Forumi Horizont | Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 29 30 31 32 33 34 35 36 37 [38] 39 40 41 42 43 44 45 » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK. Partizani (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2264)
Mema: Partizani ka reflektuar disi
Trajneri i të kuqve flet pas barazimit të fundit ndaj ekipit të Lushnjës në Berat
Barazimi me Lushnjën i ka larguar të kuqtë edhe disa pikë të tjera nga kreu, por në fund të ndeshjes trajneri ka mbetur i kënaqur me angazhimin e të tijve ndaj kundërshtarit të radhës. Sipas trajnerit Mema, loja e Partizanit, edhe pse me dy mungesa kryesore, në Berat ka pasur ngritje, por ka munguar rezultati, i ndikuar edhe nga terreni i vështirë i fushës. "Mendoj se pozitive mbi të gjitha ishte loja e mirë, pavarësisht se nuk morëm tri pikë në fund të ndeshjes. I kemi lënë pas problemet që kaluam gjatë javës së fundit dhe kjo u pa qartë në fushë, kur futbollistët u angazhuan deri në fund për ta fituar takimin. Tani na ka mbetur që të vazhdojmë me përkushtim rrugën në kampionat, si dhe të përqendrohemi maksimalisht për Kupën e Shqipërisë, trofeu i vetëm që na ka mbetur për këtë sezon," - thekson trajneri Mema.
Pra, pas problemeve dhe rezultateve të fundit, të kuqtë nuk e kanë gjetur ende veten dhe brenda pak javëve jo vetëm janë tërhequr nga lufta për titull, por po rrezikojnë të humbasin edhe vendin e dytë të tabelës. Trajneri mendon se ndeshjet e mbetura të kampionatit janë shumë të vështira, por Partizani i ka mundësitë që të ngjitet më lart, sepse do t'i kthehet fushës së kryeqytetit. "Duke filluar me Teutën, do t'i kemi thuajse të gjitha ndeshjet në kryeqytet. Kështu që do të përpiqemi të shfrytëzojmë fushën, sepse terreni ka qenë një faktor negativ për Partizanin në takimet jashtë Tiranës," - thotë Mema. Por njëshi i stolit të kuq mendon se, përveç angazhimit në ndeshjet e kampionatit, Partizani duhet të mendojë seriozisht për takimin e kthimit, sepse nuk e ka siguruar akoma finalen e majit. "Për ne ka mbetur vetëm objektivi i kupës, kështu që duhet të mendojmë vazhdimisht për këtë trofe. Kemi marrë një rezultat favorizues në Shkodër, por fitores së pastër duhet t'ia bëjmë hyzmetin edhe në Tiranë. Gjërat mund të përmbysen nëse nuk tregohemi të kujdesshëm në fushën tonë," - thotë më tej njëshi i stolit të kuq.
Por problemet e brendshme janë shqetësimi kryesor për të gjithë tifozët e Partizanit. Për këtë arsye, trajneri u kërkon futbollistëve që të japin maksimumin në fushë. "E kam theksuar se edhe unë ndoshta kam pjesën time të fajit, sepse mund të mos jem treguar gjithmonë i kujdesshëm në komunikim me futbollistët. Por kam qenë i përkushtuar me seriozitetin më të madh dhe deri tani më kanë mbështetur të gjithë tifozët dhe drejtuesit e klubit. Ky është shkaku kryesor që kam vendosur të qëndroj deri në fund të sezonit. Për sa u përket futbollistëve, them se Partizani ka kohë që nuk fiton trofe, ndaj duhet të jemi shumë më të angazhuar për ta arritur një gjë të tillë. Këtë e kam përsëritur disa herë në analizat që kemi bërë me lojtarët. Futbollistët që s'kanë fituar asgjë në karrierën e tyre, para se të pretendojnë për gjëra të tjera, duhet të fitojnë më parë një trofe," - ka thënë në fund trajneri Mema, i cili vazhdon të drejtojë që prej fazës së dytë të kuqtë e kryeqytetit.
Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 29 30 31 32 33 34 35 36 37 [38] 39 40 41 42 43 44 45 » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.