Forumi Horizont Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mjekësia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=266)
-- Ilace Popullore! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11362)


Postuar nga ~Enigme~ datë 05 Dhjetor 2006 - 19:58:

Pagjumesi...Qetesi ne sistemin nervor

Cod. A05122006

Dhimbjet e stomakut, të kokës, pagjumësia janë disa probleme, që kurohen me ndihmën e medikamenteve, por edhe mjekimi në sajë të çajrave me bimë mjekësore ka dhënë rezultate shumë të mira.

Terapia me bimën e valerianës ka dhënë një ndihmesë të madhe në qetësimin e sistemit nervor, lehtësimin e dhimbjeve të kokës e stomakut, duke qetësuar të sëmurin.

Bima e valerianës, e njohur për aromën e saj karakteristike jo fort të këndshme, ka edhe efekte shumë të mira në qetësimin e sistemit nervor dhe rezultatin e shpejtë, që jep për të luftuar pagjumësinë. Rrënjët, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e sëmundjeve, janë të pasura me esencë, kamfen, pinen, alkaloide, si dhe shumë acide, si ai valerianik, alkoole e ketone. Janë pikërisht këto përbërës, që i japin bimës aftësinë e qetësuesit.

Efektet

Nëse ndiheni nervoz dhe keni stres këshillohet të pini çajin e valerianës dhe rezultatet do të jenë të menjëhershme, por çaji mund të pihet edhe në të gjitha format e shfaqjes së nervozizmit. Në dhimbjet e kokës dhe në veçanti ato të migrenës është e këshillueshme të pini çajin e përftuar nga rrënjët e valerianës. Çaji të pihet 3 herë në ditë deri në 1 muaj.

Sëmundjet nervore shpesh shkaktojnë edhe sëmundje të zemrës, siç janë rrahjet e shpeshta të saj dhe të rritjes së presionit të gjakut. Megjithatë, hipertensioni mund të shfaqet edhe nga shkaktarë të tjerë, siç janë sëmundjet e veshkave, por e rëndësishme është mënyra e kurimit të tyre.

Hipertensioni nganjëherë mund të shoqërohet me ngushtimin e enëve të gjakut dhe të shkaktojë dhimbje në zonën e zemrës dhe vështirësi në frymëmarrje. Për qetësimin e dhimbjeve duhet pirë menjëherë çaji i bimës, i ëmbëlsuar me mjaltë. Këshillohet të pihet 3 herë në ditë nga një gotë.

Për të ndalur dhimbjet e stomakut, që mund të shfaqen nga ngacmues të ndryshëm, mjekët popullorë rekomandojnë çajin e valerianës si qetësuesin më të efektshëm. Edhe në këto raste këshillohet të pihet çaji i sapopërgatitur, pasi është më i pasur me veti kuruese.
Kujdes
Edhe në këtë rast çaji të pihet 3 deri në 4 javë, pasi nëse pihet për një kohë më të gjatë mund të shkaktojë dhimbje të kokës dhe mund të nxisë shtimin e rrahjeve të shpeshta të zemrës.

Në rastet e pagjumësisë, të shkaktuara nga lodhja dhe sforcimet që ju kanë munduar gjatë ditës, ky çaj do të japë rezultate shumë të mira. Këshillohet që çaji të pihet 15 minuta më përpara. Për përgatitjen e çajit përdoren rrënjët e grimcuara, që hidhen në një gotë me ujë të nxehtë dhe lihen për 15 minuta në qetësi dhe më pas kullohet e ëmbëlsohet me mjaltë.

Por me mjaft sukses çaji i valerianës mund të përdoret në të gjitha format e shfaqjes së nervozitetit. Duke pirë çajin mund të largohet stresi dhe lodhja. Lëngu i kësaj bime largon stresin dhe lodhjen dhe sjell një gjumë të rehatshëm.

Lëngu i valerianës nuk duhet të merret më tepër se 1 muaj, pasi mund të shkaktojë dhimbje të kokës dhe rrahje të zemrës.


Që kura me çajin e rrënjëve të valerianës të ketë efekt të menjëhershëm, këshillohet që ato të jenë të freskëta dhe të mblidhen pas lulëzimit të bimës, në shtator. Vetëm në këtë rast mund të gjenden me shumicë elementët kuruese të saj; acidi valerianik liron erën specifike të bimës. Bima ka veti qetësuese. Kundër pagjumësisë mund të përdoret edhe përzierja e rrënjëve të valerianës me gjethet e barbletës. Të dyja këto bimë hidhen në një gotë me ujë të ftohtë dhe lihen për 12 orë. Më pas kullohet dhe pihet 15 minuta përpara se të shkoni për të fjetur, duke e ëmbëlsuar me mjaltë. Duhet të ruhet nga drita dhe lagështia. Rrënjët mund të përdoren edhe të përziera me lëngje të tjera ose në formë tinkure, kur përzihen me alkool.

autori M.K


  Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.