Forumi Horizont Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Vllaznia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1935)


Postuar nga Bledumi datë 22 Mars 2004 - 23:27:

Sinani: Basti, edhe dy gola për ta fituar

Kapiteni i Vllaznisë është fare pranë objektivit personal, shënimit të 20 golave në këtë kampionat


Golat e shënuar ndaj Shkumbinit e kanë çuar në 18 numrin e golave të kapitenit kuqeblu gjatë këtij kampionati. Megjithatë, për Vioresin Sinanin, sulmuesin kryesor të Vllaznisë, plani nuk është realizuar ende. Ai tashmë është dy gola larg ndjekësit më të afërt, Indrit Fortuzi. I pyetur nëse kjo diferencë me sulmuesin bardheblu e bën apo jo të realizueshëm pretendimin kryesor për fitimin e "Këpucës së artë", Sinani përgjigjet: "Për këtë problem, siç e kam thënë, do të flasim më vonë, pasi të kem arritur objektivin tim. Kur të kap shifrën e 20 golave të shënuar, mund të them diçka më tepër, për sa i takon problemit të golashënuesit më të mirë të kampionatit."
Për të mbërritur te shifra 20 është veçse një hap, ose dy gola për t'u shënuar. Në 10 ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit, me këtë formë që ka 26-vjeçari shkodran, ka për të shënuar edhe shumë gola të tjerë. Në të vërtetë, pas ndeshjes të së shtunës me Shkumbinin, numri i golave të shënuar prej tij duhej të kishte qenë 19 dhe jo 18. Kjo, pasi goli i shënuar nga Sinani në minutën e 72-të, i treti për të në këtë takim, ka qenë më se i rregullt, por, për çudi, gjyqtari Çekaj e ka anuluar atë. Viori duket i shqetësuar për këtë, prandaj dhe shprehet: "Gjyqtari u justifikua me pretekstin se gjoja kishte menduar që topi ishte ndalur me dorë prej meje. Po të kishte ndodhur vërtet kështu, do ta kisha pohuar një gjë të tillë, por ju siguroj se dora në këtë rast nuk kishte të bënte fare. Goli ka qenë shumë i pastër dhe më vjen keq që gjyqtari ma mohoi."
Megjithatë, për goleadorin kuqeblu, rëndësi ka që Vllaznia të realizojë objektin e saj, daljen në kupat e Evropës. "Ndoshta nuk është momenti të diskutohet për objektiva personale në këtë kohë, kur sezoni është thuajse në fund. E rëndësishme është që të gjithë të japim maksimumin për të arritur objektivin që ka klubi. Nëse sigurojmë të drejtën për të luajtur në kupat e Evropës, do të ishim të kënaqur të gjithë. Por, për t'ia arritur kësaj, hapat duhen hedhur një e nga një. Në radhë të parë, duhet kaluar Shkumbini të mërkurën, për të siguruar gjysmëfinalen e kupës," - shton më tej Sinani.
Të premten e kaluar, vetë Sinani, por edhe Martini, i ka dërrmuar peqinasit me rezultatin 5?2. Ky rezultat, sipas kapitenit të Vllaznisë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. "Me fitoren e së premtes u treguam peqinasve forcën tonë. Për mendimin tim, kjo ka edhe të keqen brenda saj, sepse këtë herë Shkumbini do të vijë me mend të tjera në Shkodër, aq më tepër që ka epërsi nga rezultati i takimit të parë. Megjithatë, jam shumë i bindur se skuadra që do kualifikohet do të jetë Vllaznia," - thotë në fund kryegolashënuesi i kampionatit shqiptar.


  Gjithsej 45 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 »
Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.