej armiqve tuaj bashkëkohorë? A nuk e udhëhoqi Çerçili popullin e vet deri në fitore, mirëpo kur dështoi partia e tij në votime, ua dorëzoi udhëheqjen shtetërore ngadhënjyesve, nuk i akuzoi kundërshtarët për tradhti, as popullin për mosdëgjim, e as që dërdëllisi para popullit se ai e udhëhoqi deri në fitore dhe sikur të mos ishte ai do të humbte?!
Kjo ishte pika e parë o vëllezërit e mi, kurse e dyta ka të bëjë me atë se ju jeni në fillim të pavarësive dhe nuk dini si t'i mbroni, si t'i forconi dhe si t'i dëboni armiqtë tuaj. Ju menduat se pavarësia do të thotë: parlament, ministri, ambasada, civilizim dhe qytetërim! Jo, o bijtë e mi, këto janë vetëm aspektet sipërfaqësore të pavarësisë, kurse parimet e vërteta të saj janë: burrëria, besa, pagjumësia, largimi nga mbështetja në fat dhe në epshe, pra a i plotësoni ju këto?
Udhëheqësit tuaj ua kanë hapur dyert e mëkateve dhe kanë lejuar realizimin e epsheve të shfrenuara, kurse ju jetoni si të doni pa kurrfarë pengese, duke menduar se e tillë është liria, apo, liria është kryesore në pavarësi! Sipas tyre, kufizimi i epsheve është prapambeturi që kundërshton progresin dhe qytetërimin, por deri kur kështu? Si mund të fisnikërohet një popull nëse "zhvlerësohet" morali i të rinjve, i mbushin kafenetë dhe bredhin nëpër rrugë?
Pasuria e shtetit është shkatërruar, pastaj shumica është harxhuar në gjëra të nevojshme e të panevojshme dhe janë ndalur shumë projekte të nevojshme pra, ku është besa?
A është besë që të ardhurat e shtetit të investohen nëpër klube, pronarët e të cilëve vetë deklarojnë se i kanë formuar për ta tubuar klasën sunduese rreth tavolinave me alkool, vallëzim e bixhoz; pastaj nuk ka mjete për ndërtimin e shtëpive për pleq e as për t'i tubuar ata që e turpërojnë kryeqytetin me rrobat e vjetra duke lypur e jetuar në mjerim të madh.
A është ky besim, o përgjegjës të pasurisë shtetërore?
Kanë depërtuar idetë destruktive në trurin e fëmijëve tuaj, kanë hyrë duart e të huajve tinëzisht në disa institucione dhe janë thelluar intrigat shkatërruese në zemrat e masës suaj, pra ku është syçeltësia e përgjegjësve? Ku është gatishmëria për t'u përballuar këtyre ligësive të huaja, ku është syçeltësia e përgjegjësve për zgjedhjen e funksionarëve të shtetit? A nuk i kanë lënë ndihmësit e kancelarëve dhe bishtat e kolonialistëve të kullosin nëpër kolltuqe e administrata dhe të marrin rroga të larta edhe pse prezentonin sytë, gjymtyrët dhe armët e kolonializmit?
Zyrat janë mbushur me njerëz të njohur e të afërt që janë të paditur, kurse ata të aftit dhe pronarët e diplomave të larta mungojnë për shkak se nderi i tyre nuk u lejon të poshtërohen!
A s'është kjo largim nga fati i shpirtit? Si mund të përparojë shteti që formohet në bazë të mëkatit apo si fitohet pavarësia që mbështetet në tirani, në afirmimin e të paditurve dhe largimin e besatarëve?
Kjo ishte pika e dytë, o vëllezërit e mi, kurse e treta ka të bëjë me zjarrin që ju kaploi nga të gjitha anët kurse ju jeni të preokupuar me diç tjetër. Ja ku është Palestina e cila është gati të shkëputet nga duart tuaja dhe e cila ua tërheq vërejtjen për ndezjen e zjarrit dhe shpërthimin e vullkanit? Ky është fillimi i luftës mes arabëve të izoluar dhe hebrenjve të armatosur deri në fyt. Ç'përgatitët për t'u ndihmuar vëllezërve tuaj? Ku janë të rinjtë e stërvitur për luftë dhe ku janë prindërit që i përgatisin fëmijët e tyre për luftë? Ku janë të pasurit tuaj që i hapin kapakët e sënduqeve të tyre. Ku janë udhëheqësit tuaj që ndezin në zemrat e popullit zjarrin e zgjuarjes dhe gatishmërisë?
Të mjerët ne, ngase unë shoh vetëm thirrje të kota dhe përgatitje sipërfaqësore të disa fëmijëve e pas kësaj asgjë! Gjumë, tallje dhe shfrenim epshesh kurse armiqtë ua japin zjarrin shtëpive tuaja!
Ja ku është Egjipti, i cili për shkak të antagonizmit me Këshillin e Sigurimit, mund të poshtërohet nga të pashpirtët e ta humbë të drejtën e vet, pra ju ç'keni përgatitur për t'i ndihmuar në momentin e duhur?
Vëllezërit tuaj në Maroko, të cilët janë afër tridhjetë milionë, trajtohen si robër, pra ç'është përgatitur për t'ju ndihmuar?
A janë udhëheqësit tuaj me të vërtetë të interesuar për nënshtrimin e armiqve?
Kjo ishte pika e tretë, o vëllezërit e mi!
Pasha Zotin, më vjen keq për ju që ende të numëroj, edhe pse kam shumë shembuj...
O bijtë e mi!
Ju tash përjetoni mospajtime të hatashme që do t'ju shkatërrojnë. Unë nuk jam pesimist dhe jam i sigurt se nëse përgatiteni, do të fitoni. Fitoren e kanë vërtetuar etërit tuaj në betejën e Bedrit dhe në kohën e Salahuddinit, i cili e çliroi Jerusalemin dhe i dëboi kryqtarët...
Besoni, o fëmijët e mi, se armë e fitores së tyre ishte vetëm "imani dhe morali". Imani e kompensoi mungesën në përgatitje e numër kurse morali shkaktoi dështimin e armiqve të tyre.
O bijtë e mi! Në luftë fiton morali burrëror, gjaku, plumbi, baruti dhe pagjumësia në hendeqe e jo ngjyra e kuqërremtë, lavdërimi i fytyrave dhe dhuratave e as pagjumësia në klube, mëkate e kurvëri.
O bijtë e mi! Ju jeni më të mirët e popullit, e përcjellni udhëheqësin më të madhëruar, mbani mesazhin më të lartë, trashëgoni qytetërimin më fisnik, mbroni vatanin më të shtrenjtë dhe i përballoni armikut. Për këtë, ose ta pranoni përgjegjësinë e të shpërbleheni me jetë më fisnike dhe me famë të amshueshme ose "s'ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që ai e do atë (popull) dhe ata e duan atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e All-llahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë tirani."
Lamtumirë, o bijtë e mi, ju këshillova dhe ua tregova qëllimin tim; do ta mbani në mend atë që ua thash e unë tash i mbështetem Zotit!
Ramazani thotë:
Nëse dëshiron të njohësh madhështinë dhe kulturën e ndonjë populli, hulumto udhëheqësit, rolin e tyre në të dhe shërbimin e tyre dhe atë me një precizitet të madh ashtu që nuk do të mashtrojë zbukurimi sipërfaqësor.
Nëse dëshiron ta njohësh vlerën e udhëheqësve, bëj një krahasim mes fjalëve dhe veprave të tyre, mes të kaluarës së tyre dhe të tashmes dhe mes lidhjeve të tyre me popullin, e nëse i gjeni më të shpejtë në vepër se në fjalë, të njëjtë si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, stabilë në parimet e tyre prej fillimit deri në mbarim, respektues të popullit dhe interesit të përgjithshëm, atëherë atyre u takon respekti, nderi, dashuria dhe vlerësimi.
Nëse dëshiron të hulumtosh moralin e popullit, pastërtinë, nderin, diturinë, ëndrrën, fisnikërinë dhe besën e tij apo të kundërtën, atëherë shih moralin e udhëheqësve të njohur sepse vetëm kështu do të zbulosh çdo gjë.
Nëse dëshiron ta njohësh sinqeritetin e udhëheqësit, hulumto mendimin e armiqve dhe sjelljen e tyre me të. Nëse e quajnë armik të ndershëm dhe nëse e trajtojnë si armik kokëfortë e të rrezikshëm, atëherë ai është i cili qëndron me sinqeritet para popullit, jep shpirtin dhe sakrifikon trupin.
Nëse dëshiron të njohësh se cili udhëheqës është më i dobishëm për popullin e vet, shiko ate që e mbron të vërtetën, ofron bashkëpunim, harron egoizmin, shkelë mbi epshet e veta dhe mbi pozitën shtetërore në rastë se e thërret xhihadi për shpëtimin e vendit. Udhëheqësi i tillë e ka arritur kulmin e udhëheqjes, jeta e tij është pasuri për popullin, xhihadi i tij konsiderohet mëshirë për masën kurse humbja e tij që është goditje për vatanin, plotësohet vetëm me ndonjë njeri të ngjashëm me të.
Kështu vlerësohet madhështia e popullit, moralit dhe udhëheqjes së tij. Ky vlerësim është i saktë dhe i vërtetë sepse qysh para katërmbëdhjetë shekujsh e deri më tash nuk ka qenë i gabuar asnjëherë.
Thashë: "Ti e ke parë të kaluarën e të tashmen si dhe e ka parë me sytë e tu famën e Islamit dhe dështimin e tij, pra, çfarë rezultati jep vlerësimi yt i popullit tonë dhe i udhëheqësve tanë të sotëm?"
Mori frymë thellë e tha: "Mjerë për popullin tënd dhe mjerë për udhëheqësit e tij! Do të humbin të dy, udhëheqësi dhe i udhëhequri".
Më pyet për popullin tënd dhe udhëheqësit e tij, e unë të përgjigjem se populli është ashtu siç duan udhëheqësit të jetë, dhe se gjykimi për të mirë ose për të keq mvaret nga udhëheqësit që veprojnë ashtu siç duan! Udhëtova nëpër botë, në të kaluarën e në të tashmen dhe pashë shumë popuj që u zhvilluan e pastaj u zhdukën, mirëpo nuk pashë gjë më të çuditshme se udhëheqësit tuaj bashkëkohorë. Udhëheqësit e popujve të botës janë syçelë para fatkeqësive, respektues të betimit, kanë mendje të zhvilluar dhe veprime të matura, i analizojnë çështjet me përpikshmëri dhe e udhëheqin popullin kah e vërteta e qartë; në rast nevoje të gjithë bashkohen dhe nëse ndjejnë rrezikun nga armiku tubohen e i përballojnë bashkërisht, sakrifikojnë shpirtin dhe pasurinë për hir të popullit me dëshirë dhe bindje të plotë; lodhen që populli i tyre të jetojë në lumturi, mundohen që vendi të gëzojë kënaqësi dhe vdesin që populli të jetojë.
Udhëheqësit e vendeve tuaja u zhvilluan në mesin e një populli të lodhur nga katastrofat e kohës, të përçarë nga turbullitë e fatit dhe të deformuar nga politika e udhëheqësve. Pastaj, ata e panë me sytë e tyre vazhdimësinë e problemeve, armiqësinë kundër të drejtave të popujve dhe lojën e intrigave, gjë që mjafton ta ndezë zjarrin e xhihadit në zemrat tyre, ta ngjallë ndjenjën e përgjegjësisë së madhe dhe t'i nxitë për shpëtim e reformë me sinqeritet e iman derisa ta shpëtojnë popullin nga kthetrat e të huajve, ta nxisin mbrojtjen e nderit dhe famës, të ndërtojnë një shoqëri të re që përqëndrohet në zgjuarje, moral e devotshmëri dhe ta sigurojnë pozitën në hapësirën e nënqiellit. Por si vepruan udhëheqësit tuaj?
Pasha Zotin, u tmerrova nga veprat e tyre... Nuk dua të t'i theksoj tash veprat e tyre që do t'i gjykojë historia, por, pash Zotin, a nuk i dehën nervat e popullit dhe a nuk e eliminuan gatishmërinë e tij për luftë? A nuk i përçanë intrigat e armiqve dhe dëshirat për pushtet? A nuk e larguan popullin prej rrugës së mirësisë, fesë, jetës dhe fuqisë në rrugën e shtrembët e të dështuar, fillimi i së cilës është epshi, mesi mjerim kurse fundi nënçmim e poshtërim?
A nuk ndikoi kënaqësia e komoditetit në vështirësitë e xhihadit kështu që filluan ta preferojnë luksin dhe mendjelartësinë e rrejshme mbi jetën askete dhe luftimin në rrugë të Zotit? A nuk u përçanë edhe pse shteti jetonte në mjerim kurse populli në vuajtje?
Shiko..., ata luftojnë njëri-tjetrin me armiqësi të ndërsjellë dhe e fyejnë nderin e njëri-tjetrit kurse armiku, i cili qëndron ulur mbi gjokset e tyre dhe ka pushtuar vendin është armatosur me armë, qëndron anash dhe qeshë me ironi!
Mjerë për këtë ndryshim të deformuar dhe për këtë rrugë të keqe!"
Ramazani tha: "Ndoshta të habitë kjo revoltë e imja kundër udhëheqësve tuaj, dhe mund të thuash se qëndrimi im është i përgjithshëm dhe se më mirë do të ishte sikur të mbështetesha në specifikim, mirëpo unë dëshiroj që ti ta dishë plotësisht se populli yt ende ndien varfëri në udhëheqësit e vet dhe se ka nevojë vetëm për një udhëheqës që i plotëson të gjitha kushtet e udhëheqjes dhe qeverisjes!"
Thashë: "Tash, o Ramazan, na trego mendimin tënd në këtë natë të errët!"
Ramazani tha:
"Dëgjomë, Zoti të bekoftë! Gjatë shëtitjes sime të mbrëmshme nëpër shoqëritë agjëruese, shënoja në ditarin tim, dhe kur, papritmas, pashë një djalosh trupgjatë, të hollë e fytyrëkuq që ishte ulur në një dhomë prej të cilës dilte një dritë e vogël para vitrinave të librave, kurse afër tij, sipas mendimit tim, ishte ulur shoku i tij. U afrova pranë tyre për ta dëgjuar bisedën e tyre.
Djaloshi iu drejtua shokut të vet me një zë të fuqishëm e me entuziazëm të plotë dhe i tha: "Ne jemi popull i njohur me etërit tanë dhe me famë të lartë, pra mëkat është t'i nënshtrohemi Perëndimit dhe vrazhdësisë së tij! Populli ynë udhëhoqi botën dhe mëkat është që të na sundojnë sot ata që kërkonin dje ndihmë prej nesh! Në damarët e popullit tonë ende rrjedh gjaku i krenarisë dhe mëkat është të pushojmë! Popullin tonë e lanë pa gjumë ngjarjet e kohës gjersa u zbardhën bebëzat e syve dhe mëkat ështe të mos mundemi ta aplikojmë atë që e mësuam! Popullin tonë e udhëheqin udhëheqës fatkeqë dhe mëkat është të mos ua tërheqim vërejtjen! Populli ynë është ende i gjallë dhe i fuqishëm, pra duhet t'i udhëzojmë udhëheqësit ashtu siç mendojmë ne e jo siç mendojnë ata".
Ramazani tha: "Duke i dëgjuar ata, m'u rrëqeth trupi dhe u binda se xhungla është ende e mbushur me luaj dhe se populli që ka një djalosh të tillë me iman, besim e entuziazëm, asnjëherë nuk vdes.
Problemi më i madh është ai i udhëheqësve, pra a mund t'ua përcjellish porosinë dhe thirrjen time?"
Thash: "Si urdhëron!"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Pasi që mirësia dhe fuqia ekzistojnë a do të mundeni ta ringjallni me sinqeritet mirësinë dhe ta nxjerrni fuqinë prej thellësirave për ta ngritur famën e popullit?"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Pasi që populli ju ka besuar dhe ju ka ndihmuar, atëherë kjo përçarje e juaj është prerje e dorës së tij (popullit) dhe thikë në zemër. Si e preni dorën që ju ndihmoi dhe si e shponi zemrën që ju don?"
Thuaju udhëheqësve tuaj: "Ai që nuk mëson nga përvoja, është i marrë; ai që nuk preket nga ngjarjet, është i dobët; ai që vrapon pas epshit, është vetëvrasës; si mund të prijë apo të udhëheqë ai që është prej tyre?"
Ramazani tha: "Kjo ishte biseda ime e sotme me ty, ndoshta herën tjetër do të flas diçka tjetër!"
Artikujt e mesiperm i shkeputa nga libri "Agjerimi dhe folizofia e tij" i dr. Muhamed sibag,shpresoj tju jape force ne realizimin me kujdes te agjerimit te ketij muaji te bekuar.
Gezuar edhe nga une!
Gjithsej 124 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit » Trego 124 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.