Forumi Horizont Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Shenjat e "lindjes" te nje Diktatori (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17956)


Postuar nga Vizioner datë 14 Maj 2011 - 14:58:

Ai na do të heshtur dhe të lodhur...

Pas zgjedhjeve të 8 Majit, askush nuk mund të parashikonte se uikendi pasardhës do të kalonte duke numëruar vota dhe duke mbyllur shqiptarët në shtëpi para ekraneve duke parë një 'Big Brother' të shëmtuar të historisë së zgjedhjeve në Shqipëri.


Sali Berisha, i cili nuk pati shans të niste festën të dielën e 8 Majit në mbrëmje siç bën zakonisht, nuk pati shans ta bënte këtë as të hënë dhe të martë, pasi rezultatet në gjithë Shqipërinë ishin një katastrofë politike për të. Nga Saranda në Shkodër opozita fitoi bindshëm dhe beteja mbeti e përqendruar në Tiranë, ku udhëheqësi i opozitës po përpiqet t'i mbijetojë skemës shtetërore të një rezultati të prodhuar qysh para zgjedhjeve përmes makinerisë shtetërore.


Pikërisht këtu u shfaq karakteri i lig i Sali Berishës. I shokuar nga fitorja plebishitare e opozitës, ai u rikthye me një hakmarrje të qartë në kokën e vet. Nën dirigjimin e tij procesi i numërimit po i ngjan një procesi kafkian ku të gjithë bëjnë sikur duan diçka tjetër dhe bëjnë diçka tjetër.


I vendosur që Shqipëria të mos festojë humbjen e tij, ai po ia arrin t'i mbajë shqiptarët brenda në shtëpi, të tensionuar dhe lodhur më shumë se kurrë vetëm e vetëm që askush të mos gëzojë. Spiralja e rrezikshme në të cilin futi rezultatin në Tiranë përmes trupës shëtitëse që pushteti i ka përgatitur Bashës në Tiranë dhe degradimi i procesit të numërimit, janë shenja të qarta se ai do ta përdorë deri në fund fuqinë e tij që për këto zgjedhje të mos gëzohet askush.


Tani fitorja e Edi Ramës apo Lulëzim Bashës në Tiranë nuk është më çështje triumfi, por një çështje makthi që duhet të mbarojë për të lënë të qetë qytetarët dhe ata të dy. I humburi i madh i këtyre zgjedhjeve është Sali Berisha. Ai ka humbur kudo ku ka shkelur në Shqipëri dhe me lojën e tij prodhoi dhe një lider fallco në Tiranë për partinë e vet. Tashmë ai duket pak nga pak i panevojshëm në atë parti.


I fyer deri në gen nga fakti se këto zgjedhje nuk prodhuan asgjë të gëzueshme për të, ai shpikte dje nga sikleti statistika për tu dukur fitues dhe arsye për tu dukur i lumtur me këtë proces. Në të vërtetë ai ngelet një njeri që i urren zgjedhjet dhe mbi të gjitha zgjedhjet që e nxjerrin nga historia.


20 vjet pas vendosjes së pluralizmit ky njeri vazhdon të mbetet armiku më i madh i zgjedhjeve në këtë vend. Ai nuk i pranon ato si një mekanizëm i cili mund ta çojë në shtëpi. Sa herë që tenton të bëjë diçka formale për të imituar zgjedhjet e lira, gjithmonë i prodhohet problem. Me kaq pak liri dhe ndershmëri që kishin këto zgjedhje, ai prodhoi në të vërtetë një fitore të opozitës dhe një lider fallco brenda PD-së, për të cilin do t'i duhen shumë shpjegime për ta shmangur nga drejtimi i partisë në ditët që vijnë.


I mllefosur me këto zgjedhje dhe sidomos me rezultatin e tyre, ai vendosi t'ua ngrijë shqiptarëve buzëqeshjen. Ka dy ditë që e bën këtë me një përkushtim personal. Ai nuk pranon dot se në këtë vend mund të festohet për humbjen e tij dhe mund të ketë zgjedhje që nuk i japin atij shansin të qeverisë. Ndaj pas gjithë kësaj maskarade është ai. Është ai që ka prodhuar fletët me një kompani që i prodhon posterat e partisë, ai që ka emëruar në KQZ një kompani që ka prodhuar spotet e tij, dhe sot me këta shërbëtorë po përpiqet të fusë vendin në luftë civile duke shpikur fletë të pavlefshme për shkak të cilësisë së shtypit dhe jo vullnetit të qytetarëve.


Ai po përpiqet ta zgjas këtë 'Big Brother' votimesh, që kur të mbarojë njerëzit të mos kenë asnjë shans të mendojnë se mund të festojnë. Ai i do ata të heshtur dhe të lodhur që këto zgjedhje të mos kenë fitues. Dhe e bën gjithçka se është humbësi më i qartë i 8 Majit brenda dhe jashtë partisë.


-Redaksia e "Shekulli"-t | 14/05/2011 |


  Gjithsej 98 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 98 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.