Forumi Horizont Gjithsej 49 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 49 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Fizikë dhe Astronomi (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=10)
-- Mbi disa punime te miat-R.Th. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18794)


Postuar nga robert datë 15 Nëntor 2015 - 00:57:

Faleminderit Erdogan

Që do t’vinte kjo ditë, ku unë do të falenderoja ty Taip Erdogan, nuk kisha për ta besuar kurrë, po t’ma kish thënë ndonjë njeri më parë. Mirpo ja që e ardhmja nuk mund të parashikohet, po të mos llogarisim ato shkrimet e (ashtuquajtura të) shenjta, që ti beson dhe unë jo!
Para pak ditësh ti ndalove festën e rakisë në qytetin e Adanasë, dhe unë pikërisht për këtë të falenderoj! Sepse kam nja 20 vjet që po plas dhe, për shkak të respektit ndaj rregullave ndërkombëtare, nuk po dija se si mund të çmpleksej ky sikleti im. Ta themi hapur e qartë, nuk është një siklet personal, -panvarsisht se po më mundon prej më shumë se dy dekadash-, por është një problem midis Turqisë dhe Shqipërisë... ah, jo dhe aq, është më saktë një problem juridik i vogël, i cili mund të zgjidhet këtej e tutje fare kollaj dhe me marrëveshje të dyanshme shtetesh, –për fatin e mirë mbi këtë rast, që në krye të Turqisë jeni ju për momentin dhe keni shumicën në parlament.
Është fjala për rakinë! Po-po, mos u çudit, është një problem i thjeshtë, vetëm për rakinë, që ju me të drejtë, -siç e gjykoj edhe unë nga të tjera premisa- e ndaluat para disa ditësh në qytetin e Adanasë, ku na u festonka kjo ditë rakije, dhe e vetmja festë rakije në Turqi!
Ju nuk e kini pirë kurrë në jetën tuaj rakinë, -është e drejta juaj,- ndërsa unë sapo i ktheva ca gota. Por se mos vetëm ne të dy jemi gati antipodë në lidhje me rakinë!? Edhe populli turk nuk para e njef rakinë! Biles ka çajin për pije tradicionale të tij. Ndërsa ky popull i prapë, me emrin arnaut –siç njihet në Turqi– është mjaft i marrë pas kësaj pije alkolike. Dhe kur them ky popull, kam parasysh të gjithë pa dallim feje dhe projeksioni tjetër të njeriut. Të gjithë këta të djallosur shqiptarë (arnautë), myslimanë e kristianë, ateistë, laikistë, e fetarë, të ngjyrosur, pa ngjyrosur, karrieristë, humbameno, e biles edhe një pjesë e atyre mijrave turqëve që gjinden në Shqipëri, të gjithë e pinë rakinë, pijen tradicionale shqiptare! Dhe e dini përse e pinë?... Sapo ua thashë!... Sepse RAKIA është pija tradicionale e shqiptarit! PO! Mos u çudit! Ashtu siç është çaji për turqit, vodka për rusët, birra për gjermanët dhe irlandezët, uiski për skocezët, kafja për etiopianët, tekuila për meksikanët, mbllaçitja e kokas për indiosit e Perusë dhe Bolivisë, uzo për grekërit, e sa e sa të tjera tipike për shumë popuj... ah, se për pak harrova, edhe raki-a që prodhon dhe shet Turqia ka shijen e uzos greke, vetëm se një lloj shije surrogato të kësaj uzoje. Pra, “raki”-a që prodhon shteti turk nuk është tamam raki, por thjesht një surrogato e prodhuar nga aromë dëllinje e përzier me alkol artificial. Pikërisht kjo pije quhet në vendin tuaj “Raki”, duke patur kështu emrin e gabuar, pasi rakia është pikërisht ajo pije që prodhohet këtu e rreth 3-4 mijë vjet më parë nga rrushi, një traditë kjo që nuk dihet se ku ka filluar, por e cila vazhdon e pandryshuar prej fillimeve të saj e deri më sot tek fshatari shqiptar. Aq raki origjinale sa prodhon në vit një fshatar shqiptar, aq prodhon i gjithë qyteti Adana. Aq sa shet një fshatar shqiptar raki gjatë një viti në tregun e brendshëm të Shqipërisë, aq shet i gjithë shteti turk në tregun botëror “raki”-n e tij. Ja, kjo është panorama e rakisë origjinale shqiptare dhe asaj të tjetërsuar turke. Pas kësaj panorame, problemi është i qartë.
Zoti Taip Erdogan, tani që ju keni shumicën në parlament, mes shumë punëve të mençura dhe budalle, mund të bëni edhe një punë të ndershme. Votoni për heqjen e të drejtës së patentimit të emrit “RAKI” nga shteti turk në institucionin ndërkombëtar të patentimit! Kaq, vetëm kaq! Pas kësaj, ky emër do të kthehet në origjinën e tij, pikërisht tek fshatari dhe shteti shqiptar, i cili e ka për detyrë t’ju falenderojë edhe zyrtarisht.
Un jam një person civil dhe nuk kam të drejtë t’u bëj kërkesën zyrtare për këtë problem, por as edhe besoj se osmallinjtë që mretnojnë në Albanistan do kenë guximin t’ua bëjnë këtë kërkesë! Vetëm shpresoj se ju po mësoni tani burimin e rakisë origjinale, aq e dëmshme kjo për vendin tuaj, kështu do të mundësoni patentimin e saj në vendin e origjinës! Me respekt, R.Th.


  Gjithsej 49 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit »
Trego 49 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.